Shtëpia muze e Ukshin Hotit

0
820

Me datën 17.06.2012 u shënua përvjetori i gjashtëdhjetët e nëntë i lindjes së Ukshin Hotit në vendlindjen e Tij- Krushë të Madhe, e njëheritë edhe u vu gurthemeli i shtëpisë muze.

Motoja e qëlluar, por ky qëllim u përdhos nga aktorët që organizuan dhe ata të cilët pranuan të hyjnë në lojë.

Simbolika që të përfaqësohen shqiptarët nga të gjitha trojet, edhe kjo për lëvdatë, mirëpo se sa ka qenë dashtë të lejohet, e të pranojë, Agim Vinca të përfaqësojë shqiptarët e Maqedonisë, këtë më së miri  mund ta shpjegojnë këto dyja palët, kur ka pasur mundësi të gjejmë në ato vise bashkëveprimtar e bashkëmendimtar të Ukshinit

Përfaqësuesi nga Mali i Zi, ishte deputet në parlamentin e Podgoricës, kë ka përfaqësuar Ai? Mendimin e filozofisë së Ukshinit apo kursin politik të malazezve, sepse Ai i mbeti borxh të pranishmëve që nuk e shpjegoi “se Ukshini kishte edhe gabime!!!”. Ky deputet ka vërejt edhe gabime të filozofinë politike të Ukshinit, por ato nuk i tha, sepse mesazhi i Ukshinit, të zgjedhurit nga populli duhet t’i shtyjnë proceset përpara, pra “bëje ose vdis”, si duket ka qenë gabim, se ashtu nuk krijohet karrierë dhe mirëqenie në politik, duke mbështetur okupatorët.

Përfaqësuesi nga Lugina e Preshevës, nuk ishte i qëlluar, ndonëse nuk kam asgjë kundër Tij, madje as që e njoh dhe përsëri e them, se Ukshini kishte bashkëveprimtar e bashkëmendimtar edhe në atë pjesë të trojeve shqiptare.

Në këtë përvjetor iu dha edhe çmimi “qytetar nderi” Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imamit, që nuk ishte nder për këtë përvjetor, madhe edhe përçmues për jetën dhe veprimtarinë e Ukshinit, kur dihet se edhe Arben Imami, si njeri i kulturës nuk e ngriti asnjëherë çështjen e humbjes së librit të Ukshinit në kohën kur kishin pushtetin.

Moikom Zeqo përmendi dy takime të viteve të nëntëdhjeta dhe punën e angazhimin e Ukshinit, por nuk tha se kjo ka ndodhur në Tetovë dhe grupit të zgjedhur prej pesëmbëdhjetë vetave, në mesin e tyre edhe Ukshini, nuk iu lejua që në territorin e Shqipërisë londineze të hartojnë platformën kombëtare, e cila edhe sot na mungon.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë vuri paralelizma në mes Ukshinit dhe Azem Hajdarit, kulmi i turpit dhe përçmimit të jetës dhe veprës së Ukshinit.

Të gjithë folësit (tetë prej tyre) bosht të kësaj kishin librin “Filozofia politike e çështjes shqiptare” të Ukshinit dhe aty mungoi Bislim Elsheni i cili me punën e Tij i mundësoi gjithë shqiptarëve ta mësojnë të vërtetën për ecjet e mëtejme të kombit, sipas mësimeve të Tija që edhe sot janë të domosdoshme të mësohen e jetësohen. Munguan edhe ata të cilët i mundësuan dy ribotime të zgjeruara të librit të Tij, një broshure shqip- anglisht “Çështja Hoti” vetëm për ndërkombëtarët, ata që e ringjallën në skenën politike e diplomatike çështjen e Tij, por dhe që kishin bashkëvepruar me Te, pa të cilët çështja Hoti do të kishte qenë kaptinë e mbyllur, sikurse ndodhi deri në vitin 1996, që edhe folësit më të moshuar nuk kanë folur deri sa nuk doli libri nga botimi.

Ky jubile dhe kjo datë e gurthemelit të shtëpisë muze ishte e politizuar, se end ka mundësi që të merren poenë politike në fatin tragjik të Ukshinit.

Por, asnjëri nuk shpjegoi, pse i ndodhi kjo Ukshinit dhe nga kush i ndodhi!? Çfarë nënkuptoi pranimi i Tij për të udhëheqë një parti politike (Partin e Unitetit Kombëtar Shqiptar- UNKOMB) me program të vetin jetësor dhe kush i frikohet të jetë në krye të kësaj partie? E kam thënë edhe herëve tjera, ardhja e Tij për të udhëhequr atë parti, prishte balansin politik, prishte kursin politik rugovjan e berishjan, prishte planet millosheviqjane për shqiptarët, në kohën kur UÇK- kishte filluar të identifikohej me punën e saj në terren, në kohën kur UÇK kishte filluar të hyjnë në selit e qendrave të vendosjes ndërkombëtare, në kohën kur shqiptarët e kishin kuptuar se liria nuk vinte një pjatë.

Pse të gjitha këto fshihen nga folësit? Sepse folësit, ata më të vjetrit, nuk kanë qenë të gatshëm për të bërë ose të vdesin, sepse të rinjtë nuk e kanë lexuar mbrojtjen e Tij para Gjykatës së Qarkut në Prizren dhe kjo do të thotë shumë, prandaj edhe ishte e politizuar, duke menduar se nuk është nder për shqiptarët të thuhet e vërteta politike apo se ende mendohet të hanë me dy lugë.

Për Ukshin Hotin duhet të mbahet një simpozium shkencor, e kam thënë edhe herëve tjera, për të ndriçuar punën e Tij në të gjitha këndet.

Vepra dhe bëmat e Ukshin Hotit duhet të na mësojmë për të dërguar çështjen kombëtare përpara, për të na pajisur me njohuri të thella shkencore për zgjidhjen e çështjes kombëtare, me një fjalë të na mësojë se si të mendojmë, veprojmë e realizojmë politikën e zgjidhjes së çështjes kombëtare.

 

Prishtinë, 18 06.2012

Nga Afrim Morina

 

P.S.

Këtë shkrim nuk do ta kisha bërë, po mos të ishin vërejtjet e të pranishmëve, që e kanë njohur, dashur dhe vepruar në çdo kohë me Ukshinin dhe analistë që kishin dhënë mendime për jetën dhe veprën e Tij

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu