Shkrimtarët dhe artistët votojnë: Berisha të ikë

0
692

Të jesh i djathtë/ Agron Tufa

Të jesh i djathtë, do të thotë të pranosh se ka Zot, se ai është krijuesi i gjithçkaje dhe i njeriut; që ai e ka krijuar edhe majmunin, përfshi dhe atë majmun, që dofarë e njohin për Stërgjysh. Të jesh i djathtë do të thotë të dish ta bësh çdo herë zgjedhjen estetike dhe etike midis së Mirës dhe së Keqes, edhe kur dallimi midis tyre është i vështirë: zgjedhja e saktë bëhet edhe instinktivisht. Të jesh i djathtë do të thotë, që higjiena e ndërgjegjes tënde nuk mundtë jetë aq e ndotur, sa të të shtyjë të votosh për PS apo LSI. Ky do të ishte degradim dhe mëkat i pashlyeshëm për të gjitha cilësitë e një të djathti, që përmendëm më sipër. Të djathtët e vërtetë, me një bosht vlerash të tilla, të pandryshueshme që nga antikiteti e deri më sot…

Kreu i PD-së është i majtë

Gazetari Demir Reshiti: “Agron, të djathtë çfarë i ke përshkruar, vështirë të gjenden në Shqipëri, e aq me pak në partinëe Sali Berishës, nga se vetë kreu i kësaj partie është i majtë! Madje, më shumë të tillë të djathë, po shoh te renditur kah e majta, në krye të së cilës është një Edi Rama që mund të jetë gjithçka tjetër, por jo i majtë… Kam një sugjerim për ty Agron: Merru më mirë me poezi se i shkruan bukur!”

Po vetë-shkatërrohemi

Shkrimtari gazetar Arben Çokaj: “Agron, unë bindjet e djathta i kam akoma, por ndryshojmë në disa gjëra. E djathta shqiptare me Berishën në krye, nuk ka tiparet e një të djathte moderne evropiane dhe ti e di shumë mirë këtë. Dhe ne si ishdhjetoristë me një nivel politik e intelektual domethënës, tashmë, nuk duhet të mbyllim gojën përpara diktatit të Berishës, por të ngremë zërin për të mirën e vendit… Personalisht unë kam provuar një përndjekje të vazhdueshme nga strukturat e SHISH dhe të policisë këtu në Shkodër, të urdhëruar nga Jozefina Topalli, ndonëse kisha dhënë kontribut në 2005- n dhe kisha lidhje me krerët e PD-së deri në majë të kupolës. Nuk duhet që e ashtuquajtura “luftë brenda llojit” të jetë kaq e egër si luftë klasash, apo më keq, brenda PD-së, por të jetë një konkurrencë e lirë idesh dhe alternativash, mbi bazën e aftësive intelektuale e politike të veprimtarëve politike. E djathta shqiptare do duhej që privatizimet strategjike t’i kalonte në dorë të biznesit vendas, të shqiptarëve, për të ruajtur sigurinë dhe të ardhmen e vendit. E jo kështu, kur sipërmarrje të suksesshme si Albtelekom, nafta, minierat e HEC-et të kalojnë në duar të të huajve dhe paratë të rrjedhin jashtë nga kasa e shtetit në drejtime të paditura, e që nuk i shërbejnë vendit. Ka shumë për të diskutuar këtu, dhe uroj që PD të dalë në opozitë me votë të lirë nesër, e të vijë duke reflektuar me humbjen, të vijë gjithashtu duke u vetë-organizuar mbi parimet e një politike të djathtë Evropiane.

Rrugë ka bërë dhe Hitleri

Përkthyesi Hans-Joachim Lanksch: “Agron, mik i vjetër, përshkrove ideale të larta me të cilat përputhem – por s’ i shoh të realizuara te personeli i sotëm i djathtë. Të jesh i djathtë a do të thotë t’ i harrosh të gjitha marifetet, aferat, skandalet, manipulimet, falsifikimet, mashtrimet, gënjeshtrat dhe shpifjet kryeministrore që i mbushnin pothuaj përditë gazetat? T’ i harrosh fyerjet banale kryeministrore ndaj ish Presidentit të Republikës, Bamir Topi, dhe ndaj zonjës Ina Rama? Ta harrosh Gërdecin, 21 janarin? Ta harrosh politikën “e djathtë” të korrupsionit, të nepotizmit, klientelizmit, të pervertimit të gjyqësorit? Rrugët….Rrugë ka bërë dhe Hitleri Ç’argumenti janë rrugët? Filozofia e Tufës, ekzaltim për përjetësimin e “njëshit” Poeti Aqif Hysa: “Që poeti e shkrimtari të mos paragjykohet, as duhet të paragjykojë. Hasa shumë vështirësi në leximin e këtij teksti, më kupto, si tekstin e poetit e shkrimtarit, Agron Tufa. Filozofia e mësipërme, thirrjet e mësipërme, paragjykimet e mësipërme, s’mu dukën gjë tjetër veçse thirrje e ekzaltim në instalimin e “njëshit”, përjetësimin e “njëshit”, edhe pse të dihet që ky “njësh” është pikërisht një nga atrashëgimtarët e ish “njëshit “njëshit”.

Tedi Papavrami/violinist

Nga ajo që kam njohur nga Edi Rama, ky njeri ka diçka të çmuar dhe një ideal në vetvete që më duket jashtëzakonisht i nevojshëm dhe i çmuar për shqiptarët. Prandaj më 23 qershor votoni Edi Ramën.

 

Mimoza Hysa/ shkrimtare

Është e vërtetë që nuk më pëlqen politika, po them se nesër duhet të votoj…e kam bërë vetëm dy herë në jetën time: një herë e shtrënguar, herën e dytë me dëshirë… kësaj here që është e treta e bëj si detyrim edhe pse jam më tepër se kurrë në mëdyshje….

Merxhan Avdyli/shkrimtar

Një shembull i mendimit totalitar, tipik komunist. Një antishqiptarizëm në esencë. Prandaj edhe humbja e një mendësie të tillë totalitare, paksa edhe fashiste, do të jetë e pakthyeshme. Atdheu është i shëmtuar po qe se bukuria e tij është vetëm e djathta. Shëndet në jetë dhe humbje të meritueshme më 23 qershor.

Agim Hushi/ tenor

Unë nuk jam lider i asnjë partie, por jam Rilindës. Jam pjesë e asaj ëndrre të bukur që pas ‘90 -ës, rilindjes së madhe dhe i uroj zotit Rama të jetë kryeministri i Rilindjes shqiptare Anri Sala artist Unë do të vij në datë 23 në Tiranë, sepse dua të votoj, të votoj për Edi Ramën, të votoj për një rilindje të vlerave, duke votuar për Edi Ramën dhe ekipin e tij të gjithë së bashku do të përshpejtojmë ritmin e hapave drejt atdheut që të gjithë aspirojmë

Hervin Çuli/regjisor

Tmerr o Zot, Saliu as tek Fevziu i mjerë s’ka më besim, por ka zgjedhur moderator burrin e deputetes së tij… Hapu dhe, ky edhe mashtrimin tashmë e bën hapur. Ah harrova salla duartroket para se Berisha të thotë ç’ka gjoja për të thënë. O Zot na shpëto nga fundi ku po na shpie Hadesi …

Me PD-në ktë lloj Shqypnie se merr kush seriozisht/ Halil Matoshi/shkrimtar

Të jesh i djathtë e të dërgosh në Prishtinë për ambasador Islam Laukën, njeriun e bam prej dokrrash e letrash të zhubravta enveriste, që po e torturon, shanë e pështynë çdo mendim ndryshe në Kosovë dhe të dijetarëve perëndimor që shkruajnë për e rreth Kosovës, që torturohen nga faktet historike dhe i shtyp ato, që përdhos çdo ide të re e vlerë të mendësisë së re kosovare – difysh hiç s’po ma rrok! Të jesh i djathtë dhe t’i qitësh ç’dyzen teoritë bizare me Rexhep Qosen, as këtë s’po ma rrok!? Të jesh i djathtë dhe të shpallësh qytetar nderi gangster, zhvatës e të dyshuar për krime lufte as këtë, hiq s’a kah ma rrok… Por në Shqipërinë e varfër të pa moderuar votohen oligarkikë e pasura pra organizatat e milionerëve që kanë vjedhë e zhvatë popullin dhe që kanë bashkëpunuar e vazhdojnë bashkëpunimin me krimin e organizuar, trafiqet e paligjshme (blloku blu apo rozë); pra trupi politik shqiptar është sëmur rënd dhe nuk po prodhon as ide dhe as organizata politike qytetare e modernizuese! Këtë lloj Shqipnie, mjerisht s’e merr kush seriozisht në raportet botërore!?

Kur gjithçka bëhet në emër të partisë/ Kolec Traboini/kineast

Është koha që krijuesit e artistët të flasin e angazhohen. Heshtja e tyre tregon se frika ka sfiduar karakterin si opozitar të përjetshëm të së keqes dhe promotor të përparimit…. Personalisht nuk kam frikë. Me këtë nuk ndryshoj bindjet e mia, por bashkohem me dëshirën për ndryshimin e gjendjes së padurueshme ku gjithçka bëhet në emër të partisë, ku titujt e nderimet bëhen për ithtarët e partisë në pushtet, ku diplomacia është fole për zogjtë e klloçkës politike, ku edhe subvencionet për programet filmike i merr burri i ministres së pseudointegrimit, e ne si kineastë të vjetër të filmit nuk mund të marrim asnjë qindarkë, në kushtet kur edhe vendi i punës ka ngjyrën politike.

Pak piper për mishin e zgjedhjeve, që kutërbon…/ Flutura Açka/shkrimtare

“Sa?”, këmbëngul të dijë ai se sa shumë ka shkuar tenderi politik i zgjedhjeve të ardhshme dhe me sa para do të hyjnë në ankandin politik të Atdheut të tyre, ata të listave. “Po, ç’e pyet, shumë… Fushata është bërë shumë agresive, vetëm flamuj janë llogaritur me miliona, çdo pemë, çdo shtyllë, çdo antenë. Do varen kudo si brekët e Ishes. Po u vishka Shqipëria me çitjane, më tha një shok një ditë, ato duan shumë copë. Haha…” Marrë nga “Kukullat nuk kanë Atdhe”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu