Shkodrania vret në kazino luftëtarin e UÇK

0
751

Një shkodrane 25 vjeçare ka vrarë në mes të kazinosë në Pejë, Shkëlzen Çelaj, nga fshati Maznik i Deçanit, 34 vjeçar i angazhuar edhe në luftën e Kosovës me UÇK-së. Kjo e fundit punonte te “Kajota”, aty ku është bërë edhe ekzekutimi. Sipas policisë vendase, emri i vajzës mbahet sekret për motive hetimi ndërsa është sekuestruar dhe arma e krimit. Vrasja për orë me radhë është mbajtur e papublikuar, ndërkohë që orëve të mesditës autoritetet policore lokale kanë nisur të japin të dhënat e para për ngjarjen. Sipas informacioneve që vijnë nga Prishtina bëhet me dije se viktima është, një emër i njohur gjatë kohës së luftës, ndërsa policia e Kosovës bën të ditur se autore e atij ekzekutimi është një femër nga Shqipëria. Të dhëna të rezervuara nga rajoni i policisë së Pejës bëjnë të ditur se ekzekutimi është kryer nga një vajzë e re, e moshës rreth 25-26 vjeçe, e cila mendohet të jetë nga qyteti i Shkodrës. Policia, teksa ka nisur të hetojë për vrasjen, ka mësuar se vajza që qëlloi mbi lojtarin e kazinosë ishte e punësuar në lokal si kamariere prej shumë kohësh, por në momentin e vënies në pranga ajo nuk ka pasur mjet identifikimi me vete, e për pasojë identiteti i dhënë prej saj është i pabesueshëm për policinë vendase.
Ekzekutimi
Rreth orës 06:30 të mëngjesit të djeshëm, stacioni policor në Pejë është informuar se në lokalin e lojërave të fatit “Kajota” në Pejë, i cili gjendet në objektin e stacionit të autobusëve, kishte të shtëna me armë zjarri. Dyshohej për një të vrarë. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia lokale është përballur me trupin e pajetë të 34-vjeçarit ndërkohë që mësohet se brenda ambienteve gjendej edhe gruaja që kishte qëlluar me armë zjarri pistoletë mbi të riun, armë që është sekuestruar në vendin e krimit. Policia ka nisur grumbullimin e dëshmive të punonjësve të kazinosë, por po ashtu edhe të të zotërve të saj. Nga të dhënat që vijnë nga Kosova bëhet me dije se emri i saktë i shkodranes që qëlloi mbi Çelajn nuk dihet nga asnjë prej personelit ose të paktën kështu pretendojnë, por ajo ka pranuar se është 25 vjeçe dhe se është e punësuar prej kohësh te “Kajota” si kamariere. Policia ka vënë në pranga autoren e krimit, ndërkohë që ka nisur edhe hetimet mbi ngjarjen. Motivet mendohet të jenë ato të sherreve banale, ndërkohë që priten informacione edhe nga policia shqiptare mbi vajzën që vrau në Pejë ditën e djeshme.

 

Nikoleta Kovaçi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu