Shkup, protesta kundër huliganëve, përleshje me policinë

0
1119

Mijëra shqiptarë të revoltuar kanë dalë sot në protestë kundër dhunës barbare të ushtruar ndaj fëmijëve shqiptarë.

Protesta e organizuar përmes rrjeteve sociale, ka nisur përpara Qendrës Tregtare Caircanjë dhe po vazhdon si marsh drejt institucioneve shtetërore dhe Qeverisë.

Njëri nga nismëtarët e protestës, Hazret Jakupi, ka deklaruar për mediat se protesta nuk është e drejtuar kundër askujt, por shpreh dhimbjen dhe indinjatën për rrahjen e fëmijëve shqiptarë.

“Ne nuk duam incidente, duam paqe. Mjaft ishte rrahja e fëmijëve shqiptarë”, ka deklaruar Jakupi.

Një pjesë e protestuesve ka tentuar të dilte nga kolona dhe të nisej drejt sheshit të Shkupit, por është përleshur me forcat policore.

Nismëtarët e protestës i kanë thënë për “Zhurnal” se protestuesit e dhunshëm janë persona të infiltruar me qëllim degjenerimin e protestës.

Protesta e sotme ka dalë jashtë kontrollit kur një pjesë e protestuesve kanë vazhduar të dhunojnë objektet përkrah rrugës, në mesin e të cilave edhe ato të projektit “Shkupi 2014”.

Policia ka shtuar radhët dhe në përforcim kanë mbërritur edhe autoblinda, të cilët po sprapsin protestuesit. Madje po përdor edhe gaz lotsjellës dhe bomba tymi për të shpërndarë protestuesit të cilët hedhin gurë dhe mjete të forta.

Protesta ka degjeneruar në momentin kur një numër i vogël i personave që dyshohet të jenë infiltruar nga jashtë, kanë provokuar pjesëtarët e Policisë dhe i kanë sulmuar me mjete të forta.

“Zhurnal” raporton se protestuesit kanë djegur edhe flamurin maqedonas.

Forcat policore kanë depërtuar në Çarshinë e Vjetër ku dhe janë shpërndarë një pjesë e protestuesve. Shumë dyqane janë mbyllur, kurse kalimtarë të rastit po largohen në panik.

Një pjesë tjetër e protestuesve ka përmbysur disa makina në afërsi të Bit Pazarit.

Raportohet se Policia ka arrestuar katër protestues, të cilët janë përleshur sërish me forcat speciale të Policisë.

Pas njëzet minutash negociatash ndërmjet një polici shqiptar dhe protestuesve, për lirimin e katër të arrestuarve shqiptarë, pjesëmarrësit në protestë kanë rifilluar të hedhin gurë dhe mjete të tjera në drejtim të pjesëtarëve policorë.

Për më shumë se një orë situata vazhdon që të mbetet kritike. Rrugët ku po zhvillohen trazirat janë boshatisur plotësisht dhe është krijuar një arenë e vërtetë lufte.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu