Shpend Kursani: Protestat e fuqishme mund ta kthejnë shpresën e të rrëzojnë konceptin “Jabllanoviq”

0
912

shpend-kursani

Analisti politik, Shpend Kursani thotë se vetëm protestat e fuqishme mbështetur edhe nga intelektualët e akademikët mund të kthejnë shpresën në këtë vend. Ai në një bisedë për Gazetën Blic thotë se protestat në Kosovë aq sa janë të nevojshme, janë edhe aq të domosdoshme.

“Kjo për arsye se qytetarit të Kosovës nuk i ka mbet shpresë, dhe në fakt më duhet të them se nuk do të duhej të ketë shpresë, që ky pushtet me këtë sistem mund të ua përmirësoj gjendjen. Kjo gjendje nuk ka pikur nga lartë; këtë gjendje e solli ky sistem dhe pushtetet tek të cilat qytetari nuk duhet të besojë”, thotë Kursani.

Si rezultat i kësaj, Kursani shton se me pjesëmarrje të fuqishme në protesta, ndihmuar aktivisht nga intelektualë, pra shoqëri civile dhe akademi e më gjerë, mund të ketë shpresë.

“ Intelektualët duhet ta luajnë rolin aktiv, duke dhënë propozime të përbashkëta konkrete për ndryshime thelbësore në sistem, në mënyrë që mos të lejojnë që protestat të nxisin instiktin nacionalist të popujve, por të nxisin instiktin e dëshirës për një jetë më të mirë, më të barabartë, dhe më të denjë në Kosovë. Nëse intelektualët mbyllin gojën në këto raste, protestat mund edhe të mos sjellin rezultatin e dëshiruar”, ka thënë Kursani në këtë bisedë për Gazetën Blic.

Kursani thotë se në Kosovë përfundimisht duhet të rrezohet koncepti Jabllanoviq, që sipas tij, synim ka mbajtjen e Serbisë në Kosovë. Kursani thotë se Jabllanoviq nuk mund të shkarkohet nga Isa Mustafa, por vetëm nga ana e Vucicit.

“Besoj se po. Protesta e së shtunës e cila ka për bazë reagimin ndaj deklaratave fashiste të Jabllanoviqit drejtuar qytetarëve të Republikës në të cilin ai mban post ekzekutiv, gjithsesi ka për qëllim largimin e tij. Por largimin e Jabllanoviq nuk mund ta bëjë shefi i tij; Jaballanoviqin mund ta largoj vetëm Kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, sepse ky i fundit është shefi i vërtetë i Jabllanoviq e jo Isa Mustafa”, thotë Kursani.

Sipas tij, në rast se largohet Jabllanoviqi, ekzistojnë gjasat që kjo kjo Qeveri të bije, jo për shkak se kjo Qeveri nuk do t’i kishte numrat në Kuvend pa serbët (sepse do t’i kishte), por se Serbia ka hise në këtë Qeveri, sepse është krijuar në marrëveshje me Serbinë.

“Megjithatë, unë kam dyshime se do të mund të rrëzohet kjo Qeveri duke protestuar kundër Jabllanoviqit, sepse Kryeministri i Serbisë vetëm do të mund ta zëvendësonte Jabllanoviqin me një “Jabllanoviq” tjetër, dhe protesta do të përfundojë. Kështu që mendoj se protestat duhet ta godasin “Jabllanoviqin” si koncept, e jo si individ”, thotë Kursani.

Ai shton se koncepti “Jabllanoviq” është koncept i Serbisë për ta mbajtur Kosovën e varur ndaj sajë; është koncept i Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit për të qëndruar në pushtet; dhe është koncept i bashkësisë ndërkombëtare për ta mbajtur njëfarë stabiliteti afatshkurtër në rajon. Koncepti “Jabllanoviq” mund të largohet vetëm me propozime për ndryshime kushtetuese dhe sistemike përkrahur fuqishëm nga intelektualë, dhe zbatuar nga protesta të vazhdueshme me pjesëmarrje të madhe. Gjykuar nga rrethanat politike në vend dhe ndikimit ndërkombëtarë në Kosovë, nuk mendoj se ndryshe mund të ndryshojë koncepti “Jabllanoviq” në vend”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu