Shtëpinë ia dhashë UÇK-së, djalin Kosovës (17)

0
876

“Më është rritur ymri kur i kam parë ushtarët e UÇK-së qitu ku po rrimë (në oborr të shtëpisë). Me ta ishte edhe Skënder Çeku. Menjëherë iu ka bashku djali, Rexha. Pas tij edhe djemtë e tjerë, Selimi dhe Binaku”, ka thënë mixha Haxhi Salihu, i cili tregon se djali i tij, Rexha, është vrarë me pushkë në dorë në një istikam në oborr të shtëpisë, duke luftuar kundër forcave serbe.

“Epoka e re”
Plaku Haxhi Salihu nga Loxha ndihet krenar që djalin ia ka dhënë Kosovës, kurse shtëpinë gjatë luftës ua ka lëshuar ushtarëve të UÇK-së. “Më është rritur ymri kur i kam parë ushtarët e UÇK-së qitu ku po rrimë (në oborr të shtëpisë). Me ta ishte edhe Skënder Çeku. Menjëherë iu ka bashku djali, Rexha. Pas tij edhe djemtë e tjerë, Selimi dhe Binaku”, ka thënë mixha Haxhi, i cili tregon se djali i tij, Rexha, është vrarë me pushkë në dorë në një istikam në oborr të shtëpisë, duke luftuar kundër forcave serbe. Ai ka treguar se, pasi shtëpinë ia kanë lëshuar UÇK-së, e kanë tërhequr familjen, kurse vetë herë pas here i vizitonte ushtarët. “Kur kam ardhur pas disa ditësh nuk e kam njoft oborrin tem, kishte ndryshu. Kishin hap rova për me luftu kundër shkaut”, ka thënë mixha Sali. Ndonëse ishte i shtyrë në moshë, ai ka deklaruar se ka pasur dëshirë që edhe vetë të luftojë. “Kam pas qejf edhe vetë me luftu me ata djem, por më thoshin: ‘Jo, jo, ti je i vjetër. Luftojmë ne edhe për ty’”, i kujtohet mixhës Haxhi. Mixha Haxhi e ka përshkruar me pak fjalë edhe dëshmorin e kombit, Skënder Çekun. “Skënderi kishte qenë azgan i madh. Ai e tregoi veten, besa edhe shokët e tij”, ka thënë mixha Haxhi.
Nazmi Morina: Luftuam nën komandën e Skënder Çekut

Ish-ushtari i UÇK-së nga Loxha, Nazmi Morina, ka treguar se si fshat ishin organizuar për t’i dalë zot vendit. Ai ka thënë se në disa pika të fshatit kishin vendosur roje. “Më 5 korrik të vitit 1998 në Gorazhdec ka ardhur Shesheli. Atë ditë në Loxhë kanë nisur luftimet e para, ku është plagosur Tahir Shala, i cili më vonë ka ndërruar jetë. Shala na ka dhënë të gjithëve shembull se si duhet të luftohet për atdhe”, ka thënë Morina. Një ditë më pas (6 korrik) ai ka thënë se forcat serbe në orën 06:00 të mëngjesit e kanë sulmuar fshatin Loxhë. “Kemi qenë në vëzhgim. Unë e kam pasur një golinov. Rreth orës 6:30 kanë ardhur Skënder Çeku, Besnik Shala dhe Adnan Spahiu. Një vëzhgues nga një pikë më larg i kishte parë dhe, duke menduar se janë ushtarët serbë, ka bërtitur: ‘Qit more se na more në qafë se erdhën shkiet’. Unë kam gjuajtur me golinov në drejtim të tyre, kurse Skenda ka bërtitur: ‘Jemi UÇK’. Atëherë jam ndal. E njoha Skendën në zë, pasi me të kam pasur raporte të mira edhe më herët. I jam afruar Skendës, e këqyrsha nëpër trup mos është plagosur por, për fat të mirë, se kishte kapur asnjë plumb, sepse golinovin e pata ndreq të gjuajë në distancë 400 metra”, ka thënë Morina.
Pas këtij momenti, ai ka thënë se Skenda ka gjuajtur në drejtim të forcave serbe, të cilat ishin të stacionuara në shtëpinë e Paviqit, rreth 400 metra vijë ajrore nga pozicionet e ushtarëve të UÇK-së. “Atë ditë kemi luftuar deri pas orës 13:00”, ka thënë Morina, kurse të nesërmen ai ka treguar se bashkë me Skënder Çekun ka shkuar në Raushiq, te Azem Bajraktari, për t’ia kërkuar një bager për t’i hapur istikamet. “Pasi Azemin nuk e gjetëm aty, u takuam me Xhaferin, të cilit ia kemi lyp bagerin. Pasi ia kishte hequr gomat, kemi shkuar pasdite dhe e kemi marrë, pastaj i kemi çelur istikamet qysh na mësonte Skenda”, ka thënë ai.
Morina e ka përshkruar Skënder Çekun si një epror ushtarak që e njihte mirë strategjinë e luftës. “Edhe ne ushtarët e tjerë të lagjes së Morinëve kemi hyrë nën komandën e tij. Kemi qenë ushtarë të Skendës. Me urdhër të tij kemi luftuar. Përveç Skendës, ka pasur edhe ushtarë të tjerë të fortë, si Gani Elezaj, Besnik Shala, Adnan Spahiu e shumë të tjerë”, ka thënë Morina. Ndonëse kanë kaluar 15 vjet nga lufta, Nazmi Morinës i kujtohen disa detaje edhe nga beteja e 15 gushtit. “Më 15 gusht na kanë sulmuar rreth orës 06:00. Skenda, unë, Besniku e Samiu kemi gjuajtur në një aeroplan, i cili është thënë se është prishur. Po ashtu, Skenda na ka shpërndarë nëpër pika. Mua e Besim Çekun na ka caktuar në një pozitë, ku nuk kishte istikame, kurse më vonë e ka çuar Ganiun për të na tërhequr. Kemi hyrë në një istikam dhe kemi luftuar deri në mbrëmje”, ka thënë Morina.
Muhamet Morina: S’i lëshuam pikat derisa depërtuan ushtarët e prirë nga tanket

Edhe ushtari tjetër i UÇK-së nga fshati Loxhë, Muhamet Morina, kujton se si kanë luftuar kundër forcave serbe. “Kemi pasur organizim edhe më përpara, jemi armatosur dhe kemi qenë në gjendje gatishmërie. Pasi është plagosur për vdekje Tahir Shala, e kemi ditur se serbët do të na sulmojnë. Të nesërmen në mëngjes, më datë 6 korrik, ka ndodhur sulmi i forcave serbe. Të parët ushtarë të UÇK-së që kanë ardhur për të luftuar kanë qenë: Skënder Çeku, Besnik Shala dhe Adnan Spahiu, pastaj kanë ardhur edhe të tjerët. Kemi luftuar nën komandën e Skënder Çekut”, ka deklaruar Morina. Ai ka thënë se po të mos ishte Skënder Çeku, pika tre nuk do të ekzistonte. “Ai ishte i shkathtë, ishte trim i madh dhe çdoherë na ka dhënë moral për luftë”, është shprehur Morina. Po ashtu, Morina ka thënë se kur forcat serbe e kanë sulmuar fshatin Loxhë më 15 gusht të vitit 1998, Skënder Çeku i ka shpërndarë ushtarët nëpër pozicione. “Mua Skënder Çeku më ka thënë të shkoj të luftoj te bojliat, ndërsa më vonë e kam kuptuar se ishte plagosur rëndë. Atë ditë kemi luftuar deri rreth orës 19:30. Nuk i kemi lëshuar pikat derisa ka depërtuar këmbësoria e prirë nga tanket. Këndej (bën me dorë nga shtëpitë e fshatit) krejt muret kanë qenë të rrëzuara”, ka deklaruar Morina.
NË NUMRIN E ARDHSHËM FLASIN TË TJERË PROTAGONISTË TË LUFTËS NË LOXHË.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu