SHIK-u përballë SIA-s në Ferizaj!

0
808

Ferizaj në këto zgjedhje të jashtëzakonshme futet jo vetëm fizikisht i degraduar, por edhe shpirtërisht, sepse, ndër të tjera, kultura e banimit nënkupton këtë. Ndryshe zgjedhjet në Ferizaj do të jenë një test i mirë për zgjedhjet e rregullta që na presin në nivel të Kosovës

Përkundër spekulimeve në disa media se tashmë dihen kandidatët për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në komunën e Ferizajt, për të zgjedhur njeriun e parë të kësaj komune, në fakt ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar për këtë. Në anën tjetër lirisht mund të thuhet se ka shumë kohë që çarshia nuk diskuton ndonjë alternativë tjetër, pos asaj se PDK-ja, partia që udhëheq me pushtetin lokal, do të ketë si kandidat të vetin Ilmi Reçicën, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës, të njohur si njeri i grupit më të ngushtë udhëheqës të SHIK-ut (Shërbimit Informativ të Kosovës), ndërsa LDK-ja, partia më e madhe opozitare, do të ketë kryetarin e Degës, përkatësisht Adem Salihajn, i njohur gjithashtu si njëri nga udhëheqësit e SIA-s (Sigurimi i Atdheut). Pavarësisht nëse do të përballen përnjëmend këta dy tipa apo jo, gjë për të cilën unë shumë dyshoj, gara për kryetarin e komunës së Ferizajt edhe ashtu do të zhvillohet në këtë frymë. Kjo për faktin se Reçica, një politikan në ngritje, është personi më me ndikim në Degën e PDK-së, sikundër që Salihaj, një politikan në përpjekje për kthimin e fuqisë, është në atë të LDK-së. Në këtë pikë çarshia e Ferizajt ka të drejtë që ka legjitimuar këta të dy si kandidat të mundshëm, qoftë edhe në nivel diskutimi dhe mbase përfoljeje, konform logjikës dominuese në hapësirat tona të informimit publik dhe jopublik.

Bazuar në leksikun dominues të shkrimeve dhe komentimeve që kohëve të fundit është bërë identifikues për një luftë të ashpër në nxjerrjen e të palarave të njëri-tjetrit, fushata elektorale në komunën e Ferizajt nuk mund të zhvillohet përtej kësaj skeme leksikore. Kjo gjë bëhet e dukshme edhe nëpër diskutimet e kafeneve, përkatësisht salloneve të popullit, të cilat politikanët tanë provojnë t’i shohin si diçka primitive karshi improvizimeve të debateve institucionale. Sigurisht që në këtë fushatë gjuha e Bllacës, Kelmendit dhe Dakës do të jetë dominuese, pavarësisht përpjekjeve të mundshme për ta fshehur atë nga publiku. Bazuar në këtë, del se, në një mënyrë, në Komunën e Ferizajt, në këto zgjedhje të jashtëzakonshme, do të përballen dy shërbime informative, përkatësisht SHIK-u dhe SIA.

Për më keq kjo gjë bën edhe një dëshmi se tashmë është ngushtuar tej mase hapësira për alternativa të reja. Edhe për më keq, shoqëria civile në këtë qytet, e cila ishte më e organizuara në nivel të Kosovës, tash nuk mund të jetë më shumë se pjesë e këtyre sehirxhinjve që kanë humbur vullnetin për t’u ngritur nga karrigia e kafenesë dhe për të shkuar deri tek kutia e votimit. Iniciativat qytetare në këtë qytet u dogjën nëpërmjet subjekteve politike fantome siç ishin ORA dhe FER-i. Tash kanë mbetur vetëm militantët partiak ata që do të përcaktojnë fatin tonë të udhëheqjes politike.

Sigurisht që kësaj klime i ka kontribuar edhe mungesa e vullnetit të kryetarit të Komunës, Bajrush Xhemaili, për të ofruar një dorëheqje menjëherë pas aksidentit të ndodhur. Xhemaili bëri keq që mori edhe mandatin e dytë të kryetarit, ndërsa ishte i vetëdijshëm se po e priste një gjykim moral dhe institucional. Ai e dinte se jo vetëm brenda opozitës, por edhe brenda partisë së tij po bëheshin kalkulime të shumta për zëvendësimin e tij. Ai mandatin e dytë e mbajti nën këtë presion. Kur këtij presioni i shtohet edhe ai publik dhe ai i medieve, që në të shumtën e rasteve kanë keqinterpretuar një deklaratë të tij shumë të sinqertë para aksidentit, zvarritja e dorëheqjes së tij nga posti i njeriut të parë të komunës nuk u ka shërbyer bashkëqytetarëve të tij, përkundrazi. Duket Xhemaili u bë viktimë e moralit të dyfishtë edhe nga njerëzit e tij që e përkrahën dhe e joshën për mandatin e dytë, por edhe e kundërshtarëve të tij të drejtpërdrejtë që gjatë fushatës elektorale asnjëherë nuk ia përmendën këtë rast, i cili për të përbënte thembrën e Akilit!

Ndryshe Bajrush Xhemaili ishte i vetmi politikan që kishte marrë vota të konsiderueshme të qytetarëve edhe jashtë subjektit të tij. Ai iku me një dorëheqje shumë të vonuar pasi realizoi një nga synimet që i kishte vënë vetes kur mori këtë post; krijoi hapësira të gjelbra publike të cilat i kishte premtuar. Por në anën tjetër, përkundër që u shfaq si bager në rrënimin e objekteve në hapësirat publike, iku duke qenë i pafuqishëm në ndaljen e ndërtimeve të egra, për çka qyteti i Ferizajt mund të merret për shembull të keq jo vetëm në nivel Kosove, por edhe më gjerë. Xhemaili nuk pati forcë t’i ndalë këto ndërtime që morën hov nga koha e Adem Salihajt, e për çka shoqëria civile ka akuzuar se ky ishte investimi më i dukshëm i mafisë prej betoni.

Kështu Ferizaj në këto zgjedhje të jashtëzakonshme futet jo vetëm fizikisht i degraduar, por edhe shpirtërisht, sepse, ndër të tjera, kultura e banimit nënkupton këtë. Ndryshe zgjedhjet në Ferizaj do të jenë një test i mirë për zgjedhjet e rregullta që na presin në nivel të Kosovës. Jo vetëm që partitë do të testojnë forcën e tyre me këtë rast, por edhe statistikat tjera që prodhojnë këto zgjedhje do të kenë shumë rëndësi për të shprehur indikacionet e nevojshme për zgjedhjet që na presin.

 

Nga, Bardh Frangu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu