“Shqiperia”, Blasfemitë e Ben Blushit

0
651

Ben Blushi në Promivimin e Librit

Ky është libri i ri i Ben Blushit. Ky yll i madh i verdhë poshtë titullit “Shqipëria”, fsheh poshtë kapakëve një histori plot blasfemi. Çfarë është ZOTI? A është kjo botë e ndërtuar si duhet? A është e përkryer? A nuk është rasti të niset gjithçka nga zero? Në një ishull të shkretë…një botë e re…Nga dikush që befas e ndjen se është ZOT!
Po. Lekë Dukagjinit s’i pëlqeu mënyra sesi Zoti e ndërtoi botën. Atij i shkrepi në mend të bëhet vet Zot. Bota utopike e tij është pa kushtëzimet e botës aktuale. Ajo nuk ka para, nuk ka seks, nuk ka dashuri, nuk ka pronë etj. Për të ndërtuar botën e tij të re, ai merr 100 fëmijë. Ata janë krejt të pastër. Nuk e njohin paranë, pronën, dashurinë, seksin, traditat, familjen. Ata nuk kanë asnjë lidhje me botën aktuale. Lekë Dukagjini i shpie fëmijët në një ishull të pabanuar diku në Mesdhe. Bota e tij utopike përmban të gjithë personazhet, si Enveri, Mehmeti, PD-ja…dhe të gjithë këta janë në një kontekst tjetër.
Por, ja që kjo botë utopike vihet në rrezik një ditë nga një dashuri. Pikërisht ajo e shkatërron këtë botë, e shkërmoq. Banorët e saj përfundojnë në një eksod të madh….
Pak a shumë, kjo është një metaforë e historisë së Shqipërisë, e personazheve që e bënë këtë histori, e epokave të saj, kthesave të befta a të zvarritura, plagëve dhe paradokseve.
“Shqipëria”, romani i tretë i shkrimtarit, është thjesht një stacion i ri, plot kurthe joshjeje për lexuesit. Është një libër, i cili e tërhoqi për një kohë të gjatë, diku në heshtje shkrimtarin, larg zhurmës e kaosit mediatik të politikës, në një “ishull” thuajse utopik, si bota dhe personazhet e këtij libri.
Pas dy sukseseve të para, me botimet e Toenës “Të jetosh në Ishull” dhe “Otello, Arapi i Vlorës”, ky libër ka sjellë për shkrimtarin edhe një ndryshim sa i takon botimeve. Tashmë Blushi ka nënshkruar kontratë me botuesin e tij të ri (botimet “Mapo”), ku drejtuesit na thonë se kanë një plan të thellë e të detajuar për ta kthyer shkrimtarin tashmë edhe në një fenomen letrar evropian. Lexuesit shqiptarë janë mësuar me këtë befasi letrare, me gjetjet e zgjuara, stilin e shkrifët e tërheqës, shkapërderdhjet brilante të fabulave, skalitjen e kujdesshme të personazheve, me mesazhet dhe idetë që ngacmojnë fantazinë e leximit dhe ngjallin debatin publik. A do të ndodhë me këtë roman e njëjta gjë? Lexuesit duhet të presin ende edhe pak. Libri s’ka mbërritur ende në libraritë e vendit, por pak fjalë për të ia vlente të thuheshin që tani.

Nga: Admirina Peçi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu