“Shtëpia e verdhë” kërkojnë ballafaqim me Del Ponten

0
896

I zoti i shtëpisë së  shumëpërfolur thotë se  pranon hetimet vetëm nëse dëmshpërblehet nga shteti për dëmin që i kanë shaktuar familjes së tij

Mersinit i ka ardhur shpirti në majë të hundës nga të paftuarit  që trokasin  në derën e tij. Historia, që ai e quan një trillim, ende nuk ka të sosur. Ndaj është ca e vështirë të flasës me të zotin e “shtëpisë së verdhë”.  Është tejet dyshues, se mos edhe ne, jemi pjesë e agjentuarave të huaja. Sipas Mersinit, ata kanë stisur  këtë histori me vrasje, ushtarë serb e trasplante organesh jetësore. E pasi bindet që jemi veç gazetar, burri rreth të 50-tave nis e rrëfen makthin e familjes Katuçi. Një histori që ka nisur me dy vizitor misteriozë e që sot ende vazhdon me rifillimin e hetimetve tashmë dhe me bekimin e Parlamentit Shqiptar.

Z. Mersin, Parlamenti shqiptar ka miratuar një ligj që lejon rifillimin e hetimeve ndaj akuzave të ngritura nga eurodeputeti Dik Marty. Jeni në dijeni?

Po.  Ka më shumë se tetë vjet që akuza të tilla, kaq mostruoze, rëndojnë mbi familjen tonë. Këtu kanë ardhur shumë njerëz, pa asnjë vendim  gjykate, duke na provokuar, kanë bërë hetime që kanë rezultuar pa prova e më pas sërish na akuzojnë si kriminelë. Menduam që pas hetimeve të bëra, në vitin 2004 ku mbi 12 burra të huaj bastisën shtëpinë tonë, morën fund këto akuza. Çuditërisht dëgjojmë se do të ketë hetime të tjera . Ç’të them tjetër veçse hallit që na ka rënë mbi kurriz e mos i raftë kujt. Në këta akuza përballemi krejt të vetëm. Të vetëm ndaj shtetit tonë, ndaj të huajve  e ndaj prokurorëve.

Po a do të lejoni prokurorë të EULEX-it që t’ju marrin në pyetje apo të kontrollojnë sërish shtëpinë tuaj?

Jo. Kurrën e kurrës. Nuk do ta lejojmë, jo se kemi gjera për të fshehur, por së pari  shteti,  apo dhe ata që kanë ngritur akuzat ndaj nesh të na dëmshpërblejnë për gjithë traumën që na kanë shkatuar, dhe më pas  i kanë dyert e hapura.

Por, në bazë të ligjit të miratuar, prokurorët kanë të drejtë edhe të bëjnë arrestime. Nuk keni frikë?

Sigurisht. Me shtetin ne nuk kemi forcë të përballemi. Por, të gjallë nuk do të lejojmë njeri të na nëpërkëmbë, ashtu siç bënë në 2004-ën  apo në 2009-ën kur këtu erdhi Dik Marty. Unë nuk e kam lejuar të shkelë në shtëpinë time.  Nuk mund të lejoj më të na nëpërkëmbin me akuza që vetëm rëndojnë familjen time se nuk kanë asnjë fakt të vërtetë.

Kur keni dëgjuar për herë të parë për akuzat që shtëpia juaj është përdorur si bazë e UÇK-së?

Nga televizioni, pas botimit të librit të Karla Del Pontes. Fillimisht e quajta një përrallë dhe kam qeshur, por kur këto akuza u konkretizuan me njerëz dhe prokururorë apo dhe forca policie që vinin në shtëpinë time, kjo e qeshur më ngriu në buzë.  Më 5 shkurt të 2004-ës për dy ditë me radhë shtëpia ime është bashatisur e shkretuar duke u  rrëmuar në çdo cep të saj. Prej asaj dite, nën maskën si gazetar, këtu vijnë lloj-lloj personash që unë ende, ashtu si dhe në nisje, nuk di se kush janë, por që dyshoj shumë se janë agjëntë serb që dhe kanë stisur këtë histori.

Pse si ka qenë nisja?

Ka qenë pranvera e vitit 2003 kur disa të huaj vijnë këtu dhe më kërkojnë shtëpinë me qira. U prezantuan si inxhinjerë që do të bënin projektin e rrugës së Arbërit. Ishin gati të paguanin sa të doja unë vetëm të lija shtëpinë me qira.

Ju dyshuat për ndonjë arsye që nuk e dhatë shtëpinë me qira?

Jo. Doja ta jepja sepse  më duheshin para, por ne jemi familje e madhe dhe nuk kishim ku të qëndronim. Nuk mund të jetoja në çadër. Kjo qe arsyeja përse nuk e dhashë me qira, por pas dy vitesh,  kur u ngitën gjithë këto akuza, e kuptoj qëllimin e këtyre dy personave në atë kohë.

Z. Mersin, për mendimin tuaj përse në këto akuza të ngritura  nga ish  kryeprokuroria e Hagës jeni përfshirë  ju dhe jo banorë të tjetë të zonës?

E kam menduar dhe unë gjatë këtë çështje, por i vetmi shpjegim që jap është fakti që ne jemi pa asnjë mbrojtje. Të persekutuar gjatë regjimit komunist dhe tashmë në demokraci. Ndoshta për këtë vërtetuar trillimin e tyre ka shërbyer edhe fakti që shtëpia jonë është më e largëta e fshatit. Nuk gjej dot arsye se përse  është përfshirë familja ime në këtë çështje.

Por, gjatë luftës keni përkrahur ushtarë të UÇK-së?

Luftën e  Kosovës e kam përkrahur si çdo shqiptar tjetër. E kam ndjekur nga televizori, por kurrë nuk kam parë me sy luftëtar të UÇK-së, jo më serb që thuhet se në shtëpinë timë janë kryer mbi 300 trasplante organesh. Fshati ynë është aq larg nga rruga, sa  unë s’di ti ketë shkelur këmba e ndonjë ushtari të  UÇK-së, jo më të jenë kryer operacione apo dhe trafik organesh në shtëpinë time ku dhe uji është jashtë banesës. Është një çmenduri ta mendosh, por unë kam mëse 8 vjet që  dëgjoj emrin tim të përflitet për këto krime.

Z. Mersin, në  fakt në këtë akuzë ku përmëndet shtëpia juaj është përfshirë dhe shtetit shqiptar. A e konsideroni këtë një çështje më shumë politike apo një hall me të cilin ju po përballeni të vetëm?

Në fillim isha shumë i qetë. Mendoja se kjo histori është për hir të interesave serbe  e ca zyrtarëve që as më njihnin e as nuk dija kush ishin. Mendoja se shteti për të mbrojtur dinjitetin e tij do të më dilte dhe mua në krah. Por, tashmë pas 8 vjetësh,  askush nuk është shqetësuar, jo më të pyesi për  problemet që ne po përballemi. E them me plot gojën që ky është halli im dhe unë nuk di kur do të mbarojë. Krejt të vetëm duhet të përballemi me  prokurorë, agjentura të huaja dhe lloj- lloj njerëzish. Nuk di se si do të vejë ky hall. Na ka ardhë shpirti në majë të hundës.

Në mjerimin e “shtëpisë së verdhë”

“Shtëpia e verdhë” është aq e njohur sa dhe në Burrël mund të gjesh njerëz që të prijnë rrugën edhe pse  shtëpia ndodhet më shumë se një orë larg nga  qytetit. Të duhet të kthehesh në të djathtë të rrugës nacionale, Burrel –Peshkopi,  në një shteg në dukje pa krye e që gjarpëron mes maleve në zonën e quajtur Gurrë e Madhe. Fshati Rripë, aty ku ndodhet  kulla e Abdulla Katuçit, është aq larg, sa që për një mënd beson se ndodhet në anën tjetër të botës. Në këtë rrugëtim ndihesh i sigurt vetëm me një makinë tip foristradë ndërsa shtëpitë e fshatit janë të strukura rrëzë kodrave. Nga sa të sheh syu, beson se këtyre anëve mund të humbësh pa namë dhe nishan. Por, që aty të strehohen  300 ushtarë serb e në ato banesa, thuajse të  rrënuara, të shndërrohen në klinika të trasplanteve të organeve,  kjo të përngjan me një rrëfim fantastiko-shkencor në epokën e gurit. Por, sipas  librit të ish prokurores për Krimet e Luftës në ish-jugosllavi, Karla Del Ponte, “Gjuetia, unë the kriminelet e luftës” kjo ka ndodhur këtyre anëve. Ndërsa  kulla e Abdulla Katucit, një ndërtesë thuajse e rrënuar , me shkallë të vjetra prej druri të nxira nga lagështira, është shtëpia e “verdhë” ku bëhej kasapana.

Në kullë

Shtëpia nuk është e vërdhë. I zoti, Mersin Katuçi, si për të shpërlarë llumin e hedhur mbi të ka lyer në të bardhë ndërtesën  dy katëshe me frengji të vogla në vend të dritareve ku mungojnë nja dy xhama dhe me shkallë druri të nxira nga lagështira. Pas tetë vitesh, ku për herë të parë u fol për shtëpinë  e verdhë, të zotët nuk janë dhe aq mikpritës. Mersini nuk ndodhet aty ndërsa Abdulla Katuçit, burri 80 vjeçar i është sosur durimi me të paftuarit që trokasin në shtëpinë e tij.  Turfollon i tërë e mallkon atë grua, (bëhet fjalë për Karla Del Ponten) që i solli gjëmën në shtëpinë  e tij. ” Unë dua të ballafaqohem me atë grua. Të shohim a rrej unë apo rren ajo. Nëse këto dalin të vërteta mua të më varin. Nuk kam vrarë njeri, as serb e as shqiptar dhe askujt nuk i kam hyrë në gjak….As kam bërë gjëra të tmerrshme siç edhe thotë ajo grua.  Dua të shkoj të ballafaqohem më të e të shohim pastaj”-të thotë Abdulla Katuçi për të cilin çështja më e zhurmshme në Ballkan nuk është gjë tjetër veçse nëpërkëmbja e nderit të familjes së tij. Plaku të thotë se nuk do të shohë vdekjen me sy pa dalë të vërtetat e këtyre akuzave për të cilat ai betohet se kurrë në shtëpinë e tij nuk ka shkelur këmba e një kosovari, jo më serbi. Por, askush nuk beson të vërtetën e tij. As Kryeministri  e as Prokurori i Përgjithshëm ku 80 vjeçari të thotë  përmes letrave ka kërkuar t’u vihet nderi në vend. Prej tyre kurrë nuk ka marrë përgjigje. E plakut të ngratë nuk i mbetet gjë tjetër veçse të turfillojë nëpër shtëpinë që mezi  mbahet në këmbë, si dhe ai. Për 8 vjet nuk kanë gjetur drejtësi, ndërkohë që nga sa shihet mezi mban frymën gjallë me kokrrat e misrit, veç kjo prodhohet në këtë zonë. Familja Katuçi është në zgrip të mjerimit. Përveç mbijetesës u duhet të përballen dhe  më çështje që i kanë përfshirë ata në qendër të interesave të politikës ballkanase.  Mustafa Celami,  kryetari i komunës Gurrë të thotë se këtyre anëve kurrë nuk është parë luftëtar i UÇK-së e këtë ta dëshmon çdo banor i zonës. Askush nuk ka parë serb, ushtarë apo dhe ekipe mjekësore që  kryenin transplante në këtë vend të humbur. Fakte këto që sipas akuzave të Dik Marty-t janë mëkatet e familjes Katuçi, akuza që prej tetë vitesh janë kthyer në makth për këtë familje, ndërsa për vendasit një legjëndë që veç të huajt ngazëllen.

Raporti i Dick Marty

Raporti që në janar të vitit 2011 u miratua në Këshillin e  Europës bën fjalë për “trajtim çnjerëzor të njerëzve dhe trafikim të paligjshëm të organeve në Kosovë”.  Në të hidhen dyshime për UÇK-në dhe figurat kryesore të saj, që prej Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Xhavit Halitit, Azem Sylës e Fatmir Limajt. Draft raporti 30-faqësh i zviceranit të njohur për qëndrime antishqiptare, Dick Marty, thekson se “UÇK-ja qëndron pas trafikimit të organeve me njerëz, veçmas ndaj civilëve të mbajtur në burgjet sekrete në Shqipëri”. “Ky lloj aktiviteti kriminal ka vazhduar të veprojë edhe pas luftës në forma të tjera, të ndërlidhura me krimin e organizuar, derisa Misioni Evropian për Sundimin e Ligjit, EULEX-i zbuloi rastin e klinikës Medicus në Prishtinë për trafikim organesh”, thekson raporti.  Më tej përmendet se “kjo çështje për herë të parë u përmend në librin autobiografik të ish-kryeprokurores së Hagës, Carla del Ponte, e cila e përmend trafikimin e organeve të njerëzve në kampet e UÇK-së, veçmas në Burrel, në vendin e njohur si Shtëpia e Verdhë”.

Njerëzit misterioz në Kullën e Verdhë

Sot e kësaj dite, Abdulla Katuçi, i quan bashkëpunëtorë të serbëve njerëzit që për herë të parë kanë vizituar shtëpinë e tij, në verën e vitit 2003. E prej asaj dite, andrallat nuk kanë të sosur në familjen e varfër të fshatit Gurrë në qytetit të Burrelit. Për të zotët e shtëpisë, vizitorët e parë janë ende mister, ndërsa  antropologu peruan, José Pablo Baraybar, ka dëshmuar rreth vizitës  që flet plaku i “shtëpisë së verdhë”.   Baraybar thotë se hetuesit e Hagë-s  në veri të Shqipërisë shoqëroheshin nga kryebashkiaku me procedurë, Lulzim Basha,  aso kohe përkthyes në UMNIK. “Hymë në veriun shqiptar me një Land Rover me targa britanike. U prezantuam si punonjës firme rrugësh dhe folëm me banorët…Z.Basha ishte përkthyesi ynë.. Ai ka qenë me mua në një vizitë që bëmë në Kukës dhe rrethina, për të parë bazën e UCK-së në Kukës dhe një indikacion, se në fshatin Bicaj mund të kishte pasur njerëz të varrosur. Ishim me një Land Rover me targa britanike, dhe kam idenë që duhet të ketë qenë pranvera e 2003-it. Pas Kukësit u nisëm për në Bicaj, dhe folëm me disa fshatarë. Basha ka qenë përkthyesi im në atë udhëtim”-ka deklaruar z.Baraybar. Ndërkohë, menjëherë pas kësaj deklarate ka reaguar Basha duke përgënjeshtruar antropologun.  “Nuk kam qenë asnjëherë përkthyes i zotërisë në fjalë. Në vitin 2004, nuk kam punuar për Tribunalin, por kam qenë në UMNIK, përgjegjës për krijimin e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe transferimit të kompetencave të UMNIK-ut kësaj ministrie. “- është përgjigjur Lulzim Basha.

 

Deputetët, 127 vota pro ligjit për EULEX

TIRANE – Në unanimitet, veç votës së socialistit Braçe, deputetët e Parlamentit miratuan më 10 maj të këtij viti nisjen e hetimeve për trafikun e pretenduar nga eurodeputeti Dick Marty. Me 127 vota pro, lejohet që EULEX të hetojë edhe në vendin tonë për çështjen e trafikut të qenieve njerëzore në vitin 1999. Deputetët në sallë kanë qenë pro projektligjit për “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task-Forcen hetimore speciale të EULEX-it”, i cili për t’u shndërruar në ligj kërkonte shumicë të cilësuar. Në këtë mënyrë, hetuesit europianë të misionit EULEX mund të kryejnë, ashtu si në Kosovë, edhe në Shqipëri hetime mbi dyshimet e ngritura nga zvicerani Marty për trafik organesh të ushtarëve serbë.

Çfarë detyron ligji

Për të kryer një hetim me të tilla cilësi dhe që të ketë rezultat, ligji i jep misionit të EULEX-it mbrojtje dhe dorë të lirë. Imuniteti diplomatik është një nga pikat e rëndësishme që ligji u garanton hetuesve europianë të EULEX – Kosovës gjatë gjithë kohës kur ata do të operojnë në Shqipëri.  Përveç këtij statusi të rëndësishëm, ligji u jep pavarësi për të dëgjuar dëshmitarë apo persona të akuzuar në Shqipëri, për të këqyrur mjedise, marrë prova dhe mbajtur  materiale të rëndësishme për hetim dhe gjykim. Jo vetëm kaq, por dy nene të këtij ligji sanksionojnë të drejtën e hetimit, të sekuestrimit të materialeve, dhe më e rëndësishmja të drejtën për të  kërkuar ekstradimin e personave.

Cënim i të drejtave të qytetarëve

Imuniteti diplomatik dhe e drejta për të kërkuar ekstradimin e personave u jep një autoritet të madh ekspertëve evropianë të EULEX- Kosovës. Por, në komunitetin e juristëve vendas kanë nisur të shfaqen shqetësime lidhur me mundësinë e cenimit të të drejtave dhe lirive që Kushtetuta u garanton qytetarëve të Shqipërisë.  Sipas këtij ligji, autoritetet shqiptare gjyqësore nuk mund të refuzojnë kërkesat për ekstradim ndaj qytetarëve shqiptarë, të lëshuara nga hetuesit europianë të EULEKS-it për në  Gjykatën e Hagës. Kjo sipas tyre bie ndesh me pavarësinë e gjyqësorit që BE-ja kërkon me këmbëngulje nga Shqipëria. Një shqetësim tjetër është dhënia e së drejtës EULEX-it për të kontrolluar mjedise dhe arrestuar qytetarë, kur ndaj tyre ka dyshime. Por, nëse TASK- Force  e EULEX –it arreston një shtetas shqiptar me dyshimin e përfshirjes në tregtinë e organeve dhe më pas rezulton se ky person është i pafajshëm, atëherë jo vetëm EULEX-i, por edhe shteti shqiptar duhet të marrë përsipër dëmshpërblimin e tij.

 

Nga Lindita Çela

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu