Shifra zyrtare: Rreth njëmijë qytetarë të Prishtinës në ditë “përgatiten” të ikin jashtë vendit!

0
697

Autobuset nga prishtina per Hungari

Komuna e Prishtinës njofton se numri i certifikatave të cilat lëshohen brenda ditës në shërbimin e gjendjes civile në Komunën e Prishtinës,- përfshirë edhe Bashkësitë Lokale – arrin mesatarisht në 1.400 në ditë, shumica e të cilave lëshohen për banorët e Komunës së Prishtinës.

“Mesatarisht, gjatë ditës në Bashkësinë Lokale në Ulpianë lëshohen 200 certifikata, në Bashkësinë Lokale në Dardani 100 certifikata, në Bashkësinë Lokale te Xhamia e Llapit 140 certifikata, në Bashkësinë Lokale në Taslixhe 60 certifikata, ndërsa në objektin e Komunës së Prishtinës 900 certifikata”, thuhet në një njoftim të Komunës së Prishtinës.

“Shikuar në përqindje, 60-70 për qind e këtyre dokumenteve janë certifikata që qytetaret duhet t’i nxjerrin në rastet e udhëtimit jashtë vendit. Këtë më së miri e shpjegon fakti se shumica e prindërve në rastet kur i kërkojnë certifikatat për fëmijët e tyre, kërkojnë që edhe fotografia e fëmijës së tyre të jetë e bashkëngjitur”, thuhet në një njoftim të Komunës së Prishtinës.

Përndryshe, certifikata në të cilën është e bashkëngjitur fotografia ua mundëson fëmijëve që pa problem ta kalojnë kufirin me Serbinë.

Sipas njoftimit, shumë qytetarë që pajisen me certifikatë, vetëdeklarohen në sportele se ky dokument iu nevojitet për udhëtim.

Ikjet masive, s’kanë të ndaluar: Qoftë maleve apo arave, kudo, vetëm jo në Kosovë! (Video)

Nuk kanë të ndalur ikjet masive të qytetarëve të Kosovës drejt shteteve evropiane. Numri i kosovarëve që kërkojnë të largohen nga shteti, është aq i madh saqë edhe në orët e paradites të shumtë janë ata që presin në radhë për të siguruar një biletë autobusi deri në Beograd, e për të vazhduar pastaj rrugëve ilegale në Hungari e përtej.

Top Channel ka bërë një vëzhgim në stacionin e autobusëve në Prishtinë, nga ku bëhen nisjet. Të rinjtë që prisnin atje kanë treguar jashtë kamerave se me vetëm 400 euro mund të mbërrijnë deri në Austri.

Qytetari: Një shoku im ka ikur në Austri. Në Facebook fola me të dhe më tha se është në Austri duke pritur disa djem të xhaxhait që ta merrnin. Më tregoi se 400 euro i ka kushtuar të shkojë deri në Austri. 400 euro është falas.

Nisjen e organizojnë edhe autobusë jashtë stacionit.

Shitësi ilegal biletave: Mi jep këtu biletat… Sa do? 6? Sadri, m’i jep këtu biletat.

Qytetarja: Nga sa kushtojnë?

Shitësi: Aq sa kushton në sportel, as më shumë e as më pak.

Qytetarja: 16 euro kushton.

Shitësi: Në rregull.

Qytetari tjetër: A mund të m’i japësh edhe mua dy bileta?

Të rinjtë që po largohen nga Kosova thonë se nuk po shohin perspektivë në vendlindje, prandaj po kërkojnë një jetë më të mirë jashtë shtetit.

“Dua të nisem për në Gjermani, ngado që të mundem, qoftë maleve apo arave… Nga Beogradi do të shkojmë në Suboticë, e pastaj në Hungari, prej aty nga të mundemi. Ka shumë arsye që po largohemi, es kurrfarë perspektive nuk ka këtu. Qeveria është shumë dobët. Po iki me familjen, me dy fëmijët dhe me bashkëshorten”, rrëfen Kadri Krasniqi.

“Arsyeja e largimit është papunësia. Lidhje nuk kemi gjetur, por do të vrapojmë sa të mundemi për t’u shpëtuar policisë. Do të nisemi diku me 12 shokë”, thotë Armend Mustafa.

Por, Kadriu dhe Armendi kanë edhe arsye të kundërta politike për largimin e tyre.

Kadriu: Sa ka qenë Hashim Thaçi në Qeveri, edhe pa para të më nisnin nuk do ikja. Ai na ka ndihmuar shumë.

Armendi: Arsyeja është papunësia. Thaçi e hëngri krejt Kosovën. Edhe Mitrovicën e shiti.

Çdo mbrëmje, nga Kosova drejt Serbisë nisen nga 10 deri në 15 autobusë, nga qytete të ndryshme. Një marrëveshje për lirinë e lëvizjes mes Kosovës dhe Serbisë u mundëson kosovarëve që të udhëtojnë vetëm me letërnjoftim nëpër shtetin serb. Më pas, ata lehtësisht kalojnë kufirin, ilegalisht, për në Hungari.

Për këtë çështje, Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga autoritetet në Bruksel, që t’ia tërheqin vëmendjen Serbisë.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga muaji shtator deri në fund të këtij muaji, rreth 40 mijë kosovarë janë larguar nga vendi, ndërsa numri i të kthyerve brenda vitit 2014 është pesëmijë.

Në bazë të konventave për të drejtat e njeriut, shtetet ku kosovarët po kërkojnë azil janë të detyruar t’i trajtojnë kërkesat e tyre dhe procedura të tilla zgjasin deri në një vit. Gjatë kësaj kohe, ata që largohen më së shumti jetojnë nëpër kampe. /Top Channel/

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=Rb8agP67oW4″ width=”560″ height=”315″]

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu