Shinasi Rama: Të ardhmen tonë s’do e ndërtojnë kinezët, por ne

0
1023

Shqipëria nuk duhet të përfundojë si Haiti, e për këtë asaj i duhet një projekt i ri, për një demokraci të re, e kjo do të vijë vetëm nga vetë shoqëria shqiptare dhe nga asnjë faktor tjetër i jashtëm. Ky ishte përfundimi i asaj që kërkuan pjesëmarrësit në promovimin e librit “Përrallat e tranzicionit shqiptar” të Shinasi Ramës, njërit prej personazheve dhe figurave të rëndësishme të Lëvizjes Dhjetori ’90. Në hotel “Tirana”, ai kishte mbledhur rreth një tryeze aktivistë të atyre ditëve, politikanë dhe analistë të politikës së ditës. Aleksandër Meksi, Gaz-mend Oketa, Rexhep Uka, Edvin Shvarc, Afrim Krasniqi, Rudolf Marku, Preç Zogaj, Remzi Lani e Myftar Gjana folën rreth këtij libri, që siç u tha në këtë aktivitet, plotëson boshllëkun e shkencës politike në vend. Shinasi Rama bëri një përmbledhje të librit prej 500 faqesh, ku ai ka bërë analizën e shoqërisë shqiptare, apo siç u shpreh ai, “të njohjes së vetes”, për periudhën e gjatë të tranzicionit që po kalon vendi dhe vetë shoqëria që nga 1990-ta. “Shteti shqiptar, vetë shoqëria është e kapur. Lufta më e egër është ajo mes njëri-tjetrit. Shoqëria është e mbështetur mbi krimin, mbi mosrespektimin e ligjit. Është i vetmi vend që ka 450 ndërtime pa leje dhe i vetmi vend ku kryeministri i nxit këto ndërtime”, – u shpreh Rama në fjalën e tij. Sipas tij, e vetmja shpresë e shqiptarëve është të ikin jashtë vendit, pasi ndërsa para 1990-ës ekzistonte diktatura e proletariatit, sot ka “diktaturë të individit”. Rama, që është njëkohësisht dhe profesor i politikës në universitetin e New Yorkut, ka përpunuar në këtë libër, konceptin e “parisë”, konceptim primitiv i organizimit të një shoqërie, e cila është një realitet për shoqërinë shqiptare, për politikën e për fushat e tjera të kësaj shoqërie. Autori i këtij libri theksoi se zgjidhja e kësaj krize që ka prekur shoqërinë shqiptare do të vijë nga vetë paria e vendit, që gjithashtu është problemi kryesor i saj. Sipas tij, vetëm presioni nga shumë faktorë ndaj kësaj parie, mund të bëjë ndryshimin e situatës. “Popujt që gabojnë më shumë janë të destinuar të zhduken”,- përfundoi fjalën e tij, Rama.
Bashkëbisedimi
I pari që mori fjalën ishte kryeministri i këtij vendi pas 1992-it, Aleksandër Meksi, i cili e përshëndeti botimin e këtij libri dhe vuri në dukje se “pavarësisht se në fillim (më 13 dhjetor), patëm një përplasje personale për lëvizjen e Dhjetorit, më pas u bëmë miq”. Meksi u shpreh se Rama përpiqet t’i thotë ato të vërteta, që lihen pa thënë për shumë arsye e nga shumëkush që ka ndikim në shoqërinë shqiptare. Profesori Uk Buçpapaj u shpreh më pas se “revolucioni i 1990 mbeti përgjysmë, e kjo solli në pushtet oligarkinë politike, e cila më pas u kthye në oligarki financiare”. Sipas tij, sa kohë do të vazhdohet me këtë mënyrë drejtimi të shtetit, e tillë siç është sot, do të jetë shoqëria shqiptare. Rudolf Marku, shkrimtar i njohur, u shpreh se shqiptarët e kanë parë me dyshim dhe e kanë konsideruar si akuzë që Gjeorgjeviç ka bërë ndaj tyre, që “shqiptarëve u mungon tharmi i shtetit”. “S’di se sa ka pasur të drejtë ai. Por po marr një shembull: Në Shqipëri ekziston një retorikë e përditshme për luftën kundër korrupsionit, por pikërisht kjo retorikë e ka forcuar korrupsionin. Klasa e dikurshme ka marrë në dorë pushtetin edhe politik e financiar dhe kjo e forcon më shumë klasën e dikurshme”, – u shpreh ai. Afrim Krasniqi, aktivist në Lëvizjen e Dhjetorit ’90, njëkohësisht dhe këshilltar i presidentit Topi, theksoi në rolin e një analisti, se problemi nuk qëndron vetëm të korrupsioni, por edhe te konsensusi që kanë dy palët që vendi të ecë në këtë rrugë në të cilën janë, pa ndryshuar asgjë. “Vendet fqinje kanë arritur të gjejnë modelin e tyre për t’u integruar, e kanë zbatuar atë dhe janë më shpejt se sa ne në rrugën e integrimit, ndërsa palët politike duket sikur kanë rënë dakord të ecin pikërisht në rrugën që kanë nisur”, – u shpreh ai. Pyetjes së Arben Sulos, një dhjetorist tjetër, aktualisht funksionar në Ministrinë e Mbrojtjes, se ndërsa Rama flet për pari, ai vetë është ulur mes ‘parisë’, ku kishte parasysh Meksin apo Oketën, autori i librit u shpreh se ata ishin miq dhe se në bërjen e këtij vendi, për ndërtimin e të ardhmes së tij nuk duhet përjashtuar askush, pavarësisht nga pikëpamjet politike, apo kundërshtitë që kanë me njëri-tjetrin. Zëvendëskryeministri i vendit, Rexhep Uka iu përgjigj vetë pyetjes që bëri se “pse ky vend gjeneron pari të mbrapshta?”. Ai u shpreh në ndërhyrjen e tij se “nuk mendoj se na ka sharë Gjeorgjeviçi sa i takon tharmit të shtetit”. “Ne s’kemi jetuar, por vetëm u kemi mbijetuar periudhave të ndryshme. Në filozofinë tonë ka një problem madhor, përkohësia e përjetshme. Ne mendojmë si t’i shtyjmë përjetësisht këto 24 orë, për të cilat mendojmë. Populizmi te ne është tejet i suksesshëm dhe ka një nivel të ulët kulturor, që të kuptohet se bëhet fjalë vetëm për populizëm, i cili është i vetmi që sundon. Unë të lexoj për qejf, jo se do zgjidhim gjë”,- përfundoi fjalën e tij, Uka.

Kriza shqiptare dhe rruga e daljes nga tranzicioni
Në përfundim, edhe po e pati paria sunduese kontrollin mbi çdo element të sistemit, gjithnjë ekzistojnë këto katër elementë që vënë në dyshim sundimin e parisë… Mendimi im është, se rruga ideale ku duhet të ecim është rruga e normalizimit të shoqërisë, si një bashkësi me identitet të qartë kombëtar, të vendosjes së ekuilibrave të duhura shoqërore dhe të ndërtimit të strukturave shtetërore, që i kontri-buojnë ruajtjes e kultivimit të vlerave morale. Kjo arrihet përmes zbatimit të një projekti shoqëror, që i zgjidh problemet e shumta që janë vënë në dukje në këtë përmbledhje. Zgjidhja vjen duke i eliminuar tepritë e deritanishme, por edhe duke krijuar mundësi të reja, që do të jenë në të mirën e përgjithshme. Ky projekt duhet vënë në jetë në mënyrë metodike, duke mbajtur parasysh kushtet specifike shqiptare, dallueshmërinë kulturore të popullit tonë, mundësitë tona ekono-mike, burimet njerëzore dhe interesat jetike kombëtare. Gjithashtu, për shkak të rëndësisë së dorës së parë që do të kenë në këto procese, duhet që të mbahet parasysh edhe roli dhe vendi i interesave të huaja, që janë të pranishme si aleatë strategjikë, por edhe si shtet-kombe që kanë minoritetet e tyre në shtetin shqiptar.

Pjesë e marrë nga “Përrallat e tranzicionit shqiptar”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu