Shërbimi Sekret Austro-Hungarez: Kryeministri Turhan Pasha, spiun rus

0
737

Në fillim të viteve Nëntëqind, kishte atashe ushtarakë të perandorisë pranë ambasadave të Berlinit, Sankt – Peterburgut, Parisit, Romës dhe Konstantinopojës, si dhe pranë legatave në Bukuresht dhe Beograd; disa vjet më vonë atashe do të gjejmë edhe pranë ambasadave në Londër, Tokio e Madrid, e pranë legatave në Sofie, Berlin, Stokholm, Athinë dhe Cetinjë: gjatë Luftës së parë botërore atashe ushtarakë u dërguan edhe në Teheran (v. 1915), Hagë (1916) dhe atashe të marinës në Konstantinopojë. Shpesh një nga selitë ishte pikë referimi edhe për shtetet e tjera kufitare: oficeri në detyrë në Konstantinopojë merrej edhe me Greqinë, Bullgarinë e Malin e Zi, ai i Tokios edhe me Kinën… Të gjithë këta atashe ushtarakë informacionet e tyre i dërgonin drejtpërdrejt në ministrinë e Luftës … Ka pasur kontradikta ndërmjet ministrisë së Jashtme, e cila nuk donte që raporteve të krerëve të misioneve, të cilat i dërgoheshin asaj ministrie, t’u shtoheshin edhe raportet e atasheve ushtarakë, në mënyrë që shefi i Shtabit të ushtrisë të mos njihej me problemet politike.
… Kontradikta ka pasur edhe për problemin e qyteteve të reja ku do dërgoheshin atashetë ushtarakë: që përpara Konradit (Franz Conrad von Hotzendorf, Shefi i Shtatmadhorisë), brenda Shtabit të përgjithshëm mendohej e nevojshme që t’i kushtohej një vëmendje më e madhe intrigave panslaviste në Ballkan, e për të bërë këtë, u nxitën për të dërguar atashe të tjerë pranë legatave në Sofie dhe Cetinjë. U arrit vetëm që atasheu ushtarak në Konstantinopojë të akreditohej edhe në Sofie, dhe se në vitin 1899 në legatën në Cetinjë u dërgua “një oficer në lirim i kamufluar si nëpunës i kancelarisë”. Në vitin 1903 u bë e mundur të imponohej atashe në Sofie, pastaj në Cetinjë, e vetëm në fund të gushtit të vitit 1912, pak përpara shpërthimit të luftës Ballkanike, mbërriti një atashe ushtarak i vërtetë. Shtatmadhoria e përgjithshme merrte njoftime të besueshme për situatën në Ballkan, përveç se nga pesë atashetë e saj në vend (çuar në gjashtë nga tetori i vitit 1912, me atë të Athinës), kryesisht nëpërmjet nëpunësve konsullorë që më parë kishin kryer shërbim si oficerë ose nëpunës ushtarakë. Përpara luftës nuk ishin pak dhe me kalimin e kohës ishin të pranishëm në konsullata të ndryshme: togeri në rezervë Rudolf von Ach i vendosur në Galac dhe Braila (Rumani); kapiteni Adolf Hoflehner në Shkup dhe Nish; kapiteni në rezervë Julius Ledinegg në Mitrovicë, Cetinjë, Beograd, Manastir dhe Tivar; oficeri i furnizimit Franz Veizzoli në Shkup; nënkoloneli Adolf von Zambaur në Shkodër.
Pas krizës së aneksimit të Bosnjës, për shërbimin e informacionit austriak u bë situata e vështirë …
… Edhe malazezët u bënë të ashpër me spiunët, arrestuan kolonelin baronin Hohenbuhel gjatë një inspektimi të kufirit dhe tërhoqën deri në Nikshiq togerin Milan Ulmanski, i cili po bënte rikonjicion”.
Përballë krizës së luftës në Ballkan që efektivisht po shpërthente, Evidenzebureau (Zyra e Evidencës) nuk u tregua në lartësinë e duhur. Në provincat perëndimore të perandorisë Otomane viti filloi duke u bërë i trazuar. Në pranverë pati një kryengritje të shqiptarëve kundër Portës së Lartë, pasuan episode të banditizmit në Maqedoni, Greqia po pajisej me një ushtri të organizuar dhe në Malin e Zi mbërritën, siç vërtetoi Evidnezebureau, armë dhe municione të ardhura nga Rusia dhe Italia.
Në Malin e Zi ende nuk kishte një atashe ushtarak, gjë që pati një efekt negativ të dukshëm, edhe se baroni Wladimir von Giesl kishte arritur të tërhiqte vëmendjen e Shtatmadhorisë për “rritjen e dukshme të incidenteve në kufirin turko – malazez” si dhe për mbërritjen në Cetinjë të një delegacioni të krerëve të fiseve shqiptare, që i kërkonin ndihmë mbretit Nikolla në luftën kundër turqve.
Turqia i drejtoi monarkisë (Austro – Hungarisë) një kërkesë urgjente për ndihmë. Pomiankovski dhe Pallavicini telegrafuan se vetëm një kërcënim i shpejtë dhe i vendosur për luftë ndaj Beogradit dhe Cetinjës, do mund të shpëtonte kolapsin e perandorisë otomane. Në fund Porta e Lartë i kërkoi austriakëve që të mbronin përsëri sanxhakun e Novi Pazarit, një demonstrim i qartë i mirënjohjes për ndihmën e dhënë. Vjena refuzoi. Në një sërë bisedimesh në tetor u vendos që do të kishte një ndërhyrje ushtarake vetëm nëse një fuqi tjetër do të dilte në bregun perëndimor të Adriatikut ose detit Jon. U deklaruan të gatshëm që të pranonin pushtimin e sanxhakut nga ana e Serbisë ose Malit të Zi. Për të thënë të vërtetën, kishin rënë dakord edhe për një shtet shqiptar autonom. Austro – Hungaria kishte një interes të madh për pjesën e Shqipërisë që ndodhej në perëndim të Maqedonisë. Që në vitin 1904 – Shqipëria do të bënte pjesë edhe për tetë vjet në perandorinë otomane – në Austri u botua një gramatikë dhe një fjalor shqiptar.
Një rast model: Shqipëria
Pas fitores së Serbisë dhe të Malit të Zi, të gjitha përpjekjet në Ballkan i drejtuan për likuidimin e planeve austriake në Shqipëri. Malazezët synonin në aneksimin e Shkodrës, serbët pretendonin Prizrenin shqiptar, pjesët shqiptare të Kosovës dhe natyrisht një dalje në Adriatik. “Serbët dhe malazezët veç të tjerave tentonin, me anë të akteve të mizorisë së madhe, të kthenin në favor të tyre situatën në zonat e pushtuara dhe ta bënin fakt të kryer”, një mënyrë për të vepruar që, siç e dimë, ende sot është aktuale në Ballkan. Me anë të ambasadorit të tyre në Vjenë, serbët bënë të ditur se këmbëngulnin për zotërimin e një porti në Adriatik. Austria nuk ishte aspak dakord, por – nga kompromiset e mëvonshme – u deklarua e gatshme që të pranonte përkatësinë e Gjakovës për Serbinë, me kusht që kasaphana të merrte fund. “Propozimi nuk dha asnjë fryt”. Shumë oficerë nga fillimi i vitit 1913 “në mes të rreziqeve të mëdha” përshkonin kryq e tërthor vendin, për të marrë informacione të dorës së parë, bëhej fjalë për nënkolonelin Karl Adrario, dhe të barabartë në gradë me të Bruno Thomas, Johann Hofmann dhe Franz Muhlhofer, e majorin Alexander Spaits von Mitrovicza.
Serbia tërhoqi përkohësisht trupat e saj nga Shqipëria vetëm në prill të vitit 1913, për shkak të afrimit të luftës së dytë ballkanike (dhe të kontradiktave me Bullgarinë për ndarjen e plaçkës). Një konferencë e ambasadorëve në Londër duhej të rregullonte përfundimisht çështjen e Shqipërisë. Nga presionet e Berchtold dhe të Italisë në dhjetor të vitit 1912 ishte vendosur krijimi i një principate autonome, edhe se Rusia donte që Shqipërinë e veriut t’ia jepte Serbisë dhe Malit të Zi, dhe Franca t’i jepte Greqisë pjesën e jugut. Por monarkia ishte kundër daljes së serbëve në Adriatik dhe Italia nuk donte që Vlora, shumë e lakmuar, të përfundonte në duart e grekëve. Me një fjalë, Vjena, edhe se e detyruar si të thuash nga palëvizshmëria, e dinte se ishte në të njëjtën barkë të perandorisë otomane: herë pas herë mundej t’i bënte ndonjë favor të vogël turqve, që mbroheshin me kurajën e dëshpërimit. Në mars të vitit 1913, në Adriatik u shfaq kryqëzori turk “Hamidie”, kishte fundosur shumë anije mallrash greke dhe u kishte shkaktuar shumë probleme malazezëve që ishin strehuar në Shkodër gjatë një furtune. Kryqëzori turk shumë shpejt do ta mbaronte qymyrin, e ky lajm, duke kaluar nëpërmjet ambasadës otomane mbërriti në veshët e Urbanskit, i cili mbante lidhje të mira me njohjet e vjetra turke që në kohën e Maqeodnisë. Ndërsa shefi i Shtatmadhorisë së përgjithshme “vështronte nga një anë tjetër” dhe duke lëvduar ministrinë e Jashtme, Urbanski veproi në mënyrë që “një anije e ngarkuar me qymyr, në një vend shumë të përcaktuar të Adriatikut, rastësisht u ndesh me kryqëzorin turk”, i cili po aq rastësisht ishte në gjendje të konfiskonte “gjahun e çmuar!”, pra qymyrin. Kur më 23 prill 1913 Shkodra, deri atëherë e mbrojtur nga turqit ra në dorë të malazezëve, konferenca e Londrës u shpreh kundër interesave të Malit të Zi, monarkia mobilizoi trupat gjatë kufirit dhe një formacion i flotës së katër fuqive – në të cilën me tre anije lufte dhe një kryqëzor ishte përfaqësuar edhe monarkia – bllokoi brigjet e Malit të Zi dhe të Shqipërisë, gjë që e shtyu mbretin Nikolla të lironte përsëri Shkodrën. Qyteti u pushtua nga një garnizon ndërkombëtar, me pjesëmarrje të madhe të ekuipazheve të anijeve austriake. Kontradikta ndërmjet Bullgarisë dhe Serbisë u zgjidh në verë të vitit 1913 në favor të Serbisë, pas së cilës ushtarët serbë, në kundërshtim me rezolutën e Londrës, u gjendën përsëri në Shqipëri.
Konradi zotëronte njoftime shumë të qarta të ardhura nga shërbimi i informacionit. Në një shkrim për ministrin e Jashtëm, kontin Berchtold, të 30 shtatorit, lexojmë: “Sipas informacioneve të besueshme, shuma e përgjithshme e forcave serbe të rreshtuara kundër Shqipërisë duhet të jenë 50.000 vetë, komandantëve me gjasë u është këshilluar që të sillen në mënyrë të ashpër dhe të kënaqshme, domethënë të djegin plotësisht fshatrat muslimane. Qëllimi i operacionit, pushtimi i Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit. Në rast se serbët do arrinin këtë objektiv, atëherë pa dyshim ne mund të sulmojmë me plot të drejtë. Unë besoj se, nga këndvështrimi ushtarak, është urgjente që përfaqësitë tona t’i kushtojnë vëmendje të veçantë përparimit të serbëve dhe të na informojnë hollësisht dhe me gatishmëri, në mënyrë që pastaj të mos kapemi në befasi nga ngjarjet. Për këtë arsye kërkoj që të më njoftohet nëse Serbia është paralajmëruar që e ka kaluar kufirin (me Shqipërinë)”. Më 18 tetor 1913 më në fund mbërriti demarshi urgjent për Serbinë, urdhri i fundit i Austrisë në Beograd, me qëllim që të lironin Shqipërinë, përpara se të procedonin me “hapat oportune”. Qeveria serbe, tepër e shkathët në vlerësimin e mundësive të saj, e kuptoi që situata ishte tejet e rrezikshme dhe u përshtat. Në veprimin e parë, megjithatë, loja e saj kishte pasur sukses të madh, me siguri do të kishte dhe një xhiro të dytë, sepse Rusia po përgatitej. “Pozicioni i ashpër i mbajtur nga Franca kundër Austro – Hungarisë në çështjen shqiptare demonstronte se Rusia nuk do të mbetej vetëm, në rast të një ndërhyrjeje të armatosur kundër monarkisë”.
Për të kontrolluar situatën dhe për të pasur një vizion të përgjithshëm, Konradi përsëri kishte dërguar dy oficerë të Shtatmadhorisë, Rosman dhe Ulmanski, për “operacione rikonjicioni”, të cilat ishin të ndaluara. Pastaj ia tregoi raportet e tyre ministrit të jashtëm Berchtold. Misionet e ndryshme të oficerëve kishin edhe qëllime të propagandës: duhej të vendosnin kontakte me personalitetet me autoritet dhe t’i kthenin që të kishin prirje Austrisë. Që në shtator të vitit 1913 Konradi për arsye sigurie, kishte riekzaminuar “përgatitjet konkrete” austriake për një luftë kundër Serbisë dhe aty kishte vendosur menjëherë trupat e pushtimit për Shqipërinë e veriut: “rreth tre brigada malore”, të marra nga korpusi III i fuqishëm. Në çështjen shqiptare Austria nuk ishte rreshtuar vetëm kundër Serbisë dhe Malit të Zi, i ishte kundërvënë dhe Italisë. Shqipëria ishte e vetmja mundësi për monarkinë që të fitonte diçka në këtë modifikim aq me humbje të gjendjes së Ballkanit, duke qenë se Italia kishte marrë Tripolin dhe Serbia praktikisht kishte dyfishuar territorin e saj në dëm të Turqisë. Një heqje dorë e plotë e Austrisë për interesat e saj në Ballkan, të cilat megjithatë ishin bërë mjaft modeste, me siguri do të thoshte që të mos vlerësohej më seriozisht, e pra të lejonte që perandoria e saj të copëtohej si ajo otomane. Zgjedhja më e mirë e monarkisë pra ishte që të mos dorëzohej. Në Shqipëri mbretëronte konfuzioni dhe anarkia. Monarkia, megjithë dëshirë, do të kishte dashur një shtet të pavarur nga fuqitë e tjera të mëdha, por e lidhur shumë ngushtë pas saj në planin ekonomik, kulturor dhe politik. Konferenca e Londrës kishte çuar në një kompromis të dyshimtë: territori i banuar nga shqiptarët ishte ndarë ndërmjet Malit të Zi, Greqisë dhe Serbisë, e cila megjithatë nuk kishte mundur të dilte në Adriatik. Një pjesë e Shqipërisë duhej të bëhej principatë otomane e qeverisur nga princi gjerman Vilhelm fon Vid (Ëilhelm von Ëied), të cilit i ishte ofruar kurora e vendit nga një delegacion i udhëhequr nga Esad pasha. Një hua ndërkombëtare që arrinte në 75 milionë franka, që përfshinte dhe një kuotë austriake, duhej të mbulonte shpenzimet e para për krijimin e një shteti të ri. Princi filloi nga detyra në maj të vitit 1914, e do të qëndronte në postin e tij vetëm deri në shtator të atij viti. Konradi nxiste për krijimin e një ushtrie të vogël shqiptare dhe një të trupe policie, të vënë nën influencën e madhe të monarkisë. Në shkurt të vitit 1914 filluan kurset e gjuhës shqipe për oficerët austriakë.
Interesi i monarkisë për këtë vend solli edhe një impenjim të përshtatshëm të shërbimit të informacionit, i cili veç të tjerave ishte i domosdoshëm në kaosin e forcave që i kundërviheshin njëra tjetrës, nëse nuk donte të humbiste terren. Italia synonte në mënyrë të veçantë Vlorën, portin e Adriatikut përballë Otrantos. Një inxhinier i ardhur nga Shkodra dha informacione për zellin e diplomatëve italianë në Shqipëri, që “shtypnin” austriakët. Ndër të tjera, myslimanët morën pozicion kundër princit Vid: partia e Xhonturqve në fakt mbështeste një kandidat të saj për fronin, për të cilin atasheu ushtarak (austriak) në Kon-stantinopojë jepte informacione mjaft të sakta. Konradi azhurnohej me situatën vazhdimisht nga të gjitha burimet e mundshme, deri sa princi vetë në shkurt 1914, ende përpara se të hipte në fronin shqiptar, mbërriti për vizitë në Vjenë.
Konradi u mundua shumë që personat e duhur të arrinin të ushtronin një farë influence te princi: i dha udhëzime kolonelit Mietzi, i cili ishte vënë në krah të princit për qëndrimin në Vjenë, që të bënte në mënyrë që fon Vidi të kërkonte dërgimin në Shqipëri të një misioni ushtarak austriak me oficerë në gjendje të stërvitin ushtrinë, dhe nga ana tjetër të pranonte ndër njerëzit e tij të besuar kapitenin fon Clanner, që fliste shumë mirë italisht dhe “pak” shqip dhe e njihte Shqipërinë. Si atashe ushtarak për Shqipërinë, Konradi kishte menduar nënkolonelin fon Lerch. Telegramet e atasheut ushtarak në Cetinjë dhe disa vizita nga ana e personave të besuar nga Mali i Zi e kishin bërë të kuptonte se malazezët do kishin dashur të ndërhynin ushtarakisht në Shqipëri, dhe se në çdo rast Hoti dhe Gruda, fise shqiptare të veriut, territoret e të cilëve i ishin dhënë Malit të Zi, do të dërgonin te mbreti Nikolla deklaratë për besnikëri; por mbreti ishte përsëri nën presionin e fraksioneve dominuese filoserbe, që donin aneksimin e vendit për Serbinë. Konradi e përmblodhi kështu situatën: “Para së gjithash duhet pritur, por duke impenjuar në maksimum shërbimin e informacionit diplomatik e ushtarak…”, duke kërkuar njëkohësisht një marrëveshje të menjëhershme me partnerët e Aleancës Tripalëshe, duke kontrolluar “masat për mobilizimin”, duke thirrur njerëzit në rezervë.
Konradi i vuri veshin zërave sipas të cilave Mali i Zi mund të pushtonte përsëri Shqipërinë, edhe sepse Rusia mund ta përdorte këtë pretekst për të filluar një luftë të madhe: “shkrepsja me të cilën Rusia do donte të ndizte luftën e madhe” – është shprehja e Konradit.
Atasheu ushtarak në Romë, konti Szeptycki, informoi se Esad pasha kishte mbërritur për vizitë në kryeqytetin italian dhe se italianët po e përkëdhelnin shumë. Veç të tjerave, ishte rreziku që princi fon Vid të mos e caktonte rezidencën e tij në Durrës, por të “vendosej” në Tiranë, në kështjellën e Esad pashës “duke rënë në këtë mënyrë krejtësisht nën influencën e tij”, e në veçanti nën pushtetin e tij. (Por në fund princi qëndroi në Durrës). Raportonte ndër të tjera se Syrja beu, që mund të konsiderohej i vetmi mik i vërtetë i Austrisë, nga ana e tij kishte qenë në Romë ku kishte kërkuar të ndërhynte në favor të tij për Esad pashën, dhe mbi të gjitha i kishte dhënë një shumë të madhe të hollash, duke e regjistruar në emër të tij gjysmën e kështjellës së Tiranës.
Në bazë të indikacioneve të oficerëve që ishin marrë me rikonjicionin, Konradi i dha shefit të Evidenzebureau detyrën që të siguronte fshehurazi 50.000 pushkë, sepse ai që ishte në gjëndje të jepte armë, mund të ushtronte influencën e tij te trungjet etnike të Shqipërisë. Nga një kërkesë diskrete për ministrinë e Luftës rezultoi se monarkia nuk zotëronte inventare të mjaftueshme për nevojat. Urbanski, duke lënë të kuptohej se ministria e Jashtme nuk duhej të dinte gjë, iu drejtua Moltkes i cili nga ana e tij, me rastin e një feste, kërkesën jo zyrtare të miqve austriakë ia çoi perandorit Gulielm II: ky dha placet (miratimin) e tij. Menjëherë u vunë në dispozicion të Konradit, për politikën e tij në Shqipëri, 50.000 pushkë të vjetra Mauser të ardhura nga inventari i fortesës së Spandaut. Më 28 shkurt Konradit i bëri vizitë Prenk Bib Doda, kryetar i fisit katolik të Mirditës, i cili nuk ishte ndër aleatët e Esad pashës; Konradi kërkoi të tërhiqte vëmendjen e politikës së jashtme austriake te ky person.
Më 5 mars 1914 princi fon Vid, i nisur nga baza e jahteve të Triestes në bordin e S.M.S. Taurus, që mbante një flamur bardhë e kuq, dhe i shoqëruar nga anije lufte të të gjitha shteteve, zbarkoi në Durrës ku u prit nga Esad pasha në emër të popullsisë. Njëkohësisht, një farë Zorographos shpalli pavarësinë e pjesës veriore të Epirit, rajon ndërmjet Greqisë dhe Shqipërisë që grekët duhej ta lironin duke qenë se i ishte dhënë Shqipërisë. “Nuk ishte e vështirë të shikoje synimin për të futur përsëri në këtë mënyrë territoret e përmendura nën kontrollin e Greqisë”. Konradi këshilloi të dërgonin mitralozë me instruktorë dhe pushkë “për të mbytur kryengritjen që në lindje”. Turhan pashai u emërua kryeministër i Shqipërisë dhe atasheu ushtarak i Konstantinopojës, Pomiankowski, dërgoi menjëherë një skedë personale të tij: kishte qenë governator i përgjithshëm turk në Kretë dhe prej dhjetë vjetësh ishte ambasador i Turqisë në Peterburg. “Mësova nga burime të sigurta se që atëherë Turhan është në shërbim të rusëve, dhe kjo është shumë e njohur për Portën … është e qartë se ky kryeministër në Shqipëri nuk i përgjigjet interesave të monarkisë sonë”.
Rasti i Shqipërisë është i denjë që të kujtohet pikërisht sepse nxjerr në dritë, në mënyrë thuajse ekzemplare, kryqëzimin e interesave ekonomike dhe strategjiko-ushtarake me veprimtaritë e shërbimeve sekrete: një avantazh i ndjeshëm në grumbullimin e informacioneve, nuk do të thoshte edhe se ishte e mundur të vendosje në planin politik masat që rridhnin. Konradi drejtoi me vendosmëri projektin shqiptar, por nuk u ndje i mbështetur në mënyrë të përshtatshme nga udhëheqja politike, bile në këtë periudhë kishte të bënte edhe hesapet me një diskutim për largim nga detyra. “Nuk do të habitesh kurrë – i shkruante Konradi Berchtoldit – se si monarkia, që ka paguar një çmim shumë të lartë, kur pastaj u bë fjalë për të ushtruar vërtet influencën e saj, mbeti në plan të dytë dhe braktisi gjithçka në duart e shteteve të tjera”. Në realitet monarkia, të paktën në artileri, ishte një hap para të gjithëve: i kishte kërkuar fabrikës Skoda tre bateri malore të cilat, të shoqëruara nga dy oficerë të artilerisë dhe një mekanik, ishin dorëzuar dhe pastaj vënë në veprim nën urdhrat e komandantit Klingspor.
Shtatmadhoria e përgjithshme, që po kooperonte me Italinë, mendonte se misioni ushtarak që duhej të dërgohej në Shqipëri duhej të përbëhej në pjesë të barabarta nga austriakë dhe italianë; oficerët austriakë do të merreshin me stërvitjen e këmbësorisë, italianët me atë të armëve të tjera. Konsulli i përgjithshëm i ministrisë së Jashtme, fon Rappaport, informoi Konradin se “po zhvilloheshin manovra” që kishin si qëllim dërgimin në Shqipëri të oficerëve rumunë. Monarkia nuk e shihte me sy të mirë, duke qenë se Rumanisë nuk mund t’i zihej besë dhe nuk mund të konsiderohej më një aleate. Lidhja e ngushtë farefisnore që bashkonte princin (Vidin)me derën mbretërore rumune, sigurisht nuk ishte një avantazh. Formimi dhe komanda e xhandarmërisë, për zemërimin e Konradit, i ishin dhënë oficerëve holandezë. Ai i kishte deklaruar princit se një nga holandezët e caktuar për të ndjekur xhandarmërinë, një farë Thomsen, “ishte kundër interesave austro – hungareze”. Sikur të mos mjaftonte, ndërkohë italianët kishin dërguar në Shqipëri një major i cili ishte bërë nënshtetas shqiptar. Shefi i misionit të huaj, koloneli britanik Phillips, bashkëpunonte me italianët, dhe nga një raport i kapitenit austriak Cvitkovic, me qëndrim në Shqipëri, u mësua se donte të merrte emërimin si guvernator i Shqipërisë veriore dhe t’i besohej ushtria shqiptare. Ndërkohë ishte vendosur në Durrës si legat (ambasador) fon Loëenthal, që siguronte informacione më të sakta për intrigat e Esad pashës. Raporte të tjera shumë të rëndësishme dërgoheshin edhe nga kapiteni fon Clanner, që tashmë ndodhej në vend: ishte ai që tërhoqi vëmendjen për kontaktet shumë të shpeshta të oficerëve italianë me ministrat shqiptarë (kapiteni Fineschi me Turhan pashën) dhe përpjekja për puç e Esad pashës. Ky i fundit, i emëruar ministër i Luftës, ndërkohë kishte nxitur një revoltë të shqiptarëve myslimanë kundër princit fon Vid, e para e një serie të gjatë, dhe kishte kërkuar të merrte postin e princit. Në Vjenë mendohej se ai lëvizte “në vazhdën e italianëve” dhe ishte i “korruptuar” prej tyre. Esad pasha u arrestua dhe u çua në Itali. Një “komision kontrolli” evropian duhej të qetësonte “irritimin” në vend dhe si “zëdhënës” të tij ishte zgjedhur një konsull i përgjithshëm i monarkisë. Situata e princit ishte gjithnjë e më shumë pa rrugëdalje. Shqipëria qendrore ishte në duart e myslimanëve në revoltë, ajo e jugut ishte në duart e epirotëve, edhe ata në revoltë. Ministri i Jashtëm i sapo emëruar, Prenk Bib Doda, sipas mendimit të Evidenzebureau po përpiqej për një ndarje të vendit, nga e cila shpresonte të “merrte” pjesën veriore, domethënë zona e fundit në të cilën pushteti i princit kishte vlerë.
… Një nga ekspertët e çështjes shqiptare, nënkoloneli Spaits von Mitrovicza do të tentonte, duke u nisur nga Shqipëria dhe me një kontigjent të parregullt të rekrutuar atje, që të godiste Serbinë në krah: për këtë qëllim u dërgua në Kastelnuovo një furnizim me armë, që pastaj duhej të nisej për në Shqipëri nën kujdesin e nënkolonelit. Pas disa vështirësive, operacioni doli me sukses që në gusht, por Italia e mori vesh këtë dhe kërkonte pezullimin përfundimtar të transportit. Ministria e Jashtme pranoi menjëherë, “për të shmangur komplikimet në këtë moment kritik”. Përpjekjet e nënkolonelit çdo ditë bëheshin më të kota, duke parë anarkinë që kishte marrë dhenë në Shqipëri. Aq sa kjo punë, në tetor, u ndërpre pa sukses. Duket se Spaits kishte qëndruar në vend me emrin e rremë Simic, tregtar, pastaj u fut në burg dhe në këtë rast pasaporta e tij e rreme i hyri shumë në punë. Në fund, në janar të vitit 1917, në rastin e transportit të të internuarve civilë, Spaits u çua në Zvicër nga francezët. Këtu, nëpërmjet atasheut ushtarak von Einem, u fut në një organizatë që ndihmonte robërit austriakë të luftës, të cilët kishin qenë aktivë në shërbimin e informacionit, ku si ekspert u mor me të gjitha problemet e lidhura me vendet sllave të jugut: nga survejimi i të mërguarve armiq të monarkisë, te drejtimi i agjentëve sllavë jugorë deri në asistencën e robërve.
… Kur Italia u fut në luftë, Antanta këmbënguli shumë që Serbia të sulmonte njëkohësisht; Serbia, përkundrazi, ndjehej e frikësuar nga prania e madhe e prusianëve në frontin me Austrinë dhe e interpretoi thirrjen në sensin që një futje në Shqipëri, mund të shërbente si shpërblim për Dalmacinë, e cila, për zhgënjimin e madh të tyre, në paktin e Londrës i ishte premtuar Italisë. Malazezët edhe njëherë u vendosën në Shkodër, shumë e lakmuar prej tyre; kjo provokoi largimin e konsullit vendas të përgjithshëm dhe të konsullit Halla, e pra humbjen e një burimi shumë të mirë informacioni.
… Ndër të tjera Vjena dhe Roma merreshin vesh kur e konsideronin të domosdoshëm krijimin e një Shqipërie të “pavarur”, edhe se në realitet ende nuk ishte i qartë problemi se cili nga të dy palët do të merrte detyrën për të mbrojtur në mënyrë të vendosur këtë pavarësi. Oficerët dhe ekuipazhet e të dy flotave dhe të dy misioneve ushtarake në Shqipëri, për çdo rast vepronin në marrëveshje të përbashkët, e bashkëpunimi favorizohej edhe nga fakti se mëkëmbësi i përgjithshëm Antonio Pollio, shefi i Shtatmadhorisë italiane, ishte një mbështetës i zjarrtë i Aleancës Tripalëshe.
… Për të arritur që të shqyrtojnë më shpejt njoftimet e shumta të interceptuara në shkëmbimin Itali – Shqipëri (deshifrimi nga Marburgu, i futur më vonë, doli shumë i gjatë), Andreas Figl u dërgua në Kotorr për të ndërtuar në vend një tjetër post deshifrimi për lëvizjet e italianëve në Shqipëri. Pika interceptimi në frontin maqedon ishin stacionet e radios në terren Nr 28 (Tiranë), 29 (Shkodër) dhe 30 (Gjakovë). Në stacionin e Shkodrës merreshin me shifrat e marinës italiane, duke plotësuar kështu shërbimin e pikës së deshifrimit në Pula. Stacionet austriake në Shqipëri kapnin edhe njoftimet e stacioneve të radiove në terren serbe dhe franceze për këtë front.
… Gjatë përparimit në Serbi, mjetet kryesore të informacionit ishin deklaratat e robërve dhe njoftimet e dhëna nga aviatorët. Megjithatë, në dhjetor mesazhet italiane të radiove zbuluan se aleatët nuk do i linin repartet e ushtrisë serbe të arrinin as në Selanik dhe as në Vlorë, të cilët po iknin drejt bregdetit nëpërmjet maleve të pakalueshme të Malit të Zi dhe të Shqipërisë, por do t’i grumbullonin në zonën e Shkodrës. Në këtë mënyrë, dukej ekzistonte mundësia për të rekuperuar dhe ndaluar edhe pjesën tjetër të ushtrisë, që me dëshpërim synonte drejt porteve të Adriatikut.
.. Pas pushtimit të Malit të Zi (janar 1916) dhe futjes në Shqipëri (shkurt – maj 1916) kapiteni Figl organizoi një pikë deshifrimi në Shkodër. Gjatë operacioneve të shkurtit të vitit 1916, që arritën një sukses vendimtar, me synim për të rrethuar qytetin shqiptar të Durrësit i cili ishte pushtuar nga italianët, një mesazh radioje i një gjenerali italian kishte bërë të ditur në mënyrë të saktë efektivat e armikut brenda qytetit (12.000 italianë e serbë me 20 topa), se austriakët ishin gati për të sulmuar drejtpërdrejt me forca saktësisht më inferiore (4.000 vetë dhe 4 topa). Natyrisht, sulmi nuk u bë, aq më shumë që mesazhe të tjera të armikut njoftuan se ishin gati duke e liruar qytetin. Që nga 1 korriku i vitit 1916 shërbimi i interceptimit në pjesën jugperëndimore të gadishullit ballkanik u ushtrua sistematikisht nga stacionet e radiove në terren nr 28 (Tiranë), 29 (Shkodër) dhe 30 (Gjakovë). Këto stacione kapnin, përveç transmetimeve të radiove italiane, edhe ato të radiove serbe dhe franceze në terren. Telegramet serbe ishin shumë të thjeshtë për t’u interpretuar; ndërsa francezët në këtë periudhë përdornin shifra të komplikuara, të tre tipeve të ndryshme: dy u zgjidhën nga deshifruesit gjermanë dhe një nga ata austriakë.
Nga vera e vitit 1918, situata në Ballkan precipitoi me shpejtësi: Bullgaria – yjësitë politike brenda vendit ndryshonin negativisht – u bë e pabesueshme dhe filloi të pengojë organet e shërbimit të informacionit të monarkisë në Shqipëri, ku interesat bullgare ndesheshin me ato austriake. Një fazë e fundit e konsolidimit u bë kur përparimi italo – francez, nga prilli në qershor 1918 në frontin shqiptar, u thye nga kundërsulmi i gjeneralit të korparmatës von Pflanzer-Baltin. Veç të tjerave, njerëzve të spiunazhit të radios, që gjatë tërheqjes përballë sulmit armik, i kishte rënë në dorë një çelës shifrar italian shumë i përdorur kohët e fundit, në sajë të të cilit u bë e mundur të dëgjohej urdhri italian i tërheqjes i transmetuar me radio. Gjatë kundërsulmit austriak në Shqipëri, “Austrosud” kishte vepruar në mënyrë të shkëlqyer dhe kishte dorëzuar në komandë materiale me rëndësi të madhe. “Shefi i shtatmadhorisë së përgjithshme, Arz, i shprehu mirënjohjen e tij të gjithë pjesëmarrësve. Pas shpartallimit në shtator, të frontit gjermano-bullgar në Maqedoni, edhe fronti austriak në Shqipëri dhe Serbi nuk mbahej më dhe ishte e nevojshme të ndërmerrje një tërheqje të përgjithshme nëpërmes territoreve të pushtuara, të tronditura nga rebelimet. Shërbimi i informacionit në përgjithësi dhe shërbimi i interceptimeve të radios dhe deshifrimit në veçanti “kryen detyrën e tyre deri në çastin e fundit”, por pa bërë gjë tjetër veçse regjistruan katastrofën që po vinte. Sidoqoftë, u bë e mundur të grumbulloheshin njoftime të vlefshme për tërheqjen nëpërmes Shqipërisë dhe trupat e Pflanzer, që duhej të vepronin vetë, në sajë të njoftimeve të interceptuara mësuan për armëpushimin e ardhshëm. “Austrosud” i tërhoqi grupet e veta të radios deri në Sarajevë dhe në Ujvidek, në territoret e monarkisë, ku mbërritën edhe komandat e frontit të radiove.
Sukseset e para të mëdha të austriakëve në fushën e deshifrimit kundër Italisë ishin “fitime” të ndryshme: nga 1912 deri në 1914 Evidenzebureau arriti të shtjerë në dorë disa çelësa të shifrarëve italianë si ai i “shifrarit të kuq” … ai i “Mengarini”, që mund ta blije edhe në libraritë por që megjithatë trupat italiane e përdornin për komunikim në Shqipëri …
Nga fundi i dhjetorit 1915, si rezultat i përpjekjeve, u bë e mundur të lexoheshin shumë telegrame me përmbajtje mjaft interesante të shkëmbyera ndërmjet Romës e Sankt-Peterburgut dhe ndërmjet Italisë e Ballkanit. (Mesazhet e përfaqësuesit italian në Sankt-Peterburg, markezit Carlotti, përmbanin indikacione për situatën politike dhe ushtarake ruse. Merreshin me Ballkanin, veçanërisht komunikimet ndërmjet Udines, selia e Trupës Speciale italiane, dhe trupës speciale italiane në Shqipëri, dhe ajo ndërmjet ministrisë së Jashtme italiane dhe legatit për Serbinë (nëpërmjet Sankt-Peterburgu), dhe ato ndërmjet legatit për Malin e Zi në Cetinjë dhe konsullit në Shkodër).
Udhëheqja e frontit të radios “Austrosud”, krijuar në 1918 në frontin shqiptaro – maqedonas, përveç çelësave anglezë dhe francezë merrej edhe me deshifrimin e mesazheve të marinës italiane, duke qenë se grupi i shifrës dhe evidencës i marinës në Pula, në vitin e fundit të luftës kishte pasur shumë vështirësi për të deshifruar mesazhet e marinës italiane.
*Përktheu nga origjinali italisht Vladimir Bregu

(er.nu/Milosao/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu