‘Shefi’ pyet Bllacën

0
846

Nazim Bllaca u ballafaqua të enjten në gjykatore me Shpresim Ukën. Bllaca e cilëson Ukën si ish-shefin e tij në SHIK. Por, Uka i kërkoi Bllacës dëshmi për ato që deklaron. Dëshmi për këtë, Bllaca tha se është ai vetë. Dëshmitari bashkëpunues përfundoi dëshminë në procesin e quajtur “Bllaca II”. Ai vazhdon javën tjetër me dëshmi të Gani Gecit.

Nazim Bllacës edhe një herë i erdhi radha të flasë me ata që i konsideron shokë të grupit të tij.

Tash jo nëpër kafene dhe telefon, por në gjykatore.

Si dëshmitar bashkëpunues, Bllacës i kanë shtruar të enjten pyetje edhe të akuzuarit.

Deklarata e Bllacës i ka çuar disa prej tyre edhe në paraburgim.

Shpresim Uka, për të cilin Bllaca pretendon se e ka pasur epror në Shërbimin Informativ të Kosovës, e ka pyetur atë për takimet që i kanë pasur në disa raste.

Në kohën kur i akuzuari Uka i ka parashtruar pyetjet e tij, Bllaca ka qëndruar në këmbë, veprim të cilin nuk e ka bërë edhe kur e kanë marrë në pyetje avokatët e të akuzuarve. “Ky e meriton me iu përgjigj në këmbë”, tha Bllaca duke iu drejtuar Ukës, të cilin e konsideron shef të tij.

Por, Nazim Bllaca përveç fjalëve nuk ka mundur të ofrojë asnjë fakt të prekshëm se Shpresim Ukën e ka pasur shef ndonjëherë, edhe pse ky i fundit ka insistuar disa herë në pyetjen e tij.

Madje insistimi i tij mbërriti deri në atë pikë sa Bllaca pohoi se nuk ka ndonjë dëshmi që e vërteton se Uka ishte shef i tij.

Por, se Ukën e ka pasur shef në SHIK, Bllaca e mbështet në incizimin e një bisede që ai ka bërë tinëz në shtëpinë e Hysri Ramës në tetor të vitit 2009.

Uka ka kërkuar nga Bllaca po ashtu që të dëshmojë me ndonjë provë nëse ata janë njohur para vitit 2002.

Dëshmitari Bllaca i ka thënë të akuzuarit Uka se ata njihen që nga qershori 1999 dhe se i akuzuari ka qenë mysafir tek ai në ditëlindjen e djalit.

Por, një gjë të tillë e ka mohuar Shpresim Uka, i cili sërish ka kërkuar nga Bllaca që shoqërinë ndërmjet tyre ta dëshmojë me ndonjë fotografi ose incizim.

Por, një gjë të tillë Bllaca nuk ka mundur ta bëjë.

Uka ia ka përmendur Bllacës disa takime në të cilat kishte rënë në telashe për shkak të disa borxheve.

Uka ka përmendur takimin në restorantin “Leo” në Ferizaj, ku dy persona e kishin rrahur Bllacën për shkak se nuk po ua kthente borxhin.

Po ashtu, Shpresim Uka ka përmendur edhe një person tjetër, Rrahim Slivova, i cili kishte hyrë në oborrin e Nazim Bllacës në fshatin Ribar të Madh dhe nuk po dilte nga aty pa i kthyer 40 mijë euro që ky i kishte borxh.

Por, të gjitha rastet, Bllaca i ka mohuar kategorikisht, ndërsa gjykata nuk ka pranuar që të dëshmojnë personat e apostrofuar nga Shpresim Uka.

Të gjitha këto raste i akuzuari Uka i ka përmendur si arsyetim se Bllaca ishte i zhytur në borxhe deri në fyt dhe zgjidhja e vetme për të ishte që të japë dëshmi, siç thoshte ai, “të rrejshme”.

Mirëpo, Nazim Bllaca i ka thënë Ukës në gjykatore se dëshmia më e mirë është ai vetë dhe krimet që i kanë kryer bashkë.

Nazim Bllaca kundërshtoi një pyetje të Shpresim Ukës, kur bëhet fjalë për disa njerëz që, sipas tij, e kishin rrahur.

“Një herë në jetë një njeri më ka ra grusht edhe atë në mënyrë tinëzare. E ai je ti”, iu drejtua Bllaca të akuzuarit Shpresim Uka.

Përndryshe, sipas tij, kushdo që ta kishte goditur, do ta pësonte sikurse i vrari Ibush Kllokoqi.

Nazim Bllaca është pyetur edhe nga Fehmije Gashi-Bytyqi dhe Basri Jupolli, avokatë të Shpresim Ukës.

Ata janë interesuar për marrjen në pyetje të Bllacës nga prokuroria, njohjen e tij me Gani Gecin dhe Adem Salihajn dhe shkuarjen e tij jashtë vendit.

Bllaca tha se Gani Gecin e ka thirr vetë në telefon, ndërkaq tha se nuk e njeh njeriun që ia ka dhënë numrin e Gecit.

Ish-deputeti Gani Geci do të jetë dëshmitar i radhës në rastin “Bllaca II”, që mbahet të martën e ardhshme(5 qershor).

Në fillim të seancës trupi gjykues ka diskutuar edhe për gjendjen shëndetësore të të akuzuarit Fahredin Gashi dhe ka konstatuar se ai është i aftë që t’i përcjellë seancat gjyqësore.

 

Nga Nexhmije Ahmeti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu