Shtetësia, llogari elektorale e Berishës

0
666

I ftuar në emisionin “Debat”, të gazetarit Alfred Peza, anëtari i Këshillit të të urtëve në PS, Servet Pëllumbi tha mbrëmjen e djeshme u shpreh kritik sa i përket Kodit të ri Zgjedhor. Për Pëllumbin, “Problemi i zgjedhjeve tek ne nuk është zgjidhur si duhet, vetë ligji i zgjedhjeve vazhdon të ketë defektet e veta. Që ka të bëjnë me koalicionet, favorizon partitë e mëdha dhe penalizon të voglat”. Ndër të tjera ish-kryetari i Parlamentit shqiptar nënvizoi se ka ardhur koha që rrotacioni politik të vijë në Shqipëri.

Kemi hyrë në ditët e fushatës elektorale edhe pse jo zyrtarisht, por ngaqë presidenti dekretoi datën e zgjedhjeve. Si ju duket kjo datë, kjo periudhë deri në qershor?

Është kompetencë e presidentit, e shpalli datën, bëri mirë, pasi forcat politike duhet të bëjnë gati kuadrin e tyre zgjedhor. Por, ka disa gjëra që nuk janë zgjidhur. Problemi i zgjedhjeve tek ne nuk është zgjidhur si duhet, vetë ligji i zgjedhjeve vazhdon të ketë defektet e veta. Që ka të bëjnë me koalicionet, favorizon partitë e mëdha dhe penalizon të voglat. Do të ketë domosdo një polarizimi që do të tensionojë situatën. Siç ndodh aktualisht që janë përfshirë në koalicion me PD, për të ndarë postet në qeveri dhe institucione. Janë bërë 47 apo 50 zëvendës ministra, që rinë kot vetëm sa marrin rrogën dhe janë në pushtet. Është një paradoks që në mënyrë të sforcuar të bësh aleatë të tillë, me qëllim që të mbahet në jetë mënyra e manipulimit, por ka shumë fiktivitet. Për rrjedhojë të njëjtin model do të detyrohet të marrë dhe krahu tjetër. E njëjta gjë dhe për kandidatët. Grupin e kemi dhe prapë këto deputetë do kemi. Pra, a do të kesh një konsultim me  elektoratin? Me këtë elektorat ke korrur sukses apo jo. Gjëja kryesore është vajtja tek elektorati, konsultimi me ta qoftë për kandidatët qoftë për të gjitha çështjet. Nuk mund t’u thuash atyre thjesht, unë e ngrita një komision për mbrojtjen e votës. Nuk ka asgjë të sigurt, duhet vetë njerëzit të ndërgjegjësohen dhe të kuptojnë se është i domosdoshëm rotacioni. Duke i parashtruar elektoratit të gjitha treguesit që të çojnë domosdoshmërisht tek një rotacion i tillë.

Qarkullon ideja që Berisha do t’i marrë dhe njëherë votat me çdo çmim me çdo kusht..

Ajo ide qarkullon dhe unë e kam dëgjuar por në asnjë mënyrë nuk duhet të mendohet se Berisha është inoksitabël siçe thoshte gazeta franceze, që për mua është shkruar në Tiranë. Në demokraci nuk ka dhe nuk duhet të ketë inoksitabël, në kuptimin të pandryshueshmërisë dhe të palëvizshëm. Nëse zoti Berisha vërtet është ashtu sikurse thotë që shkrihet për kombin që nuk ka asgjë mbi të, ai vetë duhet të thoshte që po duhet të vijë dikur tjetër që të qeverisë vendin, kështu mund të bëhet bindës dhe të hynte në histori për bëmat e tija.

Pse sipas jush duhet të vijë rotacioni?

Ai duhet të vijë për shumë arsye. Është krijuar një administratë tërësisht e korruptuar janë përqendruar pushtet në një dorë, duke u krijuar një sistem autokratik, autoritarist dhe nga ana tjetër është bërë një lloj polarizimi në shoqëri nuk ka kohezion social dhe varfëria që është krijuar, që kërkojnë ndryshim. Vetë ndryshimi nuk është se vetvetiu zgjidhen problemet. Rotacioni demokratik ka këtë kuptim që problemet e akumuluara duhet të njihen mirë nga opozita që e ka vëzhguar dhe kjo ndërkohë ka përpunuar me projektet e veta që t’i zgjidhë këto probleme që kjo palë në pushtet nuk i zgjidh dot. Ajo që vjen disa i zgjidh disa jo, dhe pala tjetër do të pretendojë më vonë që të rikthehet për të zgjidhur .  demokracia pa rotacion nuk mund të ekzistojë.

Jeni një figurë me kontribut në PS. Si një alternativë në garë për në pushtet, tri elementë thelbësorë, lidershipi, programi dhe ekipi, si i shikoni këto elementë e garantojnë synimin?

Në fushatë elektorale duhet të jetë si ti koordinojmë këto hallka që të marrin drejtimin e duhur për të shkuar në fitore. Preokupimi kryesor të jemi sa më koheziv, më të bashkuar, për të arritur objektivin. Duhen lënë mënjanë përplasjet dhe të punohet bashkë. Dhe kjo është e rëndësishme. Në këtë kuadër PS të gjejë rrugët, të gjejë format që të mbështesë lidershipin, anëtarësinë, elektoratin, strukturat, t’i dëgjojë dhe t’i mbështesë, jo të krijojë çarje. Nuk duhet të mbivlerësohet një palë e të nënvlerësohet tjetra. Ndërkohë që çështja kryesore është anëtari i partisë, me të fillon dhe statusi i PS, ndaj nëse ato di ti vësh në lëvizje punët i ke në rregull. Por kur nis pastaj problemi që unë jam këtu, nuk shkoj atje, po u bënë ndarje të tjera me feude të vogla, atëherë që në fillim e ke nisur keq.

Deri më sot si e ka bërë opozita opozitën?

Kam qenë kritik për bojkotin e zgjatur të opozitës, pasi kur shtrihet në kohë bojkoti krijon probleme për partinë dhe demokracinë në vend. Nuk ka shoqëruar opozita mendimin me veprimin opozitar. Nëse fjalët janë thënë në kuadër strategjish, ka çaluar në taktika. Në kuadrin e demokracisë në parti, PS është më demokratikja, por nuk ka ditur të gërshetojë me mendimin ndryshe me detyrimin. Nëse merr një vendim duhet ta zbatosh, ky është defekti i PS-së. PS-ja duhet të ketë një harmonizim ndryshe me debatin dhe me vendimmarrjen.

Si po punon opozita për të përçuar frymën e rrotacionit?

Asambleja e fundit e është hartuar një strategji pikërisht për të frymëzuar. Është hartuar një projekt për rilindjen e vendit. Mënyra sesi është ndërtuar ajo në thelb konsiston në një ndryshim substancial të shoqëruar me një strategji dhe program, dhe në këtë anë ps është në kërkim të diçkaje më të mirë me bashkëkohore duke dhënë përshtypjen e një force fituese.

A mund të ftojë PS pa LSI-në?

Jo aleatët duhen gjithnjë, sidomos në kushtet që jemi ne duhen. Por dhe aleatët duhet të ndërgjegjësohen, jo thjesht për veten e tyre, por për diçka madhore. Ai duhet të thotë unë dua të punoj për vendin dhe jam gati të bashkëpunoj dhe të krijoj një ekip të shëndoshë qeverisës, duke ofruar kontributet që mund të ketë në këtë drejtim. Ne jemi fillestarë në krijimin e aleancave. Por,  nuk duhet të shkojmë drejt konceptit që me këtë nuk shkoj me atë jo, do të rri vetëm. Vetë koncepti dua të rri vetëm kur rreth e rrotull ke disa është jodemokratik dhe që të gjesh diçka të vlefshme. duhet të bësh dhe lëshime. E njëjta gjë duhet të ndodhë dhe me qeverinë dhe opozitën. Nëse opozita lëshon disa kërkesa dhe t’i si qeveri mësoju që të tërhiqesh, të zbatosh ndonjë nga ato kërkesa me qëllim që dhe ti të mund të realizosh objektivat e tua, siç është psh. miratimi i atyre tri ligjeve. Kompromisi më i lehtë që mund të ishte zbatimi i vendimeve për Fierin dhe votimi i tri ligjeve më pas në Kuvend. Pse nuk bëhet sepse llogaritë bëhen me zgjedhjet e ardhshme, duke synuar që të marrë një apo dy deputetë më shumë.

Pro apo kundër atyre që pa LSI-në, PS-ja nuk vjen dot në pushtet?

Kundër nuk mund të shtrohet e kushtëzuar, sepse në 2009 ishim me LSI dhe ajo iku dhe bëri qeverisje me Berishën. Dhe me katër deputetë mori 20 përqind të pushtetit. Çfarë më garanton mua që me gjithë makinacionet që mund të bëhen po kjo LSI apo një tjetër, nëse i ofrohet 25 përqind e pushtetit, nuk ikën prapë. Ndaj kur ke një përvojë nuk mund ta shtrosh çështjen që pa këtë nuk mund të fitojë.

Nacionalizmat nisën një çështje tifozësh që mbështesnin kombëtaren e futbollit, por tani kanë shkuar deri aty sa këto deklarata kanë shqetësuar dhe Departamentin Amerikan të Shtetit. Si e shikoni këtë gjë?

Për mua kjo gjë reflekton varfëri ideore të skajshme. Sepse mënyra dhe koha kur shtrohet kjo çështje është e gabuar. Kjo është tregues i problemeve që ka shoqëria dhe qeverisja në vendin tonë. Ta ndajë mendjen Berisha dhe kushdo, me nacionalizma nuk fitohen zgjedhjet. Aq më tepër kur populli e ka marrë mesazhin e demokracisë dhe sa më shpejt do t’i dalë kjo lloj narkoze që përhap Berisha, me nacionalizma dhe shpërndarje të pasaportave. Pra, indirekt bën ç’popullimin e të tërë krahinave dhe krijon Bathore në rreth të Tiranës apo të Durrësit.

Pra, teza teza e Berishës për dhënien e pasaportave është një tezë për “bathorizimin” e Shqipërisë?

Pse jo. Më shkon mendja plotësisht, sepse është normale. Po ta analizosh, shumë shtete nuk e kanë dyshtetësinë. Prandaj, mua më duket që përveç zhurmës dhe joshjes, dhe përpjekjeve që bën vetë kryeministri për të marrë pamjen e një lideri mbarëkombëtar shqiptar, lider të gjithëpërfshirshëm, lider që të kujtohet si Ismail Qemali, prandaj e bëri dhe mbledhjen e qeverisë dhe u ul në karrigen e Ismail Qemalit. Domethënë ai tani ka maninë që të bëhet jo thjesht lider i PD-së, por lider i mbarë shqiptarëve, dhe sa t’i japë ymër Zoti të jetë në atë karrige dhe të jetë gjithmonë në qeverisje. Dhe mendon që vetë PD-në ta bëjë një parti drejtuese me një opozitë satelite që të vijë vërdallë dhe të jetë gjithnjë opozitë siç ndodh në Rusi e gjetkë.

Pse tani?

Unë jam vetë dëshmitar se si është kundërshtuar nga vetë Berisha ideja e bashkimit dhe unitetit kombëtar ndër vite. Programin e tij e bënë disa intelektualë me Rexhep Qosen, Krasniqin, Petro Lalajn etj, pasi kryesisht ishte një iniciativë intelektuale. Ishte vetë Berisha që e inicioi dhe më pas e sabotoi. Por nga ana tjetër, përveç kësaj, ky është dhe një projekt elektoral i Berishës, dhe unë pikërisht këtu shikoj dhe rrezikun për zgjedhjet e ardhshme, dhe them që ato do të jenë shumë të tensionuara, pikërisht sepse po krijohen shumë probleme.

Si mund ta përdori Berisha këtë çështjen e pasaportave për zgjedhjet e ardhshme?

U tha për mbas zgjedhjeve, por çështja ka filluar që tani. Mesa di unë radha nëpër ambasadat ka filluar këto ditë për të marrë pasaportat. Sepse duhet vetëm një formular për të marrë pasaportën.

Mesa duket Berisha ka punuar shumë për të krijuar imazhin se ai është epiqendra e shqiptarizmës. Po opozita ç’po bën në këtë drejtim?

Është e vërtetë kjo, dhe duhet thënë që në këtë drejtim opozita ka punuar jo mirë, dhe Berisha është superior. Punoi shumë dhe me propagandën e tij, për tu dukur se vetëm ai po e bën rrugën e Kukësit, në një kohë që projekti kishte nisur që me fondin “Majko”. Por faktikisht edhe sot meritat i janë dhënë Berishës. Pavarësisht deklaratës, rrugën e bëri dhe e ka bërë të mirë, dhe nuk duhet mohuar kjo gjë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu