Shkrihet Flotilja e Veriut, Bisht Palla dhe Shëngjini do shiten

0
471

Forca detare shqiptare së shpejti do t’i nënshtrohet ristrukturimit. Të paktën këtë emër i vendos riorganizimit të vendstacionimit të mjeteve Ministria e Mbrojtjes, e cila në konceptimin e këtij plani është vënë përpara vërejtjeve të ardhura nga Komanda Detare. Diskutimet mes Shtabit të Përgjithshëm dhe Flotës, sa i përket kësaj çështjeje, janë sqaruar deri diku hollësisht në një letërkëmbim zyrtar mes ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami dhe Kuvendit të Shqipërisë, posaçërisht Komisionit të Sigurisë. Kështu, vetë Flota Detare ka paraqitur me shkresën e vet nr. 1224, datë 17.10.2011 propozimet e veta mbi ristrukturimin, të cilat janë marrë në shqyrtim nga Ministria.

Sipas letrës së Imamit mund të konkludohet si problem kryesor ai për suprimimin e asaj që njihet si Flotilja e Veriut,  që parashikon më tej që mjetet detare të ridislokohen në portet kryesore të vendit, duke nisur nga Shëngjini dhe Durrësi, për të vijuar në Pashaliman/Sazan, Porto-Palermo dhe Sarandë. “Në strukturën aktuale, Forca Detare i vendosin mjetet e saj në 2 vendbanime kryesore, pranë komandës së Flotiljes Detare të Veriut dhe Flotiljes Detare të Jugut. Në projektin e propozuar është menduar shtrirja e prezencës së anijeve të Forcës Detare përgjatë gjithë vijës bregdetare e shtrirë në 5 vendbanime detare: Shëngjin, Durrës, Pashaliman/Sazan, Porto-Palermo dhe Sarandë, me qëllim mbulimin e gjithë vijës bregdetare…”, thuhet në letër-përgjigjen e Imamit.

Ky komunikim i mbajtur mes datave 3 dhe 6 mars, i referohet mbledhjeve dhe diskutimeve të bëra në fundin e vitit 2011 dhe që me sa shihet nuk përfshin si vendstacionim bazën e Bisht-Pallës. Madje kjo e fundit, e së bashku me të edhe baza e Shëngjinit, humbasin funksionin real ushtarak, një zhvillim ky që vështirë se mund të mbrohet në mënyrë të argumentuar nga profesionistët e fushës. Vetë ministri sqaron se mjetet që ndodhen në Veri do të grupohen në funksion të shtrirjes së prezencës(!) pas Suprimimit të Flotiljes Detare të Veriut. “Projekti i Ristrukturimit të Forcës Detare ka synim vendosjen e anijeve nëpër portet kryesorë të vendit. Anijet që aktualisht janë në Flotiljen Detare të Veriut do të ridislokohen në portin e Durrësit dhe portin e Shëngjinit.

Prezenca pranë porteve bën të mundur kryerjen më mirë të detyrave të Rojës Bregdetare”, sqaron Imami nënkryetarin e Komisionit Parlamentar Ilir Gjoni. Sikundër vihet re, për dy njësitë ushtarake detare të veriut, përdoret shprehimisht fjala port, ç’ka çon në përfundimin se Durrësi dhe Shëngjini do të kryejnë funksione të dyfishta që këtej e tutje. Përndryshe, dallimi mund të vihet re edhe në faktin se dislokimi për Gjirin e Vlorës respekton mbajtjen në fuqi të Pashalimanit, krahas portit të Vlorës si mjet akostimi i mjeteve civile. Nisur nga ky arsyetim, është e qartë se suprimimi i Flotiljes së Veriut fsheh së paku suprimimin e bazës detare ushtarake të Bisht-Pallës në veri të Durrësit.

I pyetur mbi bazën ligjore të përdorur në hartimin e kësaj strukture, ministri i Mbrojtjes, përgjigjet në datën 6 mars 2012 se “projekti i propozuar është ndërtuar në bashkëpunim me Komandën e Forcës Detare, Shtabin e Përgjithshëm…Natyrisht pasi projekti për strukturimin merr formë të plotë, propozohet nga Komandanti i Forcës Detare dhe vendimmarrja për strukturën merret nga instancat më të larta. Ju sqarojmë se projekti akoma nuk ka marrë formën e tij përfundimtare dhe është në diskutim të vazhdueshëm me Forcat Detare”.  Që këtej edhe pastrimi i kryer në radhët e ekipit drejtues të Flotës mund të lexohet fare mirë si tension i brendshëm që ka të bëjë me strukturimin e Forcës, që ka aktualisht në krye një drejtues të emëruar me procedura që vijnë në kundërshtim me Kushtetutën.

 

Tensione në Flotë për ristrukturimin

Ristrukturim i Forcës Detare, apo ndryshime në sfondin e të cilave qëndrojnë interesa ekonomike? Pyetja në fjalë lind nga leximi i letër-përgjigjes së ministrit të Mbrojtjes Arben Imami për strukturimin e Forcës Detare dhe ngjarjeve të ndodhura paraprakisht në Flotë. Largimi nga detyra i dy drejtuesve të saj, ka nxjerrë në sipërfaqe disa përplasje jo të vogla mes tyre dhe ministrisë, të cilat janë sqaruar më qartë nga kundëradmirali Kudret Çela. Kështu në një intervistë të tijën para pak kohës, ai sqaron se kundërvënia ndaj projektit të strukturës së re ka qenë zyrtare. Madje po sipas tij, eliminimi i bazës së Bisht-Pallës është bërë me urdhër nga lart, pa konsultime me specialistët e fushës.  Duke qenë se strukturën sipas ligjit e prezanton komandanti i Forcës Detare, është e qartë se qenia e Çelës në detyrë do e bënte zyrtarisht të pamundur propozimin  e saj dhe më tej miratimin.

Nisur nga këto arsye, largimi i tij dhe i zëvendësit Meçollari gjen një arsye konkrete.  Ky qëndrim i mbajtur merr kuptim edhe nga letra që Ilir Gjoni i bën ministrit të Mbrojtjes, ku parashtrohen thuaje ato pyetje të cilat në fakt trajtojnë tensionin që ka lindur mes komandës së Forcës Detare dhe Shtabit të Përgjithshëm.  Madje, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, shtron pyetje rreth bazës ligjore që është përdorur për ristrukturimin e flotës Detare, ç’ka nënkupton ekzistencën e dyshimeve në këtë drejtim. Në këtë kuadër, bie në sy se rreth problemit të lirimit nga detyra të tri ushtarakëve të lartë, opozita nuk ka bërë asnjë lëvizje, e kjo duket edhe në interesimin e saj përmes Gjonit. Firma e Presidentit të Republikës në dekretet për shkarkimin ka mbyllur kapitullin e tyre në nivelin drejtues të ushtrisë, për ta bërë aktin e lirimit periferik në raport me interesat politike që qëndrojnë në marrëdhënien PS-Presidencë.  Këtu është rasti të theksohet paradoksi që ka lindur mes kundërshtimit për mbylljen e bazës së Bisht Pallës dhe synimeve që ka Ministria e Mbrojtjes për të rritur kapacitetet operacionale të Flotës Detare.

 

Vetëm Pashalimani, bazë e mirëfilltë ushtarake

Ristrukturimi i Forcës Detare mbetet ende në proces dhe deri më sot nuk ka një draft përfundimtar. Kjo është tanimë zyrtare dhe duket se do të vijojë të mbetet një çështje në tavolinë edhe për pak kohë. Me projektin e ri, si bazë detare ushtarake e mirëfilltë, do të ngelet vetëm Pashalimani, ku është edhe kantieri i ndërtimit të anijeve dhe riparimit të tyre. Megjithë sugjerimin për shtrirje në mbarë bregdetit, Forca Detare shqiptare ngarkohet me detyrë prioritare atë të Rojës Bregdetare, që kryesisht konsiston në operacione shpëtimi.

 

Nga: Skerdilajd Zaimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu