Shkarkohen drejtorët që nuk pranojnë të kontrabandojnë me pronat komunale dhe me paranë publike

0
925

Të shkruaj për telashet në Viti (gjëra minore) në këtë kohë të telasheve të mëdha nuk është fort e “lavdueshme”. Por, edhe këto të voglat janë pjesë e jetës tonë politike e institucionale dhe kanë njëfarë lidhmërie me ato të mëdhat. Pastaj, edhe për ato të mëdhat po shkruaj sa po mundem…

Tandemi Hebibi-Arifi, i pari Kryetar i Këshillit komunal dhe deri dje Kryetar i AAK-së, dhe i dyti Kryetar komune dhe uzurpator i mandateve të PDK-së në Viti, kanë rënë në “ujdi” që të shkarkojnë nënkryetarin e Komunës, çdo drejtor dhe çdo zyrtar që nuk pajtohet dhe nuk pranonë të trafikojë dhe kontrabandojë pronën komunale dhe publike, që nuk pranon të shpërdorojë paranë publike, pozitën zyrtare dhe ligjet në fuqi! Po e them edhe për Kryetarin e Këshillit komunal, sepse, të paktën deri më sot nuk është “distancuar” ose nuk ka mbajtur qëndrim për veprimet kundërligjore, kundërdemokratike, kundërqytetare dhe kundërnjerëzore të N. Arifit. Pozita që ka zoti Hebibi në organin numër një në Komunë (Këshilli komunal) kërkonte që ai të mbante qëndrim për këto parregullësi dhe paudhësi të N. Arifit. Madje, zoti Hebibi , siç ma pohoi vetë, është pajtuar me shkarkimin e Drejtorit të kadastrit, Elmaz Bajrami, i cili ka bërë vetëm një “mëkat”: Nuk pranoi, megjithë trysninë që i është bërë, të nënshkruante vendime që tjetërsojnë dhe trafikojnë pronën komunale dhe publike. Autorizimin për “trafikimin” e pronave komunale, publike e “shoqërore” e ka kërkuar me këmbëngulje dhe e ka marrë nga Këshilli komunal, N. Arifi. Se çfarë i duhet autorizimi për “transakcione” të pronës në komunën e Vitisë N. Arifit mund ta kuptojë vetë lexuesi dhe qytetari i Vitisë…

Dje është shkarkuar edhe e vetmja drejtoreshë në Administratën komunale, Selvije Rexhepi, Drejtoreshë për ekonomi dhe financa. Pse u shkarkua S. Rexhepi? Njësoj, si për shkarkimet e tjera, asnjë fjalë e vetme për ta arsyetuar vendimin, asnjë vrejtje ose paralajmërim! E vetmja arsye, arsye që nuk mund të thuhet e të shkruhet prej atij që ka uzurpuar mandatet e PDK-së dhe po i trafikon ato, është se S. Rexhepi nuk ka lejuar shpërdorimin dhe vjedhjen e parasë publike, bugjetit komunal dhe fondeve e donacioneve tjera për komunën. Drejtoresha që me punën dhe përkushtimin e saj për komunën e Vitisë dhe për interesat publike kishte fituar edhe respektin e partive tjera politike dhe të të gjithë qytetarëve të komunës shkarkohet hajdutçe gjatë kohës që ishte në pushim, kurse vendimi i hidhet te shtëpia mbi mur njësoj si nënkryetarit të Komunës, Halim Halilit!! Kjo gjendje e krijuar prej tij “detyroi” edhe Drejtorin e urbanizmit të jap dorëheqje për “shkak të mosmarrëveshjeve ndërmjet kryetarit të komunës dhe Kryesisë së PDK-së” (Degës së PDK-së), siç shkruan ai në letërdorëheqje. Të gjitha këto poste dhe mandate të PDK-së janë plotësuar me kundërshtarë politikë të PDK-së!!

N. Arifi, i gjendur përballë dështimeve të njëpasnjëshme (me fajin e tij), po përpiqet ta largojë vëmendjen e qytetarëve nga problemet reale që prekin drejtëpërdrejt kualitetin e jetës së qytetarit, duke shpikur dhe krijuar probleme dhe konflikte politike e ndërnjerëzore. Qytetarët e Vitisë dhe përfaqësuesit e tyre në Këshillin komunal pyesin dhe presin përgjigje nga uzurpatori i mandateve të PDK-së për dështimin dhe matrapazllëqet që janë bërë me projektin e qendrës së Vitisë (ka dy vite që nuk po përfundon), pyesin pse nuk përfundon ura e re e qytetit (gati dy vite që ka nisur dhe është ndalur puna për fajin e tij), qytetarët pyesin pse u anulua tenderi për parkun e vendbanimit më të madh në komunë dhe Kosovë, Pozheranit. Ata pyesin dhe presin përgjigje-shpjegime për digën ose pendën e premtuar (të paktën në njëzetë konferenca shtypi është premtuar) dhe çka u bë me paratë e paguara për atë projekt. Qytetarët tanë pyesin dhe nuk po marrin përgjigje për rezultatet tepër të dobëta në testin e maturës (10.8%). Qytetarët tanë pyesin pse u mbyllën të gjitha dyert për komunën e tyre? Kush është fajtori pos N. Arifit, i cili në mungesë të punës dhe projekteve dhe për shkak të dështimeve i është kthyer përplasjeve dhe konflikteve me PDK-në. Qytetarët tanë pyesin pse u shkelën të gjitha procedurat e parapara me ligj për rastin e fundit në Stubëll (rregullimi i një salle)? Pse nuk u bë transparente mashtrim-marrëveshja me CARITAS-in në stilin e marrëveshjes së Digës dhe të marrëveshjeve tjera antiligjore? Te këto veprime çdo kush e gjenë edhe arsyen e “shpërndarjes” së komisionit të prokurimit dhe ndërrimin e zyrtarit të prokurimit. Për dy vjet e më shumë nuk pati mundësi të shpërdoronte tenderët dhe paranë publike, prandaj i hoqi qafe këto “pengesa” dhe ua hapi rrugën shpërdorimeve dhe shkeljeve të pashembullta në Kosovë.

Administrata komunale, për fajin e tij dhe me angazhimin e tij personal, është kthyer në vend intrigash, denoncimesh, shantazhesh, shpifjesh, presionesh dhe mosbesimi…

Ky njeri, që ka personalizuar, privatizuar dhe uzurpuar mandatet e PDK-së dhe që nuk ka lënë zyrtar as drejtor të PDK-së pa e shkarkuar dhe denigruar, ka “guximin” të thirret në “përkrahjen” e nëndegëve të PDK-së! I zënë ngushtë dhe i kapur, ky njeri ka humbur arsyen dhe nëndegët e LDK-së, të PSDK-së, të Vetëvendosjes, të PSHDK-së dhe “klanin e Zemunit” (nëntokën e Vitisë) po i quanë “nëndegë të PDK-së”!! Zot ndihmoje! Dje morëm vesh se, pas kryetarit të Degës së PSDK-së, A. Bajramit, edhe Samet Dalipi, kryetari “historik” i LDK-së në Viti (mbi dhjetë vite Kryetar i saj) u bë bashkëpunëtor i ngushtë i N. Arifit në “drejtimin” e Komunës! S. Dalipi, është këshilltari i dytë me radhë që merr N. Arifi (pa konkurs), edhe pse nuk ka të drejtë të ketë këshilltar. Për te nuk vlenë konkursi, nuk vlenë ligji. “Fjala ime është ligj”, e përsërit ky shpesh këto dy vite në takimet e rralla që mbanë me drejtorët e tij! Këto janë disa nga arsyet që kanë shtyrë Degën e PDK-së të mbaj qëndrim dhe ta shkarkojë këtë njeri. Ky nuk pati as mençurinë dhe as burrërinë e Q. Mustafës, i cili vetë dha dorëheqje nga PDK-ja por nuk preku asnjë drejtor që ishte propozuar nga Kryesia e Degës së PDK-së në Gjilan, sepse ai e kishte të qartë se mandatet janë të PDK-së e jo të personit, familjes apo nëntokës. Në një takim me Kryesinë e Degës së Vitisë Kryetari i Partisë i kishte thënë se “po preke vetëm një zyrtar të PDK-së në Komunë nuk ke pse vjen më tek unë”. Veprimet e tij po dëshmojnë përditë se ky njeri ka një “shef” dhe një “parti” tjetër…

Xhevat Bislimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu