Shqipëria i shpalli luftë Greqisë pa Ushtri, dekreti u shfuqizua një herë nga Colakoglu

0
770

Sipas praktikës që përdornin agresorët nazifashistë kur vendosnin të pushtonin një vend, nuk i shpallnin luftë atij vendi, por e sulmonin pa paralajmërim me ushtritë e tyre dhe e bënin pushtimin fakt të kryer. Kështu vepruan hitlerianët më 15 mars 1939, kur tri javë përpara se Italia të pushtonte Shqipërinë sulmuan Çekosllovakinë. Kështu ndodhi edhe me Shqipërinë më 7 prill 1939. Okupacioni fashist i 7 prillit do të thoshte zhdukja e Shqipërisë nga harta politike botërore si shtet i lirë, sovran dhe i pavarur. Dihet se pushtimin ushtarak, Benitto Mussolini, për konsum propagandistik nuk e quajti aneksim. Fill pas pushtimit, më 12 prill 1939, një e ashtuquajtur “asamble kombëtare” e përbërë nga kolaboracionistë shqiptarë shpalli të ashtuquajturin “bashkim të kurorës”, pra bashkimin e Shqipërisë me Italinë nën një mbret të vetëm, Viktor Emanuelin III, i cili do të quhej “Mbreti i Italisë dhe i Shqipërisë dhe Perandor i Etiopisë”. Në bazë të kësaj formule, Shqipëria do të vazhdonte të ekzistonte si një shtet më vete, i cili do të kishte si sovran po atë mbret që kishte Italia. Do të ishte pra, ashtu siç trajtohej Etiopia, e cila ‘de facto’ dhe ‘de jure’ ishte shndërruar në koloni, kurse formalisht do të vazhdonte të ekzistonte si perandori, ashtu siç kishte qenë para se të pushtohej nga Italia fashiste. Në bazë të këtij formulimi demagogjik, Shqipëria do të ekzistonte si një shtet më vete. Mbretin italian do ta përfaqësonte një Mëkëmbës gjithashtu italian (Luogo tenente). Shqipëria do të kishte një qeveri të veçantë – qeverinë shqiptare. Por, orvatjet e arkitektit të këtij skenari, Benitto Mussolinit për ta paraqitur Shqipërinë sikur ajo vazhdonte të ekzistonte si një shtet më vete, dështuan. Përdorimi i dhunës ushtarake në pushtimin e Shqipërisë, prania e forcave të armatosura italiane në mbarë vendin, veprimtaria e “qeverisë” sipas urdhrave që vinin nga Roma, tregonin se Shqipëria nuk ishte më shtet i pavarur. Veç kësaj, “qeverisë” së Tiranës i mungonin dy nga tri shtyllat kryesore të domosdoshme për të qenë një qeveri e pavarur. Ajo nuk kishte as Ushtri Kombëtare për të mbrojtur ekzistencën e saj të pavarur nga jashtë, as Ministri të Punëve të Jashtme për të zhvilluar veprimtarinë e saj të pavarur në arenën ndërkombëtare. Rekrutët shqiptarë do ta bënin shërbimin ushtarak si shtojca të ushtrisë italiane. E ashtuquajtura Qeveri e Tiranës, e kryesuar nga Shefqet Vërlaci, u lejua të ushtronte vetëm funksione administrative, gjithnjë nën direktivat e Romës. Si e tillë, ajo nuk ishte qeveri e shtetit shqiptar, por një hallkë administrative e shtetit fashist italian. E thënë shkurt, ajo nuk ishte një qeveri politike e një shteti të lirë dhe sovran, por një organ administrativ për të qeverisur vendin sipas normave që vinin nga Roma fashiste.
Për të gjitha këto arsye, skenari i kurdisur nga Benitto Mussolini për ta paraqitur okupacionin ushtarak të Shqipërisë si një ndryshim të regjimit të brendshëm, nuk pati sukses. Asnjë nga shtetet e botës nuk vazhdoi ta njihte Shqipërinë si një shtet më vete. Skenarin e Mussolinit nuk e pranuan as aleatët e ngushtë të tij. Hitleri, kancelari gjerman, e tërhoqi ambasadën gjermane nga Shqipëria. Në Tiranë la vetëm një konsull, i cili u vu në vartësinë e konsullit të përgjithshëm që kishte Gjermania në Romë. Kështu vepruan edhe aleatët e tjerë të Italisë fashiste. Madje, kështu vepruan edhe fuqitë e kampit demokratik. SHBA-ja, Anglia, Franca, njësoj si dhe kundërshtarët e tyre, udhëheqësit e Bashkimit Sovjetik, e njohën ‘de facto’, dikush edhe ‘de jure’, pushtimin fashist të Shqipërisë më 7 prill 1939. Midis atyre që e njohën pushtimin e 7 prillit 1939 ishte edhe Greqia. Kjo do të thoshte se pas 7 prillit 1939, Shqipëria, edhe për Athinën nuk ekzistonte më si shtet i pavarur.
Më 9 qershor 1940, një ditë para se Italia fashiste t’i shpallte luftë Anglisë dhe Francës, mbreti i Italisë, Viktor Emanueli III, nënshkroi, pa pyetur qeverinë kuislinge të Tiranës, një dekret të posaçëm për Shqipërinë – dekreti nr. 194, i cili u botua në gazetën zyrtare të Shqipërisë, nr. 93, datë 10 qershor 1940.
Në nenin 1 të dekretit thuhej: “Mbretëria e Shqipërisë pranon se është në luftë me shtetet me të cilët do të jetë në luftë mbretëria e Italisë”. Në bazë të këtij dekreti, gatuar në kuzhinën e Mussolinit kur të nesërmen, më 10 qershor 1940 Italia i shpalli luftë Anglisë dhe Francës, Shqipëria detyrimisht u ndodh pa dëshirën e saj në gjendje lufte me dy Fuqitë e Mëdha perëndimore. Kjo situatë u përsërit edhe më 28 tetor 1940, kur Italia fashiste i shpalli luftë Greqisë. Po atë ditë, qeveria kuislinge e Tiranës e kryesuar nga Shefqet Vërlaci, ishte e detyruar nga ligji i përmendur të solidarizohej me Romën.
Shpallja e luftës Greqisë nga qeveria kolaboracioniste e Shefqet Vërlacit ishte e qartë se nuk shprehte vullnetin e Shqipërisë, por atë të Benitto Mussolinit. Kjo, për arsye se Shqipëria, përveçse ishte një vend i pushtuar, nuk kishte as Ministri të Jashtme që t’i përcillte Athinës vendimin e Tiranës për shpalljen e luftës, as Ushtri Kombëtare që të zhvillonte në emër të Shqipërisë veprimet luftarake kundër ushtrive greke. Për më tepër, për Greqinë, shpallja e luftës kundër saj nga “qeveria” e Tiranës ishte pa pikë vlere, përderisa për Athinën nuk ekzistonte më një shtet shqiptar sovran dhe i pavarur. Pikërisht me këtë qëndrim absurd të Greqisë fillon kalvari që çështja shqiptare pësoi në Konferencën e Paqes në vitin 1946, thelbin e së cilës e përbënte çështja nëse më 1940 Shqipëria ishte ose jo agresore ndaj Greqisë.
* * *
Duket se në fillim Athina nuk e mori në konsideratë shpalljen e luftës nga ana e Shqipërisë, mbasi nuk e ngarkoi menjëherë Tiranën me përgjegjësi. Vetëm kur dy javë më vonë ushtritë italiane filluan të tërhiqeshin nga territori grek dhe kur ushtritë helenike filluan të marshonin si fitimtarë në tokën shqiptare, Athina u kujtua t’i përgjigjej Shqipërisë. Më 10 nëntor 1940 mbreti i Greqisë nënshkroi dekretin “Mbi cilësimin e Italisë dhe Shqipërisë si shtete armike dhe efektet për mbi to”, me fuqi prapavepruese nga data 28 tetor 1940. Shtojmë me këtë rast se qeveria kuislinge greke e gjeneralit Colakoglu, me cilësinë e tij si kryetar shteti, e abrogoi dekretin mbretëror të 10 nëntorit 1940. Por, katër vjet më vonë qeveria mbretërore greke e risolli në fuqi dekretin e 10 nëntorit me një dekret të veçantë që nënshkroi më 1944. Kur më 22 tetor 1947 Greqia ratifikoi traktatin e paqes me Italinë, juristët menduan se me këtë rast ishte ratifikuar edhe paqja me qeverinë shqiptare, përderisa ajo ishte në sovranitetin e mbretit të Italisë. Por Athina vazhdoi ta konsideronte Shqipërinë në gjendje lufte duke pretenduar që të lidhte një paqe të veçantë me Tiranën.
Sidoqoftë, lufta që shpalli Roma fashiste kundër Greqisë së pavarur ishte një fatkeqësi historike jo vetëm për Greqinë, por edhe për vetë Shqipërinë. Për Greqinë ishte fatkeqësi mbasi vihej në pikëpyetje pavarësia e saj. Për Shqipërinë, e cila e kishte humbur pavarësinë, ajo ishte fatkeqësi mbasi, jo për faj të saj dhe jashtë vullnetit të saj, në territorin e saj jugor u zhvilluan luftimet italo-greke të cilat i shkaktuan vendit dëme kolosale.
* * *
Tezën se Shqipëria i shpalli më 28 tetor 1940 luftë Greqisë, kryeministri grek Kostandin Caldari e përsëriti me këmbëngulje të jashtëzakonshme në Konferencën e Paqes gjatë verës së vitit 1946. Pothuajse në çdo seancë të Konferencës së Paqes kryeministri grek përsëriste si refren se më 1940 Shqipëria i kishte shpallur luftë Greqisë dhe si agresore Tirana duhej ta shpërblente Athinën me të ashtuquajturin “Vorio-Epir”. Jo pak vëzhgues vunë në dukje në atë kohë se kryeministri grek Caldari e stigmatizonte deklaratën e kolaboracionistit shqiptar Shefqet Vërlaci më me egërsi sesa atë të Benitto Musolinit, me aq egërsi sa cilido që nuk e njihte zhvillimin e vërtetë të ngjarjeve mund të kujtonte se më 28 tetor 1940 luftën e provokoi Shqipëria, kurse Italia veproi si satelite e Tiranës. K. Caldari kërkonte me çdo kusht që Shqipëria të cilësohej patjetër si shtet agresor ndaj Greqisë, njësoj siç ishin cilësuar Italia, Gjermania dhe Bullgaria. Ai pretendonte si shpërblim për këtë agresion aneksimin, siç u tha, të të ashtuquajturit “Vorio-Epir”, i cili përmblidhte dhjetë rrethe të qarkut të Korçës e të Gjirokastrës. Mëse një herë përfaqësuesit e disa shteteve pjesëmarrëse në Konferencë i kujtuan delegacionit grek se Shqipëria gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte një vend i pushtuar, prandaj nuk kishte përgjegjësi për mëkatet që kryenin pushtuesit fashistë, të cilët ishin në të njëjtën kohë pushtuesit e saj. Veç kësaj, jo pak prej tyre i kujtuan Athinës se Shqipëria e vërtetë kishte zhvilluar një luftë të rëndësishme kundër agresorëve fashistë italianë dhe se luftën e tyre nacionalçlirimtare e kishin vlerësuar me kohë anëtarët e koalicionit të madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan. Me këtë rast është për t’u shënuar se, e detyruar nga dekreti i Viktor Emanuelit III të 9 qershorit 1940, qeveria kolaboracioniste e Tiranës, e kryesuar nga Shefqet Vërlaci, më pas nga Mustafa Kruja, i kishte “shpallur” luftë edhe Anglisë, Francës, Jugosllavisë, SHBA-së, Bashkimit Sovjetik, por asnjëri prej tyre nuk e konsideronte Shqipërinë si agresore, sepse ishin të bindur se përgjegjësinë nuk e kishte Shqipëria, e cila nuk ekzistonte si shtet i pavarur, por agresorët nazifashistë. Kryeministri grek Caldari gjatë seancave të Konferencës së Paqes theksonte se krahas ushtrive italiane kishin marrë pjesë në veprime luftarake edhe batalione shqiptare. Por ky pretendim nuk kishte bazë as politike, as juridike. Para së gjithash, sikurse u tha, Shqipëria pas 7 prillit 1939 meqenëse nuk ishte shtet i pavarur, nuk kishte as ushtri kombëtare. Repartet e formuara me rekrutë shqiptarë ishin shtojca të ushtrive kombëtare italiane. Ato merrnin urdhra nga komanda ushtarake e Italisë. Të tilla reparte me elementë vendës në shërbim të hitlerianëve ishin rekrutuar si në Francë, Belgjikë, Holandë, Jugosllavi, madje dhe brenda në Greqi. Qeveritarët helenë nuk pranojnë t’u kujtosh atyre veprimet antidemokratike të qeverisë së kolaboracionistit grek Colakoglu, të cilët persekutonin njësoj si kolaboracionistët shqiptarë patriotët që luftonin për lirinë e Helladës.
Është e vërtetë se në Fletoren Zyrtare të shtetit shqiptar janë botuar gjatë vjeshtës 1940 dekrete të Mëkëmbësit Mbretëror të Italisë në Shqipëri, Fr. Jacomoni, me të cilat urdhërohet pjesëmarrja e nëntë batalioneve shqiptare si pjesë të ushtrisë italiane në frontin grek. Megjithatë, pjesëmarrja e tyre në front mbeti në letër. Nga gurguleja e protestave të vetë rekrutëve, disa nga batalionet e ashtuquajtura vullnetare nuk shkuan fare në front. Nga katër batalione të rregullta që u nisën detyrimisht në front, njëri prej tyre u dorëzua tek ushtritë greke pa shkrehur asnjë pushkë. Tri të tjerat refuzuan të merrnin pjesë në luftime, si rrjedhim ato u tërhoqën menjëherë nga fronti dhe u vendosën në kampe përqendrimi të ngritura posaçërisht për ta në Shijak.
Dëshmi është fakti se në buletinet e luftës të atyre javëve nuk shënohet asnjë aksion luftarak i reparteve shqiptare dhe nuk përmendet asnjë ushtarak shqiptar që të ketë rënë në fushën e luftës ose të jetë dekoruar për qëndrim trimëror në luftime – me përjashtim të bajraktarit nga veriu, Kolë Bibë Mirakaj, i cili shënohet se mbeti i plagosur në këmbë, por se në cilën betejë, nuk është cilësuar. Dëshmi e dytë është fakti se kur në prill të vitit 1941, Greqia u pushtua nga ushtritë gjermane dhe italiane, Shqipërisë nuk iu dha Çamëria e premtuar, ndoshta për qëndrimin pasiv që repartet shqiptare mbajtën gjatë luftës. U dha një shpërblim për dëmet që kishte pësuar vendi gjatë luftimeve dhe jo për kontributin që dha në fitoren e luftës. Veç kësaj, Benito Musolini, në një letër drejtuar Adolf Hitlerit, thotë se një nga shkaqet për mossuksesin e ushtrive italiane në frontin e Greqisë ishte edhe refuzimi i reparteve shqiptare për të marrë pjesë në veprimet luftarake kundër ushtrive greke.
* * *
Kush lexon aktet e Konferencës së Paqes së vitit 1946 në Paris bindet se Greqia në përpjekjet e veta për t’i bindur pjesëmarrësit e saj se Shqipëria ishte agresore dhe për pasojë Athina duhej të shpërblehej me viset e Shqipërisë së jugut, dështoi plotësisht. Përkundrazi, debati që u zhvillua në Konferencën e Paqes përfundoi me miratimin e tezës se Shqipëria me luftën e saj nacioanl çlirimtare, ishte si dhe Greqia, pjesëtare e koalicionit të madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan, prandaj asaj nuk mund t’i shkëputej asnjë pëllëmbë tokë. Kështu u hodh poshtë pretendimi i Athinës për të shkëputur nga Shqipëria të ashtuquajturin “Vorio-Epir” në favor të Greqisë. Këtë qëndrim mbajti dhe Uashingtoni, edhe pse u tregua i gatshëm ta kënaqte Athinën në kërkesat e saj. E ndjejmë nevojën të përsëritim se teza e mbrojtur me kaq ngulm nga Athina se gjatë luftës italo-greke Shqipëria ishte agresore ndaj Greqisë, dështoi zyrtarisht dhe publikisht. Madje, në përfundim të Konferencës së Paqes u vendos që Italia të shpërblente ashtu si Greqinë edhe Shqipërinë për dëmet që u kishte shkaktuar, natyrisht në sajë të kontributit, Greqinë disa herë më tepër se sa Shqipërinë. Me këto veprime shpresohej se Athina duhej ta vinte në arkiv dosierin për pretendimin e saj ndaj “Vorio-Epirit”, të cilët jo pak vëzhgues të huaj kishin menduar se duhej të ishte vënë në arkiv që në mbarim të Luftës së Parë Botërore. Duket se Athina nxorri tjetër konkluzion, se shpresat për aneksimin e të ashtuquajturit “Vorio-Epir” mund të ishin shuar, por jo projekti për t’i dhënë asaj një autonomi provinciale me karakter etnik grek, ashtu siç ajo e organizoi më 1914. Kjo është, sipas mendimit tonë, platforma që ndoqën qeveritarët grekë pas Luftës së Dytë Botërore.
* * *
Mbajtja e ligjit të luftës, sipas Athinës, nuk duhet ta pengonte Greqinë që t’i forconte marrëdhëniet miqësore me Shqipërinë. Pavarësisht se për historianët ky është një koncept deri diku absurd – hem miq, hem armiq – kjo platformë deri sot ka rezistuar në marrëdhëniet shqiptaro-greke. Autorët e vërtetë të këtij koncepti janë qeveritarët e Athinës, pasardhësit e Kostandin Caldarit. Janë ata që e udhëheqin këtë valle. Qeveritarët shqiptarë deri sot janë ata që mbajnë iso-n. Këta me të drejtë mendojnë se në rrugën që ka marrë sot Europa – me NATO-n dhe me Bashkimin Europian – ligji i luftës duket sikur është pa vlerë. Kam përshtypjen se grekët, të cilët zakonisht mendojnë më tepër për të ardhmen, mbase kanë ndopak të drejtë. Derisa Shqipëria, mendojnë ata, e pranon miqësinë brenda armiqësisë, ne do ta mbajmë ligjin e luftës, sepse nuk dihet ç’sjell e nesërmja. Kjo do të thotë, sipas mendimit tonë, se ata do të vazhdojnë të ledhatojnë projektin e tyre të dashur për krahinën autonome të “Vorio-Epirit”.
Ndoshta Athina bën të tjera llogari që ne nuk jemi në gjendje t’i perceptojmë. Midis Athinës dhe Tiranës ka mbetur një çështje tjetër pezull, e cila është më e ndjeshme se ajo e “Vorio-Epirit”. Është çështja e çamëve. Çështja çame është më serioze se ajo e minoritetit grek që ka Shqipëria. Minoritarët grekë në Shqipëri nuk i përzë njeri. Ata gëzojnë të drejtat minoritare në atë masë sa i takon një minoriteti të vogël. Po çamët? Çamët myslimanë janë dëbuar nga atdheu i tyre. Të dëbuar si izraelitët e Biblës. Shqiptarët e krishterë të Çamërisë që jetojnë në Thesproti nuk guxojnë as të flasin shqip. Pyesim: Përse çamët myslimanë janë dëbuar? Akuza se kanë qenë bashkëpunëtorë të hitlerianëve ka qenë qesharake që në kohën kur i dëbuan, sepse faji ka përgjegjësi personale dhe jo familjare dhe sa më pak etnike. Nëse ka patur çamë që kanë bashkëpunuar me gjermanët, ashtu siç ka patur edhe grekë, atëherë duheshin identifikuar fajtorët dhe ata të dënoheshin. Me siguri që fajtorët e kohës së luftës sot që kanë kaluar gati 70 vjet nuk rrojnë më. Çështja e fajësisë është pra e mbyllur. Çamët e dëbuar që sot jetojnë si azilantë në Shqipëri nuk kanë kryer faj, sepse në kohën e Luftës së Dytë Botërore nuk kishin lindur ose ishin fëmijë. Ata deri më 1944 qenë brez pas brezi shtetas grekë. Ka prej tyre që kanë lindur në Thesproti (Çamëri) kurse të tjerët janë fëmijët e çamëve që kanë lindur në Thesproti. Qëndrimi armiqësor që mban shteti grek ndaj çamëve të shpërngulur nga organet shtetërore greke në vitin 1944-1945 – është një dhunë të cilën e dënojnë të gjitha parimet e të drejtave të njeriut. Qeveria greke deklaron se nuk pranon as të bisedojë për ta, madje ajo deklaron se nuk ekziston një çështje çame. Sikur të gjithë grekët të mbyllnin sytë dhe të zinin veshët, çështja çame do të ekzistojë, mbasi është e lidhur ngushtë me ndjenjat më fisnike të njeriut, me dashurinë ndaj atdheut. Si është i mundur sot një pohim i tillë? Kjo është një nga pikat më të dobëta në marrëdhëniet shqiptaro-greke. A ka lidhje çështja çame me ligjin e gjendjes së luftës? E kemi vështirë ta besojmë, por edhe ta kundërshtojmë. Çështja çame lindi në kuadrin e politikës greke të pastrimit etnik dhe u ushqye nga qeveria greke me frymën e ligjit të gjendjes së luftës. Sidoqoftë, janë dy çështje që nuk kanë lidhje të domosdoshme me njëra-tjetrën. Çdo lidhje e domosdoshme që mund të bëhet midis tyre është artificiale. Çamët fatkeqë do të vazhdojnë të kërkojnë të drejtat e tyre njerëzore, pavarësisht se ekziston ligji i gjendjes së luftës. Ligji i gjendjes së luftës, është apo nuk është në fuqi, Shqipëria do të vazhdojë të kërkojë rregullimin e problemit çam.
* * *
Kthehemi përsëri te ligji i gjendjes së luftës. Vazhdimisht qarqet qeveritare greke kanë deklaruar se ligji i luftës, edhe nëse formalisht nuk është abroguar, nuk ka më fuqi, përderisa Greqia dhe Shqipëria kanë lidhur më 1971 marrëdhënie diplomatike të rregullta midis tyre; përderisa më 1987 me Vendim të Këshillit të Ministrave ligji i luftës u shfuqizua nga qeveria e A. Papandreut; përderisa Greqia ka pranuar me dashamirësi në gjirin e saj rreth gjysmë milioni emigrantë shqiptarë; përderisa Athina dhe Tirana janë anëtarë të NATO-s dhe përderisa më në fund të dyja palët kanë vendosur të bashkëjetojnë në paqe të përjetshme në bashkësinë europiane. Të gjitha këto argumente janë me vend. Shtojmë nga ana jonë se pala shqiptare, me përjashtim të kolaboracionistëve, nuk e ka njohur asnjëherë ligjin e gjendjes së luftës. Megjithatë, shqiptarët nuk arrijnë ta kuptojnë përse Greqia nuk e ka shfuqizuar ligjin mbi gjendjen e luftës të shpallur me dekret mbretëror më 10 nëntor 1940, kurse Shqipëria e ka denoncuar aktin e qeverisë kolaboracioniste me luftën e saj nacionalçlirimtare, me vendimet historike të Kongresit të Përmetit më 24 maj 1944, me ligjin nr. 61, datë 17 maj 1945, me të cilin shpalli të paqena (nul) statutet, ligjet, dekretet etj., që ishin nxjerrë gjatë pushtimit.
Në të vërtetë, ligji i gjendjes së luftës me Shqipërinë është abroguar nga pala greke, nga Këshilli i Ministrave më 1987. Por, Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk është ligj. Si i tillë, ai nuk mund ta abrogojë ligjin mbretëror mbi shpalljen e gjendjes së luftës të Greqisë kundrejt Shqipërisë, të cilin e nënshkroi sovrani grek. Ligji i gjendjes së luftës i shpallur më 10 nëntor 1940 konsiderohet i abroguar përfundimisht vetëm po të shfuqizohet nga një dekret nga kryetari i shtetit grek. Përderisa kryetari i shtetit grek nuk e ka shfuqizuar, ligji i gjendjes së luftës, edhe pse i çalë, edhe pse absurd, qëndron ende në fuqi. Shqiptarët, natyra i ka brumosur skeptikë si Shën Thomanë, i cili do të bindej se Krishti u ngjall, vetëm po të prekte me dorë shenjat e kryqëzimit.
Shqiptarët pyesin: Përderisa ligji i gjendjes së luftës nuk ka fuqi, përse nuk e dërgojnë në kosh? Përse nuk i qetësojnë shqiptarët, të cilët janë të vendosur për miqësi të përjetshme me Greqinë? Shkurt: Përse presidenti i Republikës Greke, zoti Karolos Papulias nuk na solli në Shqipëri lajmin kaq të dëshiruar nga shqiptarët, se Greqia e kishte shfuqizuar ligjin e gjendjes së luftës, të dekretuar më 10 nëntor 1940?
Shënim: Titulli origjinal: “Rreth çështjes së ‘gjendjes së luftës’ së Greqisë me Shqipërinë”. Titujt janë vendosur nga redaksia

 

Nga: Kristo Frashëri

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu