‘Shërbimet e huaja kanë prej vitesh regjistrime për shtetarët e Tiranës’

0
396
Dritan Hila

U shpreh në shtyp kundër Greqisë, e shkarkojnë nga MPJ pas 11 vitesh në diplomaci. “Kërkohej një simetri ndërmjet rastit tim dhe atij të konsullit grek në Korçë”. DENONCIMET E DRITAN HILËS: – Draftet e një marrëveshje me Greqinë në 1994 janë zhdukur nga Arkiva e MPJ. – Ka shenja të rifillimit të negociatave nën rrogoz për Paktin Detar.

– Roli i ish-ministrave në Marrëveshjen për Varrezat. – Cili është ish-ministri që vetëm në muajt e fundit, nga 150 diplomatë, 87 i zëvendësoi me “njerëz nga rruga”. Shtetarët e Tiranës në marrëdhëniet me të huajt janë peng i veprimeve të tyre. “Janë regjistruar dhe klasifikuar nga shërbimet inteligjente mike apo rivale sjellje ordinere morale jashtë kufijve; transferta të dyshimta parash; ndërmarrje me partnerë të dyshimtë etj. Këto fakte miqve ju shërbejnë për të krijuar opinion, ndërsa armiqve për të bërë presion” – rrëfen në këtë intervistë për “Shekullin”, z.Hila

 

Ish-punonjësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, diplomati Dritan Hila, është shkarkuar para pak ditësh nga detyra pas disa shkrimeve kritike në shtyp ndaj politikës greke kundrejt Shqipërisë. Një nga shkrimet e tij në shtyp që ka ngjallur debate ishte ai me titull “Hijet e vetëdeklarimit pas pensioneve të homogjenëve”. Qëndrim kritik z. Hila ka pasur veçanërisht pas deklaratave të konsullit grek në Korçë. Për këto qëndrime ai u nxor fillimisht përpara Komisionit të Gradave dhe Disiplinës në MPJ dhe u mor masa e mosngritjes në detyrë për 2 vjet. Por, pak ditë pas kësaj mase, atij ju komunikua papritur shkarkimi. Në këtë intervistë për “Shekulli”-n, z. Hila thotë se “Nëse mendohet se unë si diplomat nuk kam të drejtë të kem opinionet e mia personale për interesat e vendit tim, dhe nuk kam të drejtë t’i shpreh ato publikisht dhe nën tagër personal, kjo është mendësi e atyre që shtetin e konceptojnë si pronë personale dhe nëpunësit e tyre si raja. Shprehur sipas politologjisë, kjo quhet mendësi totalitare”. Më pas, ai denoncon veprimet dhe mosveprimet në disa momente kyçe në veprimtarinë e diplomacisë ku ai kontribuon prej 11 vitesh. Një nga pohimet më interesante të këtij diplomati është përgjigja për pyetjen, pse janë kaq të mefshtë dhe jopërfaqësues të sensibilitetit publik, politikanët shqiptarë kur bëhet fjalë për raportet me të huajt që duhet të jenë reciproke. Më poshtë, intervista e z. Hila për “Shekulli”-n, dhënë dje gazetarit Denis Dedej.

Z. Hila, ju jeni penalizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme me largim nga detyra pas disa shkrimeve në shtyp ku spikatin ato për marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, apo për raportin Marti. Ju si e konsideroni këtë vendim?

Pikërisht… ndër arsyet kryesore pse më larguan nga ky shërbim janë opinionet e mia kritike për qëndrimet, ose thënë më saktë mosqëndrimet e këtij institucioni ndaj çështjeve jetike për shtetin shqiptar. Nëse mendohet se unë si diplomat nuk kam të drejtë të kem opinionet e mia personale për interesat e vendit tim, dhe nuk kam të drejtë t’i shpreh ato publikisht dhe nën tagër personal, kjo është mendësi e atyre që shtetin e konceptojnë si pronë personale dhe nëpunësit e tyre si raja. Shprehur sipas politologjisë, kjo quhet mendësi totalitare.
Përveçse diplomat, unë jam edhe shtetas shqiptar, i cili shikonte se si institucioni i tij, ishte tërësisht i pa ndjeshëm ndaj kafshimeve që fuqi të huaja po i bënin territorit dhe interesave tona. Dhe për këtë kisha të drejtë të shprehesha, të drejtë që e ushtrova dhe të cilën do të vazhdoj ta bëj. Në botën e qytetëruar, ka shumë diplomatë që janë njëkohësisht edhe opinionistë gazetash. Mjafton të përmend këtu opinionistin e “Corriere della Sera”, Sergio Romano, që ka qenë 40 vjet diplomat në poste deri ambasador dhe 50 vjet, e deri në ditët e sotme, opinionist.
A kam të drejtë unë në paralajmërimet e mia për ekspansionin grek dhe përpjekjeve të Greqisë për helenizimin e Jugut të vendit? Këtë po e paralajmërojnë edhe njerëz të nderuar dhe dijetarë si Prof. Kristo Frashëri dhe Prof. Pëllumb Xhufi; KLD, mediat dhe ju në “Shekulli” këto ditë po vini alarmin për falsifikimet e kombësisë; e shumë raste të tjera. Duke perifrazuar George Orwellin, mund të thuhet se “duhet të jesh diplomat shqiptar që mos ta vësh re këtë agresion të ftohtë”. Duke iu kthyer çështjes Marty, rikujtoj, se para disa javësh, gjatë një vizite në Romë, ministri Haxhinasto, kur u pyet sa çfarë masash po merren ndaj raportit të Dick Marty, që asokohe nuk ishte ende rezolutë e asamblesë së KiE-së, u shpreh se “…nuk duhet t’i japim kaq shumë rëndësi raportit të këtij Marty-t…”. Por Marty dhe diplomacia sllave, nuk e kishte marrë me aq mendje të lehtë këtë çështje, sa e kishte marrë ajo shqiptare. Dhe neve na ka mbetur një bela që do të na bëhet havale për vite me radhë. Numri i fundit i revistës prestigjioze “Foreign Policy”, e cilësonte qeverinë e Kosovës si të përbërë nga trafikantë organesh. Kaq mjafton si fillim për të shijuar se çdo vijë më pas.

Fillimisht Komisioni i Disiplinës në Ministrinë e Jashtme ju dha një penalizim me 2 vjet mosngritje në gradë. Por më pas është firmosur një shkresë nga ministri për largimin tuaj. Çfarë ndryshoi që solli dhe pushimin tuaj nga puna?

Urdhri i largimit tim, mban datën 18 shkurt, por realisht është firmosur më datë 21 pasdite. Gjatë gjithë kësaj kohe, e kontrolluan dosjen time fije për fije, me shpresën se mos gjenin mangësi për ta përdorur si argument shtesë për largimin tim, ose më vonë si presion kundër meje. Është e vërtetë që masa e propozuar nga komisioni ishte e lehtë, dhe për këtë dua të falënderoj kolegët e mi, diplomatë karriere të çmuar, të cilët pavarësisht presioneve dyditore, nga ministri, dhe i përdoruri i përhershëm, sekretari i përgjithshëm, nuk u epën për të dhënë si masë pushimin nga puna, por vetëm për kompromis “in extremis”, dhanë masën “dy vjet mos ngritje në gradë” .
Logjika ta donte që ministri të mos dilte mbi këtë masë, aq më shumë që nuk ka kapacitetet e nevojshme profesionale të gjykojë një komision ekspertësh. Por pas presioneve të ardhura nga njerëz që i ka mbi kokë dhe që e urdhërojnë, firmosi largimin tim. Është në këtë mes edhe putra e ambasadës greke, e cila kërkonte një simetri ndërmjet rastit tim dhe atij të konsullit grek në Korçë, por duke harruar se unë mbroja sipas Kushtetutës tërësinë e vendit tim, ndërsa Ikonomus kërkonte toka dhe destabilizonte një shtet fqinj; unë flisja në emër personal, ndërsa ai në emër të shtetit grek që e kishte akredituar në Korçë. E pra sot “konsulli me xhup” gëzon statusin e tij si diplomat, ndërsa unë duhet të filloj betejën ligjore pse mbrojta interesat e vendit tim dhe i tregoja nga i vinte e keqja.

Z. Hila, duke pasur parasysh që keni 11 vjet karrierë diplomatike, si do ta vlerësonit ju sjelljen e diplomacisë shqiptare, sidomos në çështjet e kohëve të fundit?

Gjashtë vitet e fundit, do t’i vlerësoja si një zbythje të vazhdueshme të diplomacisë shqiptare përballë kërkesave arrogante të palës greke. Dhe këtë e mbështes në disa fakte: Ende pala greke nuk ka firmosur marrëveshjen për kufijtë tokësorë dhe atë për ujërat e brendshme që kemi dorëzuar në 1994. Madje ka të dhëna se draftet mbi këto marrëveshje, kanë humbur fare në arkivat e ministrisë. Po ashtu, pas zgjedhjeve të 2005-ës, ministria e Mbrojtjes, e drejtuar në ato kohë nga Fatmir Mediu, pa njoftuar ministrinë e Jashtme, zhvilloi bisedime me palën greke dhe i njohu të drejtën e tre varrezave, duke e vënë ministrinë e Jashtme para faktit të kryer. Por megjithëse kishte ende kohë për manovra, pasi duheshin përcaktuar modalitetet e identifikimit të kufomave dhe hollësi teknike të tjera, nëpërmjet të cilave mund të fitohej kohë dhe terren, komisioni i ministrisë së Jashtme, nën direktivën e ministrit Mustafaj, – i cili në aparencë i trajtoi interesat shqiptare me mendjelehtësi, por në realitet armiqësisht për kombin që e paguante, – dhe negocimin e njeriut që më vonë do të na bënte peshqesh edhe marrëveshjen e ujërave, ju përulën (fjala më e lehtë që mund të përdor) kërkesave greke, duke ngritur tre varreza. Janë varreza të ushtarëve të Metaxa-it, pra atyre që më ’40 bombardonin fshatrat shqiptare me thirrjen “Zito Vorio-Ipiro”, (Rroftë Vorio-Epiri) duke na i shitur si antifashistë. Grekët u dëshmuan edhe njëherë si manipulatorë të historisë pasi aleanca antifashiste u formua pas sulmit nazist mbi ish-Bashkimin Sovjetik. Ndërsa pala shqiptare, minimalisht, dëshmoi mungesën e kompetencës profesionale.
Po kështu qëndron edhe dhënia e lejeve për ndërtimin e shkollave greke në Himarë dhe Korçë. Dhe qershia mbi tortë, ishte marrëveshja për delimitimin e shelfit kontinental, ose që njihet ndryshe si marrëveshja e detit me Greqinë. Kam përmendur më parë përgjegjësinë ligjore të komisionit dhe teknikëve negociues, por nuk duhet harruar se kjo marrëveshje kishte kohë që kërkohej nga pala greke, por u nënshkrua nga Lulëzim Basha dhe u mbrojt me zjarr nga Ilir Meta. Ndërsa Ilir Meta duhet të na shpjegojë se me çfarë ka lidhje gjithë ai zjarr në mbrojtjen e marrëveshjes, Lulëzim Basha, duhet të thërritet nga prokuroria me akuzën e “dorëzimit të territorit të Republikës”. Si diplomat dhe shqiptar, i jam mirënjohës dhe kjo duhet thënë se, nëse nuk do të ishte vendimi burrëror dhe atdhetar i Gjykatës Kushtetuese, ne sot do ishim me 300 km2 më pak nga sa na lanë të parët tanë.

Z. Hila, ka një lloj sjellje të vazhdueshme të shtetit shqiptar, të diplomacisë, që përpiqet t’i kalojë në heshtje të gjitha çështjet sensibël për publikun. Nga eksperienca juaj, keni arritur në ndonjë përfundim pse ndodh vazhdimisht ky intimidim në politikën shqiptare kur bëhet fjalë për raportet me të huajt që duhet të jenë reciproke dhe dinjitoze, siç i kërkon qytetari shqiptar?

Politikanët shqiptarë të tranzicionit, vinin nga një shoqëri spartane, dhe rrjedhimisht ishin të paparë me botën dhe nevojtarë në kërkesa. Si fillim një mjekim i njerëzve të afërt në vendin fqinj; pastaj mplekseje me banditë ordinerë që bënin afera të lëndëve narkotike dhe që në raste kapjeje nga policitë e vendeve fqinjë përmendin emrat e protektorëve të tyre politikë; sjellje ordinere morale si të lëshuar nga zinxhiri kur dilnin jashtë kufijve; më vonë me rritjen e korrupsionit, depozitim të ardhurash në bankat perëndimore dhe transferta të dyshimta parash; dhe së fundi ngritje ndërmarrjesh të përbashkëta me partnerë të dyshimtë. Të gjitha këto nuk kanë kaluar pa u regjistruar dhe klasifikuar nga shërbimet inteligjente mike apo rivale. Këto fakte miqve ju shërbenin për të krijuar opinionin, ndërsa armiqve për të bërë presionin. Nuk janë dënglat e integrimit, por vetëm logjika e kapjes së shtetit nga njerëz me të kaluar të errët dhe peng në shërbimet e huaja që e shpjegon edhe rastin e fundit kur ministria e jashtme jona, vetëm pas presionit të medias thirri ambasadorin grek për t’i kërkuar qëndrim ndaj deklaratave të konsullit grek në Korçë. Po mos kishin ndodhur këto reagime, Ikonomus do të vazhdonte të ligjëronte herë nga Korça e herë nga Boboshtica.

Pra, ka mungesë të theksuar profesionalizmi në shërbimet e jashtme shqiptare dhe kjo ndikohet nga emërimet politike…?


E kam thënë edhe më përpara, dhe e ripërsëris se tashmë atij dikasteri i është bërë një transfuzion gati i plotë, dhe profesionistët e vërtetë, janë në pozicione margjinale. Sot në ministri, gjysma e punonjësve nuk përdorin germat “ç” dhe “ë” në shkresat e tyre; nuk dinë t’i formatojnë dhe të kuptojnë problemet. Përfaqësitë janë bërë strehë militantësh dhe nepotizmi, ndërsa ana profesionale është afër zeros. Ka filluar kjo politikë që në kohën e Besnik Mustafait, dhe më vonë Lulëzim Basha, e përdori si çiflig për të krijuar tarafin e vet dhe duke bërë trafik influence. Në muajt e tij të fundit si ministër, nga rreth 150 diplomatë që punonin në përfaqësitë tona jashtë shtetit, 87 prej tyre ishin të marrë nga rruga: militantë, ish emigrantë pa kualifikimin e nevojshëm dhe shokë e miq të tij. Po kështu në periudhën e Ilir Metës, ose duhej të ishe pjesë e interesit elektoral të LSI-së, ose e atyre private të Metës. Nëse ligji parashikonte që promovimet bëheshin brenda organikës ekzistuese, kjo nën administrimin Meta, nuk ndodhi qoftë edhe një herë.

Ju përmendët më parë edhe marrëveshjen për kufirin detar, e cila u shpall antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese. Disa i tremben rikthimit të saj siç ka ndodhur thuajse me të gjitha çështjet e rënda për publikun gjatë kësaj qeverisje. Kemi të drejtë të frikemi për një rikthim të kësaj marrëveshje mes Tiranës e Athinës?

Marrëveshja detare, ishte rezultantja e gjithë ndrojtjes dhe kapjes që diplomacia shqiptare ka treguar ndaj asaj greke. Po. Ka shenja të rifillimit të negociatave nën rrogoz, dhe tashmë duhet të jemi të gjithë vigjilentë. Dhe që kjo të mos ndodhë, gjithë opinioni duhet të kërkojë që edhe në këtë çështje të fillojë të veprojë drejtësia, pasi të duash Shqipërinë, është një ndjenjë që nuk paguhet se e kemi për detyrë, por ta shesësh atë, është një krim, dënimit të të cilit nuk duhet t’i shpëtojë dot askush: në këtë jetë me burg, dhe në të përtejmen me përbuzje kombëtare.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu