Shqipëria, aleati më besnik i armiqve të saj

0
12

Shërbimi Informativ Shtetëror, Shërbimi Informativ i Ushtrisë si dhe mekanizmat e tjerë që përgjigjen për Sigurinë Kombëtare në Shqipëri kanë kohë që nuk funksionojnë. Funksionon vetëm sistemi i shpërndarjes së rrogave, por fatkeqësisht as opozita nuk ndjehet për problemet e Sigurisë Kombëtare. Kjo ndodh ngaqë në rast se shembet, digjet, permbytet apo fundoset Shqipëria, asnjë nga qeveritarët dhe politikanët e lartë shqiptarë nuk dëmtohet.

Prej kohesh analistë, sidomos të huaj, të ketyre problemeve, kanë dhenë alarmin e militarizimit të Serbisë me armatim të sofistikuar rus. Ndërkohë, siç dihet dhe nuk është mohuar nga askush, Serbia është shndërruar në njeë bazë jo sekrete ushtarake dhe spiunazhi të Rusisë. Të ashtuquajturat “Qendër Humanitare” në Nish dhe në kufi me Kosoven janë baza të gjera të spiunazhit rus, të cilat koordinojnë, provokojnë dhe zhvillojnë operacione diversive kundër Kosovës dhe stabilitetit ballkanik në tëresi.

Serbia i është bashkëngjitur grupit të varur nga gazi dhe ekonomia ruse, po zhvillon marrëdhënie të ngushta e të hapura me Organizatën e Traktatit të Sigurisë Kolektive (organizate politiko-ushtarake kundërpeshë e NATO-s) e cila kontrollohet tërësisht nga Rusia. Dhe në fund shërbimet e fshehta ruse kontrollojnë shumicën e hallkave të rëndësishme të jetës ekonomike, politike dhe strategjike të shtetit serb. Për të mos përmendur këtu dhe faktin që edhe Kisha serbe është një shtojcë e asaj ruse.

Presidenti serb, Vuçiç, është zhytur në borxhe disafish ndaj Putinit dhe për shkak të konvergjencave të interesave ai po zbaton dhe do të zbatojë direktivat e Moskës, të cilat janë kontrolli i Ballkanit Perëndimor. Për këtë duhet kontrolli i Serbisë, defaktorizimi ekonomik e diplomatik i Kosovës si dhe aneksimi politik i Shqipërisë.

Gjithsesi, jemi përpara faktit të kryer që Serbia tashmë është thjesht një avantpost ushtarak i Republikës Ruse, ose thënë më thjesht, një armë në duart e Vladimir Putin. Putin po përpiqet me sukses që të shfrytëzojë angazhimin e pjesës më të madhe të forcës amerikane në rivalitetin e saj me Kinën. Kjo presupozon një farë minimizimi të kujdesit dhe vëmendjes amerikane ndaj Ballkanit Perendimor. Ideja ruse është që të provokojë konflikte, sidomos serbo-shqiptare në zonat kufitare midis Serbisë dhe Kosovës, ku ajo ka të gatshme një kompleks forcash për të ndihmuar motrën e vogël Serbinë, e cila propagandon se populli serb është një viktimë e Perëndimit armik.

Këto lloj zhvillimesh shumë negative, të rrezikshme për paqen dhe tejet alarmante, kanë rënë në sy deri tek kongresmenë e senatorë amerikanë, apo tek analistë prestigjiozë të mediave me të rëndesishme botërore. Sepse nuk është aspak e vështirë të kuptosh atë që po ndodh para syve të të gjithëve. Kësisoj nuk mund të thuhet se mekanizmat shtetërore të Sigurise Kombëtare në Shqiperi nuk e shohin.

Kjo do të thotë se Siguria Kombëtare nuk është prioritet i tyre. Ose mendojnë si njëthundraku i famshëm se gjithçka është duke ndodhur në ëndërr. Për më keq akoma, sot, viktima e parë e mundshme e ofensivës serbo-ruse, Shqipëria, rezulton të jetë aleatja më besnike e Serbisë, çka përbën një paradoks absurd e të shëmtuar dhe antishqiptar. Tashmë politikat, diplomacia dhe gjithë energjia e shtetit shqiptar po investohet në “asfalt” për të shtruar “autostraden” Moske-Beograd-Durrës.

©Alfons Zeneli

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu