Shtet me 140 mijë analfabetë

0
827

abetare-onlineQeveria e Kosovës ka dështuar t’i realizojë premtimet e dhëna për sektorin e arsimit. Pagat në këtë sektor nuk u rritën 35 për qind, por 25 për qind ( më pak se 20 për qind në konto të mësimdhënësve), shkolla u ndërtuan vetëm 107, hapja e universiteteve publike u bë me mungesë të kushteve dhe profesorëve, UP-ja u rangua në vendin e 8066 në listën e universiteteve botërore…

E, sektori i arsimit dhe mësimdhënësit sërish janë “karremi” më i mirë që kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka vënë në agjendën e tij me pretendimin t’i fitojë zgjedhjet.

Thaçi në kuadër të prezantimit të “Misionit të Ri”, të premten ka përmendur se arsimi do të jetë prioritet i qeverisë, por edhe se ka realizuar premtimet e dhëna, sidomos sa i përket rritjes së pagave dhe investimeve për ngritje të cilësisë në arsim.

82.000 analfabetë funksional

Mirëpo, njohësi i fushës së arsimit Jonuz Salihaj thotë se indikatorët që shprehin degradimin e sistemit arsimor të Kosovës gjatë qeverisjes së PDK-së 2008-2014 janë të shumtë.

Ai thotë se vendi ka përfshirjen më të ultë në rajon të fëmijëve në nivelin parashkollor, me 5389 fëmijë në çerdhe dhe kopshte, kurse mbi 10 mijë të papërfshirë në arsimin parafillor. Salihaj thotë se as parimi për fëmijët që mësojnë së bashku, mësojnë të jetojnë së bashku nuk është implementuar në Kosovë. Sipas tij nga 7000 fëmijë me nevoja të veçanta janë përfshirë vetëm 740.

“Sistemi Arsimor i Kosovës, 15 vjet pas lufte vazhdon të jetë i pa unifikuar, Korniza Kurrikulare nuk zbatohet nga komuniteti serb dhe goran. E, kurrikuli paraqet Kushtetutën arsimore të një vendi”, thotë ai.

Salihaj thekson se rreth 20.000 fëmijë nuk janë të përfshirë në nivelin e obliguar arsimor, në nivelin 1 dhe 2. Ai vlerëson se cilësia e arsimit është larg standardeve të regjionit, rezultatet e vlerësimit të fëmijëve në klasën e pestë dhe të nëntë dhe rezultatet e testit të maturës janë shumë të ulëta, posaçërisht në lëndët bazike. Sipas tij, në këtë cilësi të dobët ka ndikuar edhe partizimi i arsimit nga partia në pushtet.

“Militantët partiakë gjenden në çdo segment të arsimit…”. Ndonëse Kosova pretendon të realizojë objektivat e mileniumit, për zhdukjen e analfabetizmit, madje në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës ka aprovuar një rezolutë për këtë qëllim, Salihaj thotë se gjendja është krejt tjetër, duke dhënë si shifra 55000 analfabetë klasik dhe 82.000 analfabetë funksional.

Ai përmend si të mjerë dhe gjendjen në arsimin e lartë. “Shumica e studentëve nga trysnia e MASHT-it marrin indekset në Rektorat jashtë konkursit për regjistrim, profesorët e tyre mbajnë 2 e më shumë vende të punës kurse hapësira e tyre e studimit është nën çdo nivel, 4 studentë në 1 metër katrorë.

Kurse laboratorët dhe puna shkencore pothuajse nuk ekziston dhe, gjithë këto sipas Salihajt, fatkeqësisht u dëshmuan me rangimin e UP-së në vendin e 8066 në mesin e 22.000 universiteteve. “Kjo është vetëm një pjesë e misionit të realizuar të PDK-së nëse ia vlen për katër vjetët e ardhshme , votoni ‘Misionin e RI’ gjegjësisht mizerijen e vjetër”, thotë ai.

Kërkesat për rritje pagash

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj ka thënë se kërkesat për rritje të pagave kanë arritur të realizohen, ndonëse nuk mohon se kërkesa e SBASHK-ut ishte që pagat të rriten 30 për qind. Por, ai thotë se mes SBASHK-ut dhe MASHT-it për të rregulluar 26 çështje në fushën e arsimit është nënshkruar dhe një kontratë, bazuar në çështjet që nuk kërkojnë buxhet, sipas tij tashmë kanë nisur të zbatohen.

Megjithëkëtë, kanë mbetur edhe tri kërkesa për t’u realizuar e që kërkojnë buxhet. Shujta, pagesa e udhëtimit për mësimdhënësit, si dhe paga (shpërblimi) për mësimdhënësit që dalin në pension, janë tri kërkesa, që Jasharaj thotë se kanë marrë premtim të realizohen nga 1 janari i vitit 2015. Për mos realizim të tyre sivjet, ai tha se kanë marrë si përgjigje që nuk ka planifikim buxhetor për to.

“Për të mos zhgënjyer anëtarësinë e SBASHK-ut ne kemi formuar një komision, i cili do të mbikëqyr rishikimin buxhetor për të shikuar mundësitë e zbatimit dhe të këtyre kërkesave”. Kërkesë e parealizuar në arsim mbetet edhe kompensimi për punëtorët e arsimit që kanë punuar pa kompensim gjatë viteve 1990-99. Kreu i sindikatës së Prishtinës Nezir Gashi thotë se dy herë rritja e pagave që ka ndodhur është meritë e kryeministrit dhe qëllimit të tij për të mbetur në pushtet. Gashi thotë se në vitin 2009 është premtuar rritja e pagave prej 50 për qind, por në vitin 2011 ka nisur të zbatohet kjo rritje e mësimdhënësve qeveria iu mbeti borxh.

“Qeveria nga rritja e parafundit i ka mbetur borxh për ndryshimin e dy pagave”. Rritjen e pagës për muajin janar dhe shkurt të vitit 2011-së, që është rreth 200 euro në total për dy muajt për secilin arsimtarë, nuk e kanë marrë, me një vlerë të përgjithshme prej 5 milionë eurosh. “Nga 2008 motrat edukatore bëjnë kërkesa, pastaj grevë për nivelizimin e pagave me kategoritë të ngjashme”.  Gashi thotë se rritja e premtuar në zgjedhjet lokale se do të jetë 25 për qind nuk është aq, por diku më pak se 20 për qind. “Sipas një parallogaritje që kemi bërë janë mbi 17 për qind, por jo mbi 20 për qind rritje”, thekson ai.

Administrata e UP-së pa rritje të pagave

Bardh Bardhi, kryetar i Sindikatës së UP-së (SUSHK), ka thënë se kërkesat e kësaj sindikate ndaj organeve qeveritare dhe menaxhmentit të UP-së kanë qenë të vazhdueshme vit pas viti, sidomos lidhur me rritjen e pagave në nivel vendit sipas vendimit të datës 06.01.2011 prej 30 për qind për shërbyesit civilë, ku të punësuarit në UP nuk janë përfshirë.

Mos rritja e pagave për të punësuarit e UP-së në lartësi prej 30 për qind, sipas Bardhit, ka dëmtuar stafin administrativ të UP-së në shumë prej 1,200,000.00 euro deri 1,300,000.00 euro, përafërsisht 82,90 euro në muaj për çdo punëtor për 40 muaj dhe për 370-420 të punësuar si staf administrativë i UP-së. Ndërsa, Bardhi tha se moszbatimi i vendimit të nr. 231/10 të datës 22.11.2010 për shujtën e ngrohtë 2011, 2012, 2013 dhe 4 muajt e 2014, ka dëmtuar stafin administrativë për këto vite në vlerë prej 580,000.00 euro deri 620,000.00 euro.

“Këto ishin premtimet/moszbatimet të vendimeve që nuk u realizuan për këto vite me radhë”. Ai ka thënë se nuk është realizuar as kërkesa e bërë në dhjetor të vitit 2011, drejtuar Këshillit Drejtues dhe Menaxhmentit të UP-së për implementimin e rregullores për të ardhura personale-nivelizim, harmonizim i pagave për të punësuarit në UP. “Kjo kërkesë nuk është realizuar dhe nga kjo të punësuarit në UP (stafi administrative) kanë pasur humbje në shumë prej 1,050,000.00 euro deri në 1,100,000.00 euro”. Këto kërkesa janë bërë dhe ripërsëritur edhe në vitin 2012, 2013 dhe 2014.

Çdo 34 kilometra, nga një universitet

Mazllum Baraliu, i cili së fundi i është bashkuar Lëvizjes “Vetëvendosje”, thotë se premtimi kryesor për arsim që ka qenë “Kosova shtet i dijes dhe cilësisë” si moto e kësaj qeverie nuk është realizuar. “Ne nuk jemi bërë shtet i dijes, por përkundrazi shtet i kritereve të ulëta të cilësisë në të gjitha nivelet e arsimit”.

Ai ka përmendur se kjo qeveri nuk ka realizuar as premtimin që ka dhënë për rregullimin e infrastrukturës shkollore. Baraliu, që njëherit njihet edhe si kryeshef ekzekutiv i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), thotë se në mandatin e parë ( zgjedhjet 2007) premtimi i PDK-së ka qenë të ndërtohen një numër i madh i shkollave. Por, ky premtim ai thotë se nuk u realizua as pas përfundimit të mandatit të dytë.

“Shumë shkolla kanë mbetur pa u ndërtuar”. E, madje disa nga to që u ndërtuan sipas tij u ndërtuan me kritere dhe cilësi të dobëta. Baraliu thotë se as digjitalizimi i shkollave nuk u bë realitet. Ndërsa, zgjerimi i rrjetit të universiteteve publike, ai thotë se u bë pa analizë financiare dhe kadrovike, pa studim të fizibilitetit dhe arsyeshmëri të hapjes së tyre. “Kemi pak profesorë dhe shumë universitete. Çdo 34 km kemi nga një universitet, ndërsa në anën tjetër natalitetin në rënie”. Ndërsa, për arsimin e lartë privat ai thotë se u legalizuan në heshtje të gjitha kolegjet me emrin universitet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu