Shqiptarët në rrjetin e trafikut me serbët

0
1147

TIRANË- Prokuroria për Krime të Rënda në kryeqytet prej një muaj ka nisur hetimet ndaj disa shtetasve shqiptarë të implikuar në trafikun e klandestinëve që përfundoi me mbytjen e varkës që transportonte 19 kosovarë, mes tyre edhe 9 fëmijë. Katër prej personave nën hetim tashmë janë të arrestuar. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të institucionit qendror të akuzës, sipas të cilëve, të arrestuarit Avni Tahiraj, Vesel Hasani, Renald Sheshi dhe Petrit Gjoni janë personat që bashkëpunonin me shtetas kosovarë dhe serbë, të cilët ishin pjesë e rrjetit të trafikut të klandestinëve para dhjetorit të 2010 nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas prokurorisë, të katër shtetasit shqiptarë ishin “organizatorët” dhe personat që gjenin njerëzit të cilët dëshironin të largoheshin nga Shqipëri në mënyrë ilegale drejt vendeve të ndryshme të Evropës kundrejt pagesës prej 3500 euro. “Prokuroria për Krime të Rënda në Tiranë, me ardhjen e letër-porosisë nga Kosova ka nisur hetimet ndaj shtetasve shqiptar, të cilët bashkëpunonin me shtetasit kosovar mes tyre shtetasin e arrestuar Naser Idrizi, që organizonin dhe trafikonin klandestinë në mënyrë ilegale drejt shtetasve të ndryshme të Evropës. Në mesin e klandestinëve, dyshohet se mund të ketë pasur edhe persona me precedentë penalë apo të shpallur në kërkim nga drejtësia shqiptare”,- thuhet nga burimet e prokurorisë. Sipas tyre, dyshohet se shtetasit shqiptar ishin pjesë e rrjetit të fuqishëm të trafikut të qenieve njerëzore, ku disa prej tyre janë arrestuar në Kosovë, Serbi dhe Hungari që trafikonin njerëz drejt perëndimit.

“Shtetasit shqiptar tashmë të arrestuar, dyshohet se bashkëpunonin me personat e arrestuar dhe të dënuar në Kosovë e Serbi të cilët kishin organizuar kalimin klandestinë në Tetor të 2009 të 19 shtetasve kosovarë me varkë nëpërmjet lumit Tisa nga Serbia në Hungari, ku nga mbytja e kësaj varke u zhdukën 15 kosovarë mes tyre 9 fëmijë”,- thuhet nga burimet e akuzës. Gjithashtu, po këto burime saktësuan se të arrestuarit Tahiraj, Hasani, Sheshi dhe Gjoni, pasi i gjenin njerëzit që dëshironin të iknin klandestinë, i hipnin ata në autobusët e linjës Tiranë-Prishtinë. Me të mbërritur në Prishtinë klandestinët, aty i merrnin në dorëzim shtetasit kosovarë, të cilët me makina i dërgonin në dy drejtime, sipas mundësive më të lehta për të kaluar në Serbi.

Njëra linjë e trafikut, sipas akuzës, ishte që personat klandestinë dërgoheshin në Mitrovicë dhe më pas në Serbi dhe linja e dytë që ishte më e shpeshtë ishte ajo drejt fshatrave të Gjilanit për të kaluar më pas në fshatin Konçul të Bujanocit. Aty klandestinët merreshin nga shtetas serbë, pjesë të rrjetit, që i dërgonin në qytezën e Suboticës ku fshiheshin nëpër banesa të ndryshme ilegale të rrjetit.

Më pas, në momentin më të përshtatshëm i kalonin klandestinët nëpërmjet lumit Tisa në Hungari ose vendkalimeve kufitare të Horgoshit dhe Kelebias. Pasi kalonin në Hungari, klandestinët dorëzoheshin tek shtetasit hungarez, të cilët i ndanin në dy grupe: ata që shkonin drejt Italisë kalonin nëpër Kroaci ose Slloveni dhe më pas përfundonin në Itali. Ndërsa, klandestinët që shkonin drejt vendeve të tjera perëndimore kalonin në Austri dhe më pas që aty largoheshin drejt destinacionit të tyre.

I gjithë ky itinerar, sipas akuzës, kushtonte 3500 euro për rrjetin dhe në momentin që klandestinët mbërrinin në destinacion shuma e parave dorëzohej të organizatori në Shqipëri. Sipas prokurorisë, të katër të arrestuarit dyshohet se kanë konsumuar veprat penale të “Dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit” në bashkëpunim në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”.

 

TË ARRESTUAR NË SHQIPËRI

Avni Tahiraj

Vesel Hasani

Renald Sheshi

Petrit Gjoni

 

TË ARRESTUAR NË KOSOVË

Naser Idrizi (nën hetim)

Avni Hajdari (i dënuar me 19 vjet burg dhe 250 mijë euro gjobë)

Shpejtim Ademaj (i dënuar me 17 vjet burg dhe 200 mijë euro gjobë)

Ismail Krapi (i dënuar me 8 vjet burg)

Shaip Selmani (i dënuar me 8 vjet burg)

Fatmir Pajaziti (i dënuar me 7 vjet burg)

Blerim Ademaj (i dënuar me 5 vjet burg)

Xhemajl Halilaj (i dënuar me 2 vjet burg)

 

TË ARRESTUAR NË SERBI

Josip Gjurasheviq organizatori (nga Subotica)

Atila Shiposh, (nga Subotica)

Joso Karimoviq, (nga Subotica)

Goran Maraviq, (nga Subotica)

Jovanka Koledin, (nga Subotica)

Abedin Iseni (nga Nasaleci i Bujanocit)

Ardin Iseni (nga Nasaleci i Bujanocit)

 

Lumi Tisa ku ndodhi tragjedia

Lumi Tisa është lum, dega më e madhe e majtë e Danubit. Lumi Tisa rrjedh nëpër fushën e Panonisë. Buron në Ukrainë në Karpate ne krahinën Bukovina dhe rrjedh nëpër Hungari, Rumani, Sllovaki dhe Serbi. Derdhet në Danub te Stari Slankamen. Lumi Tisa është e gjatë 1.358 km, ndërsa sipërfaqja e ujëmbledhësit është 157.186 m². Në Vojvodinë Tisa e ndan Baçkën me Banatin. Tisa është i lundrueshëm në një gjatësi prej 532 km. Gjatësia e Tisës nëpër Serbi është 168 km. Kanali i Baçkës e lidh Tisën me Danubin.

 

Flamur Vezaj

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu