Shtetasja gjermane në gjendje të rëndë

0
669

Prishtinë, 22 tetor – Një shtetase gjermane, e cila është kunatë e deputetes së VV-së, Albulena Haxhiu, ka marrë lëndime gjatë protestës së sotme në bulevardin Nëna Terezë. Familjarët e saj i kanë thënë gazetarit të KTV-së se ajo nuk ka qenë pjesëmarrëse në protestë, por e ka pësuar si vëzhguese e protestës.

Sipas drejtuesit të Emergjencës, Basri Lenjani, shtetasja gjermane është sjellë në spital pa shenja jete, por mjekët ia kanë dalë ta kthejnë në jetë me anë të reanimacionit. Megjithëkëtë, gjendja e saj vlerësohet ende e rëndë.

KTV-ja raportoi se edhe Albulena Haxhiu ka qenë e plagosur dhe e shtruar në QKUK, por ajo është liruar në orët e vonshme të pasdites. Mirëpo, policia në QKUK ka marrë në pyetje dhe pastaj ka arrestuar burrin e Albulenës, i cili është po ashtu pjesëtar i “Vetëvendosjes” dhe i afërm i shtetases gjermane.

Për gjendjen e saj është duke u interesuar edhe Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë, kurse rrethanat e përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore mbeten të paqarta.  

Sipas policisë, ajo ka qenë “një qytetare kalimtare e rastit, e cila ka qenë në afërsi të protestuesve, është alivanosur dhe zyrtarët policorë i kanë ofruar ndihmë, duke e vendosur në automjetin transportues emergjent të Policisë së Kosovës për të vazhduar me trajtim të mëtutjeshëm mjekësor në QKUK. Në bazë të informacioneve zyrtare ajo nuk ka qenë pjesëmarrëse në protestë”, njofton Policia.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu