SHBA – Burgim i përjetshëm për një copë picë

0
762

Dënimet që e kalojnë masën janë rezultat i ligjeve që janë miratuar ose ashpërsuar gjatë 40 viteve të fundit në vazhdën e luftës kundër drogës dhe krimeve të tjera.

“E dënuan si kriminel të rëndë!” tregon Judith Minor e cila vuan prej 13 vjetësh prej kësaj. Djali i saj Ricky është dënua me burgim të përjetshëm dhe gjendet në burgun Yazoo në Misisipi. Atë e dënuan se kishte me vete droga që nuk kushtonin fare pak dollarë. “Burgim për jetë pa perspektivë lirimi me kusht” – ky vendim i gjyqtarit është për 76-vjeçaren përtej imagjinatës.

Megjithatë për sistemin e drejtësisë të SHBA ky rast nuk është përjashtim: herë ka qenë fjala për një palë çorape, e herë për një copë picë. Shumë hajdutë të vegjël i kanë paguar veprimet e tyre me burgime të përjetshme. Krimi i Ricky-t qe se kishte me vete një gram metamfetaminë. Ricky është vetëm një nga rreth 3.300 vetë që vuajnë dënime me burgim të përjetshëm në vendin e lirisë, pa mundësinë e lirimit të parakohshëm.

“Një vdekje e jetuar”

Jennifer Turner e OJQ-së American Civil Liberties Union (ACLU) thotë se dënime të tilla që e kalojnë masën “janë rezultat i ligjeve që janë miratuar ose ashpërsuar gjatë 40 viteve të fundit në vazhdën e luftës kundër drogës dhe krimeve të tjera në të gjithë SHBA-në ose në shtete të veçanta.” Në raportin me titull “Një vdekje e jetuar” Turner dhe aktivistë të tjerë të ACLU japin alarmin për këto ligje, që parashikojnë dënime të ashpra për vepra të lehta penale.

Në disa shtete, si në Luizianë apo Florida dënohen automatikisht me burgim deri në vdekje, të gjithë personat që dënohen për të tretën herë, “edhe në qoftë se veprat e tyre mund të jenë fare të vogla, ose të jenë kryer para 30 vjetësh, ose nëse autorët e krimit i kanë kryer si fëmijët apo të rinj”, thotë Turner për Deutsche Welle-n.

“Ti nuk e meriton dënimin – por unë i kam duart të lidhura prej ligjit,” kështu i tha gjyqtari Ricky-t, tregon e ëma Judith Minor. “Unë nuk munda t’u besoj veshëve.” – tregon ajo për DW.

Detyrimi i ligjit

Por gjyqtari ka pasur të drejtë, ligji është detyrues, thotë Jennifer Turner. “Gjyqtarët nuk mund të bëjë atë që në të vërtetë duhet të jetë detyra e tyre”, thotë aktivistja e ACLU. Gjatë veprimtarisë së saj ajo ka takuar shumë jursitë që thonë se nuk janë dakord me dënime të tilla as si gjyqtar, as si qytetar dhe si tatimpagues.

Rreth 1,8 miliardë dollarë përpin në vit kjo praktikë ligjore. “Unë mendoj se shumë prej votuesve të cilët i mbështesin këto ligje dhe shumë nga politikanë të cilët i kanë miratuar nuk e kanë aspak të qartë se prej këtyre ligjeve ka njerëz që u duhet të zhduken përgjithmonë pas hekurave për shkak se kanë vjedhur p.sh. vetëm një xhaketë,” thotë Turner.

Rreth vicioz

Të prekur prej dënimeve të tilla janë kryesisht të zezakët me 65% në të gjithë SHBA-në, madje me 91% të rasteve në shtetin e Luizianës, tregon studimi i ACLU. Burgjet në SHBA janë të mbushura me 40% mbi kapacitetet e tyre.

“Një rreth vicioz i varfërisë, i krimit dhe i burgosjeve i mban të burgosur shumë amerikanë dhe dobëson shumë komunat,” tha ministri i Drejtësisë Eric Holder duke njoftuar kohët e fundit një reformë të legjislacionit. Ne duhet të arrijmë që kriminelë të burgosur për vepra të vogla penale për drogat të lirohen nga burgjet, tha ministri i Drejtësisë. Një fillim i mirë ky, mendon Turner, por jo i mjaftueshëm. ACLU do t’i dërgojë Kongresit dhe presidentit Barack Obama një peticion për t’i shfuqizuar ligjet e diskutueshme.

Për 76-vjeçaren Judith Minor dhe të shoqin kjo është një garë me kohën. Djali i saj ka bërë në burg shumë kurse dhe është përgatitur për një fillim të ri, thotë ajo. Kur u shkojmë për vizitë në burgun Yazoo City, ai shpesh ëndërron që të kthehet në shtëpi dhe të përkëdhelë qenin e tij. Judith Minor shpreson se do të arrijë ta jetojë atë ditë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu