Shpifjet dhe etiketimet e një adoleshenti të Lëvizjes “Vetëvendosje”

0
654

Xhevat Bislimi:

Dje, në ato dy fletët e Lëvizjes “Vetëvendosje”, lexova një shkrimnxirje të një adoleshenti të Lëvizjes “Vetëvendosje” nga komuna e Vitisë. Nuk më befasuan aspak shpifjet dhe etiketimet e autorit por, më befasoi dhe habiti miratimi i “shefit” të atyre dy fletëve të kësaj Lëvizjeje për ta botuar një shkrim të ktillë!
Është e vërtetë që pa fajin e këtij farë djali dhe pa fajin e “Vetëvendosje” Statuti i Komunës së Vitisë ka një vit që është bërë, pa asnjë arsye, çështje e dorës së parë për organet komunale (Kuvend dhe Kryetar), duke harruar punët dhe obligimet e përditëshme dhe projektet tjera të interesit publik e qytetar. Në këtë çështje janë përfshirë edhe partitë politike, “shoqëria civile” dhe qarshia me kafehanet e saj. Në fakt kërkesën për ndryshimin e Statutit e ka patur gjatë gjithë kohës si çështje parësore opozita (krerët e saj) në Viti (LDK-LDD).  Por, rrënjët e kësaj çështjeje duhet kërkuar te logjika dhe mentaliteti i trashëguar nga sistemi socialist vetëqeverisës.  Juristët e vjetër me logjikën juridike të asaj shkolle vazhdojnë ta quajnë (përkufizojnë) statutin e një Komune si “aktin më të lartë të komunës” dhe shkopin magjik për qeverisjen e Komunës! Kjo është edhe kryefjalia e çdo statuti që hartohet nga juristët e shkollës së vjetër. Madje këta juristë, shumë qeveritarë dhe shumica e gazetarëve vazhdojnë që me komunë të kuptojnë “kuvendin komunal”. Gjatë gjithë kohës ata thonë dhe shkruajnë “kuvendi komunal”, duke patur në mendje komunën. Me ligj është themeluar komuna, e cila ka dy organe: Kuvendin komunal, që duhet të quhet Këshilli komunal dhe Kryetarin. Rëndësia e statutit të një komune mund të përmblidhet në nevojën e komunës për të patur një bazë rregullash që lehtësojnë vendimmarrjen e Këshillit komunal, pastaj përcaktojnë marrëdhëniet e Këshillit komunal me Kryetarin e Komunës, hierarkinë e adminstratës komunale dhe parime kryesore mbi të cilat ngrihet dhe organizohet puna e administratës komunale. Këto parime zakonisht përmblidhen në: Parimi i ligjshmërisë, Parimi i subsidiaritetit, parimi i mbrojtjes së interesit publik dhe i të drejtave të personave privatë (qytetarëve), parimi i drejtësisë dhe paanësisë, parimi i marrjes së vendimeve të hapura (transparenca), etj. Përgjithësisht, statuti është përsëritje e përimtuar e ligjit për qeverisjen vendore, etj. si dhe lehtësim dhe përshtatje e zbatimit të ligjeve dhe akteve të tjera nënligjore në kushtet dhe rrethanat e një komune të caktuar. Në mesjetë Statuti i një qyteti ishte si një lloj kushtetute e tij. Fakti që statuti i një komune miratohet nga Këshilli komunal dhe detyrimisht në pajtim me Ligjin për qeverisjen vendore dhe ligjet tjera në fuqi determinon fuqinë e tij. Sidoqoftë, Komuna e Vitisë e ka patur Statutin e saj të miratuar dhe të certifikuar nga Ministria e Administratës dhe pushtetit lokal. Dua të them që ky formalitet ishte përmbushur nga kjo komunë.
Dy janë arsyet e vetme pse është inicuar “ndryshimi dhe plotësimi” i statutit të kësaj komune: E para, heqja nga statuti i fshatrave që i janë bërë dhuratë komunës së krijuar në zemër të Vitisë, Kllokotit dhe, e dyta, heqja e kompetencave të mëdha, sipas dy-tre eksponentëve të opozitës, Shefit të Administratës dhe personelit, Daut Xhemajlit, i cili është Kryetar i Degës së PDK-së, e cila, nënë udhëheqjen e tij, ka fituar tri palë zgjedhje në Viti! Dega e PDK-së nuk u ka dhënë përkrahje këtyre ndryshimeve. Për arsyen e parë, me të cilën do të duhej të merrej intenzivisht “Vetëvendosje” (konform programit të saj) ky djali çuditërisht heshtë, nuk e zë fare në gojë!! Kryesia e PDK-së ka qenë dhe është kundër krijimit të komunës së Kllokotit (ka vendime të shkruar për këtë çështje). Rinia e kësaj Dege dhe anëtarët e saj kishin mbledhur mbi njëmbëdhjetë mijë nënshklrime kundër formimit të saj. Janë bërë edhe shumë aktivitete të tjera për ta penguar copëtimin e komunës së Vitisë. Kurse për arsyen e dytë, pozitën e Daut Xhemajlit, ai shkruan se është i harxhuar dhe duhet të shkojë në pension! Kët e thotë dikush që po duket se ka lindur i shpenzuar.
Më e rënda dhe më e ulta është se ky farë djali dhe ato dy fletët e “Vetëvendosje” shpifin, etiketojnë dhe gënjejnë lexuesin e tyre pa fije turpi. Po e fillojmë me radhë. Shpenzimet për mirëmbajtjen e veturave gjatë vitit 2010 nuk janë 150000 euro (!), siç shpifin këto dy fleta, por 17000 euro. Kushdo mund ta vërtetojë këtë fakt. Rrenë monstruoze. Por, unë nuk kam ndërmend të bëjë rolin e avokatit të komunës. Me këtë shkrim dua vetëm të jap shpjegime për qytetarët tanë dhe opinionin e gjerë publik, sidomos për atë jashtë komunës së Vitisë.
Ky djal i ri shpif, etikon, mashtron dhe gënjen opinionin publik jashtë Vitisë, sepse në Viti njihemi me dhëmbë e dhëmballë, për një njeri të nderuar të Komunës sonë, Refik Ahmetin. Gënjen kur thotë se ky, Refiku, është baxhanak me Avni Misinin. E vërteta është se baxhanak i Refikut është Ilaz Misini, i cili edhe e ka fituar tenderin për furnizimin e Komunës me derivate para dy-tri vitesh, kur Avni Misini as nuk ishte drejtor komunal. Gënjeshtra tjetër është edhe konstatimi i tij se Banka, ku është drejtor Refiku, po e shfrtyëzoka pa qera një lokal të komunës! Kushdo dhe kur të dojë mund ta vërtetojë se për atë lokal të vogël paguhet qera çdo muaj dhe ofrohen shërbime për qytetarët nga ajo bankë. Ka shumë lokale të tjera të uzurpuara, të falura ose që nuk paguajnë qera. Kjo jo vetëm për fajin e komunës. Heshtja para kësaj gjendjeje dhe para këtyre fakteve dhe rrena për lokalin e vogël të kësaj filiale bankare tregon qëllimin e ultë të këtij shkrimi.
Ajo që ka revoltuar anëtarësinë e PDK-së në Viti dhe çdo qytetar të ndershëm të kësaj komune është etiketimi dhe përpjekja për ta nxirë figurën dhe personalitetin e nderuar dhe të çmuar, Refik Ahmetin. Nuk ka qytetar në komunën e Vitisë që mund të thotë dhe as të dëshmojë se Refik Ahmeti ka dëmtuar dhe denoncuar ndonjë bashkëatdhetar të tij në Viti apo jashtë saj as në kohën e pushtimit dhe as pas lufte. Mos harroni se edhe sot, ata që e kishin në gjak, po bashkëpunojnë, denoncojnë e po dëmtojnë interesat e vendit dhe bashkëatdhetarët e tyre. Kjo sa i përket pastërtisë kombëtare të shokut dhe mikut tonë, njeriut dhe shqiptarit, Refik Ahmeti, i cili u është përgjigjur në çdo kohë kërkesave politike, kombëtare e qytetare të komunës dhe vendit të tij me të gjitha mundësitë dhe zotësit e veta. Nuk ka njeri në komunën e Vitisë dhe as në Kosovë që mund të thotë se Refik Ahmeti ia ka marrë një cigare duhan ryshfet ose që e ka mashtruar, e ka prerë në besë apo tradhtuar dikend. Refiku ka jetuar dhe jeton me punën dhe djersën e vetë. Mund të them publikisht se është prej të rrallëve që nuk ka patur nevojë të vijë në PDK për t’u rehabilituar. Madje, ai na ka nderuar dhe na nderon neve si PDK, si qytetarë të Vitisë dhe si njerëz. Është prej të parëve, edhe pse ishte i ri në moshë, që i ka thënë jo regjimit dhe pushtetit të Milosheviçit dhe të Serbisë në Kosovë dhe i është bashkuar lëvizjes politike shqiptare të asj kohe. Është prej të rrallve që nuk ka patur nevojë për një rrogë shteti as para lufte, as pas lufte. Madje as babai i tij kurrë nuk ka marrë rrogë në atë shtetin pushtues. Refiku është prej ekonomistëve të parë të diplomuar në komunën tonë. Të gjitha punët i ka bërë me ndërgjegjie të lartë njerëzore, qytetare e kombëtare. Edhe sot, si drejtor banke është shembull i korrektësisë dhe ndershmërisë profesionale e njerëzore. Unë personalisht dhe Dega e PDK-së presim që Lëvizja “Vetëvendosje” të kërkoj falje publike për këtë shkrim të botuar me shpifje, etiketime dhe gënjeshtra që nuk i bëjnë nder asnjë subjekti politik dhe asnjë njeriu me dy bërthama mend në kokë. Këto shpifje dhe etiketime kanë prekur pragun e inteligjencisë, etikës dhe ndershmërisë së njeriut tonë.

Xhevat Bislimi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu