“Shqip”: Berishizmi është nacionalizëm dhe korrupsion

0
517

Në demokracinë e Athinës një gjykatës i zgjedhur mund të denoncohej përpara asamblesë së popullit vetëm për tri krime: konspiracion kundër demokracisë, tradhti në favor të armikut dhe korrupsion.

Të mos harrojmë se gjyqtari i zgjedhur ishte ndër autoritetet më të mëdha të kohës. Pra, grekët e lashtë i kishin të shenjta demokracinë, atdheun dhe zyrtarin korrekt. Natyrisht, të hidhesh deri në viset e Greqisë së lashtë për të shpjeguar apo analizuar problemet që ka sot demokracia shqiptare është një inkursion donkishotesk, sepse vetë shqiptarët nuk durojnë dot shumë filozofi dhe nuk të ndjekin dot nëse ti u tjerr gjërat gjatë apo hollë. E dyta, ne ndodhemi në atë fazë të zhvillimit demokratik që demokracinë jo vetëm që nuk po e nxëmë apo nuk po e implementojmë, por, përkundrazi, më keq akoma, me fraza provincialësh mundohemi të justifikojmë një regjim oriental, tribal, fisnor e mafioz. Praktikisht fushata elektorale ka filluar dhe nëse ti e sheh me kujdes ajo jo vetëm që nuk ka gjë të përbashkët me fushatat në vendet demokratike, por është më keq edhe se fushatat që bëhen për të zgjedhur ndonjë administrator ndërmarrjeje. Mirëpo, dukuria që po zotëron dhe po mpin jetën shqiptare është berishizmi. Sipas meje, berishizmi është korrupsion dhe nacionalizëm. Sistemi qeverisës që ka ndërtuar Berisha mbështetet fund e majë mbi korrupsionin dhe klientelizmin. Paratë publike shpenzohen vetëm në interes të ruajtjes së pushtetit dhe besnikët e kryeministrit mund të bëjnë çfarë të duan me fondet publike. Berishizmi përfshiu si një përmasë të re edhe kultin e familjes. Pra, pasurim me çdo mjet dhe me çdo kusht për vete dhe familjen. Në shërbim të kësaj skeme është një pjesë e madhe e medias për të cilën sponsorizon deri edhe Ministria e Mbrojtjes. Korrupsioni në Shqipëri nuk është thjesht një mitmarrje banale. Jo. Është një sistem që funksionon sipas parimit që fondet publike duhet të kalojnë nga duart e klientëve të kryeministrit dhe të familjarëve të tij. Për të përmendur vetëm një shembull: një nga mbesat e familjes është në krye të institucionit që kontrollon skemën e financimit të shëndetësisë. I shoqi i saj është aksionar në një bankë nëpër të cilën kalojnë të gjitha shërbimet ekonomike të një pjese të ekonomisë shqiptare. Ky sistem kapilar korrupsioni që është instaluar në Shqipëri e ka bërë të patundur familjen kryeministrore dhe berishizmin një dukuri që nuk shqitet kollaj nga jeta e këtij vendi. Berishizmi është edhe nacionalizëm, sepse Berisha, tani që Kosova është shtet më vete, shihet nga pjesa më e madhe e veriorëve të këtij vendi dhe të Kosovës gjithashtu, si modeli antikomunist i ortodoksëve të jugut. Edhe në krizën e vitit 1997, kur amerikanët u mobilizuan fort që ai të largohej nga pushteti, këtë e bënë jo se Berisha dhunoi demokracinë, por se ai filloi të imitonte Tuxhmanin dhe po bënte deklarata që, sipas amerikanëve, mund të ndiznin luftën në Ballkan. Deklaratat që po bën tani Berisha janë të sinqerta dhe të llogaritura mirë. Berisha nuk largohet nga pushteti me zgjedhje. Këtë e dinë shumë mirë si ambasadori amerikan në Tiranë, si partnerët e tjerë të Shqipërisë. Mirëpo Berisha po punon për një skenar tjetër. Në rastin që opozita mund të protestojë dhe mund t’i bëjë thirrje popullit për të mos lejuar vjedhjen e votave, Berisha i ka gati mbështetësit e tij nga Kosova e Maqedonia, të cilët mund të provokojnë lloj-lloj incidentesh etnike, vetëm e vetëm që ndërkombëtarët dhe amerikanët kryesisht të deklarojnë se ne na intereson stabiliteti dhe jo demokracia. Berisha është nacionalist, sepse nuk e do Shqipërinë, por do pushtetin e tij dhe do të mbrojë pasurinë e pamasë që ka vënë në këta vjet. Nacionalizmi atij i duhet që të ruajë me çdo kusht ndikimin mbi këtë vend. Lidhja që ka ai me lobet serbe të tipit Fazlliç e kanë konsoliduar tashmë miratimin që ai ka marrë nga agjencitë më të rëndësishme amerikane e perëndimore në përgjithësi, që të sundojë në këtë vend dhe të ruajë stabilitetin. Ndaj klithmat nacionaliste të Berishës duhen marrë seriozisht, sepse ashtu si në vitin 1996, për të mbajtur me çdo kusht pushtetin, ai do të ndezë jo vetëm Shqipërinë, por edhe Ballkanin. Në anë tjetër, Edi Rama ka zgjedhur opozitën e vakive. Ai po shfaqet i lodhur dhe i drobitur dhe shfaqet në TV sa herë që ka për të bërë ndonjë qokë pas ndonjë varrimi, apo në kujtim të ndonjë të vrari. Natyrisht kjo është një politikë njerëzore. Mirëpo ai ose nuk mundet, ose ka frikë, ose e di që me vota Berishën nuk e mund dot. Po atëherë çfarë duhet bërë? Në këtë pikë Kreshnik Spahiu ka të drejtë. Pa u rrëzuar Berisha nuk duhet të bëhen zgjedhje. Më 23 qershor do të jetë vonë.

 

Nga Ylli Yzeiri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu