Shembja e “Shtëpisë së Flamurit”, e qëllimshme

0
688

Do të hartojmë një projekt mbi të cilin do të ringrihet ‘Shtëpia e Flamurit’ në Korçë”. Ky ka qenë thelbi i një njoftimi për shtyp që u dha dje në ambientet e Ministrisë së Kulturës, nga zëvendësministri Abaz Hado. Nga foltorja e institucionit qendror që mbron trashëgiminë kulturore, ai rivuri në dukje vlerat historike të godinës, ku u shpall Republika Autonome e Korçës më 10 dhjetor 1916. Më tej, sqaroi se ministria e sipërpërmendur është interesuar gjithnjë për monumentin në fjalë. Përkundër kësaj, rrezikun e ngjarjes së rëndë mediat dhe shoqëria civile e ka paralajmëruar disa herë, por pa u marrë asnjë masë. Asnjë investim s’është bërë në objekt që prej vitit 1990, ndonëse për këtë pjesë nuk është fajtor z.Hado. Në emër të Ministrisë së Kulturës ai nuk pranoi të komentonte qëndrimin e “Aleancës Kuqezi” sipas së cilës, shembja e shtëpisë së Themistokli Gërmenjit është një akt terrorist nga qarqet antishqiptare dhe ekstremizmi grek. Hado, gjithashtu u shpreh se nuk ka dijeni nëse shembja e qëllimshme ka të bëjë me ndërtimin e ndonjë kompleksi mbi themelet e godinës historike.
Në një intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare” të shtunën e 10 dhjetorit 2011, në përvjetorin e 95-të të Republikës, studiuesi dhe koleksionisti korçar Niko Kotherja paralajmëronte se: “Ndërtimi i një kompleksi kërkon shembjen e godinës”. Jo vetëm që në atë kohë as bashkia, as drejtoria rajonale e Kulturës, as Instituti i Monumenteve dhe as Ministria e Kulturës s’u ndjenë, por e “lanë” të bëhej realitet këtë paralajmërim. “Sot ajo iu takon tre pronarëve, të cilët e kanë blerë nga pasardhësit e Sotir Sodarit. Pronarët e këtyre kohëve duan të ndërtojnë një kompleks. Por, duke parë vlerat që ka kjo godinë, ne e kundërshtojmë këtë”, – shprehej Kotherja, në “Gazeta Shqiptare”, në dhjetor. Selia e ‘qeverisë’ së Korçës ka qenë shumëçka në jetën e saj: seli qeverie, zyrë e gjendjes civile, muze e më pas bilardo, pikë lojërash fati, floktore… Prapë mirë deri këtu. Jemi në pikën kur ajo është kthyer në asgjë më shumë se një gërmadhë… Me zhdukjen e kësaj shtëpie, zhduket ‘selia’ e Republikës së Korçës. Prej oborrit të qëmoçëm, pak kishte mbetur, ndërsa prej pusit të vjetër s’ka më as nam e as nishan, ai ka marrë dhenë bashkë me stolat. E me këtë rast, pat marrë dhenë edhe një pllakë përkujtimore që tregonte rëndësinë e godinës. Me heqjen e pllakatit, ndokush mund edhe të ketë menduar se banesa s’ka më vlera. “Çatia lart e godinës dhe dyshemeja e katit të dytë janë të rrëzuara totalisht. Aty ka mbetur një faqe muri ballor që shihet nga oborri dhe një faqe muri që mbahet në këmbë me zor në anën e ballkonit ku qe ngritur flamuri”, – shprehej Kotherja në dhjetor.
Protesta
“Shteti po rri indiferent, ndërsa në Korçë shemben godina historike me vlera të veçanta për gjithë Shqipërinë. Shteti hesht, ndërsa vlerat kulturore janë duke u rrafshuar dhe historia i fshihet para syve. Turp për këdo që nuk reagon sot, për ‘masakrën’ kulturore të radhës në Korçë”. Këto kanë qenë tekstet e disa pankartave që një grup studentësh dhe intelektualësh të Korçës mbanin në duar gjatë protestës së djeshme. Nën moton “Zgjohuni korçarë”, ata protestuan dje në mesditë paqësisht, para rrënojave të “Shtëpisë së Flamurit”. Tubimi nisi rreth orës 12:30 minuta para rrënojave të muzeut historik, ndërsa protestuesit hodhën parulla si, “Stop dhunës së vlerave kombëtare mbi vlerat e historisë”, “Stop monedhodemokracisë që rrënon dhe zhduk vlera”, si dhe “Dua historinë e Korçës” duke apeluar për rindërtimin dhe kthimin në identitet të godinës historike. “Duam të përcjellim një mesazh për institucionet që e kanë në ngarkim rindërtimin e godinës ku është shpallur Republika e parë shqiptare, të ndërgjegjësohen dhe të reagojnë. Kjo godinë ka mbajtur gjallë frymën e shqiptarizmit”, – thanë protestuesit. Sipas tyre, kjo duhet të jetë një qendër pelegrinazhi për të gjithë shqiptarët dhe të huajt që vizitojnë Korçën.
Hetimet
Ndërkaq, prokuroria e Korçës është duke vijuar intensivisht hetimet për prishjen e ndërtesës historike, ku rilindësi Themistokli Gërmenji ngriti flamurin dhe shpalli Korçën krahinë Autonome. Përveç rojës që është marrë në pyetje, grupi hetimor ka thirrur edhe persona të tjerë, të cilët mendohet të kenë parë ngjarjen. Burime të rezervuara të organit të hetimit thanë se personat që janë marrë në pyetje të mërkurën kanë qenë dëshmitarë okularë, të cilët e kanë parë ngjarjen nga afër, nisur nga zhurma e madhe që bëhej në atë zonë. Sipas prokurorisë, edhe dëshmitë e tyre janë të njëjta me atë të rojës së firmës “Alb-Star”, dhe flitet për një fadromë fantazmë, e cila qetësisht kishte prishur godinën historike, dhe më pas ishte larguar sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Prokuroria po punon për identifikimin e fadromistin, i cili do të hidhte dritë mbi ngjarjen dhe do të shënonte hapa të rëndësishme në hetimin e këtij skandali të radhës. Për ngjarjen janë angazhuar edhe ekspertë të urbanistikës, të cilët do thonë fjalën e tyre, por paraprakisht, sipas informacioneve të rezervuara nga organi i akuzës, prishja e “Shtëpisë së Flamurit” ka qenë e qëllimshme. Çuditërisht, ndërsa të gjithë flasin për shembjen e godinës historike, pronarët e saj heshtin, thuajse nuk u intereson rrjedha e ngjarjes.

 

Fatmira Nikolli Jasmina Hasanllari

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu