Shqipërisë ju kthye Shën Naumi

0
979
she%cc%88n-naumi
10:14 / E diell, 16 Tetor 2016

 Prof Dr Kristo Frashëri

Qeveria e kryesuar nga Fan Noli, e cila erdhi në fuqi fill pas fitores së Revolucionit të Qershorit, gjeti të pazgjidhur dy çështje kufitare me dy fqinjët e Shqipërisë – me Jugosllavinë kufirin në sektorin e Manastirit të Shën Naumit dhe atë të Velipojës së Vermoshit, kurse me Greqinë problemin e 14 fshatrave në sektorin lindor të rrethit të Bilishtit të cilat mbaheshin ende të pushtuara nga ushtria greke. Prej tyre, më këmbëngulëse në kërkesat e saj vazhdonte të tregohej qeveria jugosllave. Në fakt, sikurse u pa, të gjitha përpjekjet diplomatike që kishte ndërmarrë qeveria e Beogradit për të ndryshuar vendimet, të cilat i kishin dhënë të drejtë Shqipërisë, kishin dështuar. Kur qeveria e Nolit erdhi në fuqi, Britania e Madhe kishte propozuar, sikurse u tha, që çështja e Shën Naumit të konsiderohej e përfunduar në bazë të vendimit që kishte marrë Konferenca e Ambasadorëve më 6 tetor 1922. Këtë propozim të Londrës Konferenca e Ambasadorëve ia përcolli Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Më 17 qershor 1924 (kur A. Zogu ishte emigrant në Jugosllavi), Këshilli i Lidhjes së Kombeve para se t’ia përcillte Tiranës e Beogradit vendimin e Konferencës së Ambasadorëve, meqenëse u bind se çështja kishte thjesht karakter juridik, i kërkoi Dhomës së Përhershme të Drejtësisë Ndërkombëtare në Hagë (Holandë) një mendim konsultativ në lidhje me pretendimet e të dyja palëve për çështjen e Manastirit të Shën Naumit.

 

Qeveria e Beogradit e paraqiti përkujtesën e saj në Gjykatë më 14 korrik 1924. Ajo është më tepër një deklaratë e thjeshtë sesa një argumentim juridik. Meqenëse qeveria e Beogradit, thuhej në deklaratën e saj, Manastirin e Shën Naumit e ka patur nën administrim pa ndërprerje që nga viti 1913, ky fakt, pretendonte ajo, i jepte të drejtë Jugosllavisë ta zotëronte atë edhe në të ardhmen. Si rrjedhim, shtonte ajo, t’ia mohosh Jugosllavisë pas kaq vitesh Manastirin e Shën Naumit, ishte një ndëshkim për një shtet që kishte luftuar përkrah Antantës. Parashtresa e qeverisë së Beogradit mbështetej mbi argumente të njohura e të konsumuara më parë nga Konferenca e Ambasadorëve. Sidoqoftë, ajo e mbyllte memorandumin me një ultimatum, se pala jugosllave do të njihte vetëm zgjidhjen që do të merrej në favor të saj.

 

Argumentet që parashtroi qeveria shqiptare e kryesuar nga Fan Noli, qenë më bindëse. Sipas saj, një çështje e vendosur mund të rishikohej nëse dilnin në shesh argumente të reja të panjohura më parë. Si rrjedhim, mbi bazë të këtij kriteri juridik, Konferenca e Ambasadorëve nuk kishte të drejtë ta rishikonte vendimin që ajo kishte marrë më 6 dhjetor 1922, mbasi pala jugosllave nuk sillte asnjë argument të ri të panjohur. Si përfundim, qeveria shqiptare e kryesuar nga Fan Noli, denonconte si agresore qeverinë jugosllave, e cila mbante vazhdimisht të pushtuar ushtarakisht Manastirin e Shën Naumit me ushtritë e saj që përpara Luftës së Parë Botërore.

 

Gjykata e Hagës nuk u tërhoq. Më 4 shtator 1924 ajo i ktheu përgjigje Këshillit të Lidhjes së Kombeve, se e njihte të drejtë vendimin që kishte marrë Konferenca e Ambasadorëve më 6 dhjetor 1922, i cili ia linte Shqipërisë Manastirin e Shën Naumit. Një muaj më vonë, më 6 tetor 1924, Këshilli i Lidhjes së Kombeve ia përcolli mendimin konsultativ të Gjykatës së Hagës Konferencës së Ambasadorëve, për të njoftuar Tiranën dhe Beogradin, se vendimi i 6 dhjetorit 1922 mbetej në fuqi. Kjo do të thoshte se Jugosllavia duhej t’i tërhiqte ushtritë e saj nga Shën Naumi, mbasi vendimi i Konferencës së Ambasadorëve ishte i prerë, aq më tepër që ai vendim tani kishte miratimin edhe të Gjykatës së Hagës, madje edhe të Lidhjes së Kombeve.

Përgatiti Altin Kocaqi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu