Shqipëri-Zvicër, bllokohen mbi 300 kg hashash

0
714

Tiranë, 21 mars- Një linjë e re e trafikut të drogës së prodhuar në Shqipëri, me destinacion Zvicrën, është zbuluar nga policia e kryeqytetit në një operacion që solli sekuestrimin e mbi 300 kg kanabis dhe arrestimin e gjashtë personave.

Në pranga ka përfunduar kreu i grupit kriminal, bashkë me dy vëllezërit që bënin transportin dhe tre mbajtësit dhe gardianët e lëndës narkotike.

Megjithatë, policisë i ka shpëtuar personi i shtatë, i cili dyshohet se realizonte kalimin e lëndës narkotike nga Kosova drejt Zvicrës.Antidroga e kryeqytetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe shërbimet e Policisë së Kukësit, në orët e vona të natës, në kuadër të operacionit të koduar “Trafik”, bënë të mundur sekuestrimin e një sasie prej 320 kg lëndë narkotike, e dyshuar kanabis.

Falë organizimit dhe zhvillimit të këtij operacioni, u arrit të kapen dhe arrestohen në flagrancë 6 persona. Sipas të dhënave zyrtare, në pranga përfunduan Shkëlqim Qazim Leka, 34 vjeç, Kujtim Qazim Leka, 35 vjeç, Agron Laver Hyseni, 43 vjeç, Gerti Gëzim Goxhaj, 29 vjeç, Altin Osman Imami, 24 vjeç dhe Erjon Astrit Hoxha, 32 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Gjithashtu, u shpall në kërkim një shtetas nga Kosova, gjeneralitetet e të cilit nuk bëhen të ditura për arsye hetimi. Këta persona u kapën në pikën e kalimit kufitar Morinë, në tentativë për të kaluar kufirin në drejtim të Kosovës.

Gjatë operacionit për kapjen e tyre, shtetasit kanë bërë rezistencë ndaj forcave të policisë, duke tentuar të largohen me automjetet e tyre, por ndërhyrja ka qenë e shpejtë dhe vendimtare për arrestimin në kohë, pa pasur asnjë të lënduar. Policia tha se ka mundur të arratiset në drejtim të Kosovës vetëm kosovari, i cili kishte kaluar pikën e kalimit kufitar para ndërhyrjes së saj për arrestimin e tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu