Shteti “Gjunjëzohet” para Njerëzve të Pushtetshëm

0
727

Biznesmenët Bedri Selmani e Shaip Muja, ish-këshilltarë të Hashim Thaçit, kanë ndërtuar biznese private në pronën e Ndërmarrjes Shoqërore “Auto Prishtina”. Të dy biznesmenët, Muja deputet aktual e Selmani ish-deputet, nuk paguajnë qira për shfrytëzimin e kësaj prone. Agjencia Kosovare e Privatizimit asnjëherë nuk ka bërë raport për këtë Ndërmarrje Shoqërore pasi që dy kompani private, sipas zëdhënësit të saj, e uzurpuan “Auto Prishtinën” para 13 vitesh.

Kryeministri i vendit Hashim Thaçi në objektet e “Hotel Victory” i mban mbledhjet e Këshillit Drejtues e ato të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës. Edhe mesazhin për zero tolerancë ndaj korrupsionit Thaçi e ka dërguar kur është gjendur në ambientet e këtij hoteli, gjatë vitit2011. E, objekti  ku mblidhet për tu mobilizuar partia e kryeministrit Thaçi është ndërtuar kundërligjshëm.

Pronari i “Hotel Victory” Bedri Selmani sipas Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) ka uzurpuar pronën shoqërore për të ngritur këtë biznes privat. AKP e më herët Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) për 11 vjet rresht nuk ka mundur të “zbarkojë” në këtë objekt ku i mban mbledhjet partia që drejton qeverinë sot.

Prona e objektit ku është e ndërtuar Victory është pronë shoqërore e ndërmarrjes “Auto Prishtina” por është uzurpuar pas luftës nga biznesmeni Selmani që në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës mbante pozitën e këshilltarit për çështje ekonomike të Kryeministrit Hashim Thaçi.

Afër këtij hoteli operon restorant “Te Rrethi”. Në katin e dytë të objektit ku është i vendosur ky restorant ka zyret kompania Ci-Kos që merret me tregtinë e metaleve e që është pronë e Fatmir Mujës, vëlla i deputetit të PDK’së Shaip Muja që ishte këshilltar i kryeministrit Thaçi prej vitit 2008 deri më 2010.

Ish-këshilltari i Thaçit, sipas ish-drejtorit të Auto Prishtina Aziz Sefedinit, menjëherë pas luftës ndërtoi restorantin “Te Rrethi” në pronë shoqërore. Për veprimet e ish-këshilltarëve të kryeministrit është e njoftuar edhe Agjencia e Privatizimit që është pronare e Ndërmarrjeve Shoqërore.

“NSH Auto Prishtina që nga viti 1999 është e uzurpuar nga dy kompani private”, ka thënë zëdhënësi i Agjencisë së Privatizimit Ylli Kaloshi.  Hapësira e kësaj ndërmarrje sipas AKP-së është 1 hektarë e 61 ari. Sipas AKP’së, këto dy kompani janë ‘Hotel Victory’ dhe ‘Te Rrethi’.

“NSH Auto Prishtina që nga viti 1999 është e uzurpuar nga dy kompani private” Ylli Kaloshi – AKP

Një raport monitorimi e një vlerësim i aseteve të kësaj ndërmarrje nuk është bërë asnjëherë nga Agjencia e Privatizimit. “AKP nuk ka bërë Raport Monitorimi lidhur me NSH “Auto Prishtina” ngase Ndërmarrja Shoqërore ‘Auto Prishtina’ është e uzurpuar dhe nuk është e komercializuar”, ka deklaruar Kaloshi.

Nuk dihet as koha kur kjo ndërmarrje shoqërore do t’i nënshtrohet privatizimit. AKP’ja e pret lejen e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme për ta shitur këtë ndërmarrje shoqërore pasi kishte ngritur padi ndaj uzurpatorëve. Ende nuk ka marrë një përgjigje se kur mund të privatizojë ndërmarrjen “Auto Prishtina”.

“Ekziston një padi e ngritur në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe ndërmarrja do të futet ne procesin e privatizimit varësisht nga zhvillimi i procesit gjyqësor e ngritur në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës”, ka thënë zëdhënësi i Agjencisë së Privatizimit.

Kjo ndërmarrje shoqërore deri në vitin 1991 kur u ndërpre puna pas largimit me dhunë të punonjësve të saj ishte e vetmja shtëpi e autorizuar në Kosovë për shitjen, mirëmbajtjen dhe riparimin e veturave si dhe kontrollimin teknik të automjeteve të tipit “Magirus”. Po ashtu Auto Prishtina ishte auto servisi i autorizuar për shitjen dhe mirëmbajtjen e veturave “Zastava”, “Iveco” e “Opel”.

Historia e uzurpimit nis me Azem Sylën

Objektet e kësaj ndërmarrje shoqërore në korrikun e 99’ës do të përdoreshin për nevoja të Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme.  Kështu kishte vendosur Azem Syla. Ai mbante pozitën e Ministrit të Mbrojtjes dhe nënshkroi vendimin më 22 korrik të atij viti. Vendimi i tij atëkohë do të hynte në fuqi 5 ditë para nënshkrimit të tij. (Shih dokumentin).

“Lokali i Servis Prishtina pranë restorant ‘Breta’ duke filluar nga data 17 korrik 1999 kalon nën administrimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Ish-punëtorët e këtij servisi që dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë në këtë lokal mund t’i drejtohen me shkrim Komisionit Drejtues të këtij servisi i cili drejtohet nga z. Sabit Zogaj”, thuhet në këtë vendim që e ka siguruar Gazeta JnK.

Syla nuk i është përgjigjur pyetjeve të gazetës rreth këtij vendimi.

Aziz Sefedini që atë kohë mbante pozitën e drejtorit të Auto Prishtina kishte mbetur i pakënaqur me vendimin e ministrit të mbrojtjes. Tri vite më vonë në një shkresë dërguar shefit të policisë së UNMIK’ut Sephan Feller do t’i kallëzonte atij për shkeljet ligjore që kanë ndodhur në këtë Ndërmarrje Shoqërore. Sefedini tregon për largimin e tij nga pozita e drejtorit të kësaj ndërmarrje dhe për uzurpimet që janë bërë në pronën e Auto Prishtina. (Shih dokumentin).

Bedri Selmani, sipas tij, një pjesë të objektit të NSH Auto Prishtina e regjistroi si pronë private që e emëroi hoteli “Viktoria”

Shaip Muja, sipas tij ndërtoi objektin “Te Rrethi”, prej 500 metër katrorë në pronë të NSH Auto Prishtina.

Sefedini shkruan se Bedri Selmani i kishte bërë presione që të largohet nga puna.

“Bedri Selmani këshilltar i z.Hashim Thaçi për politikë ekonomike kërkonte të marrë këtë NSH dhe bënte presion që unë të largohem nga puna…”, shkruante Sefedini më datën 30 shtator të vitit 2002.
Sefedini thotë për Gazetën JnK se një letër për papajtueshmërinë e tij me vendimet e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës i’a ka dërguar edhe Azem Sylës.

“Në nëntor (1999) do t’i shkruaja Azem Sylës. Aty i them se largimi im nga puna pa një aktvendim paraqet shkelje të ligjit”, ka thënë Sefedini duke shtuar se nuk kishte marrë një përgjigje nga Syla për shkresën e tij zyrtare.

Një letër tjetër atë kohë ai do t’ia dërgonte Parlamentit të Kosovës, Presidentit e Kryeadministratorit ku propozonte që objekti i kësaj ndërmarrje të shfrytëzohej nga Policia e Kosovës pasi që ka pozitën më strategjike në Prishtinë për të vëzhguar qytetin.

“Nuk kam marrë përgjigje për këtë përveç një premtimi të Michael Steiner’it (shefit të UNMIK’ut) i cili më vonë do të zmbrapsej”, ka thënë Sefedini.

Një problem tjetër atë kohë Sefedini ka thënë t’i ketë dalë me njërin prej zyrtarëve të lartë të PDK’së, Rrustem Mustafa – ‘Remin’.

“Ne  ishim kthyer pas luftës dhe kishim filluar të operojmë. Pas një kohe, është fjala për qershorin e 1999, do të vijnë disa njerëz. Ata më marrin dhe më çojnë në Kolovicë. Aty një person do të më bënte pyetje të tipit “A e njeh Rrustem Mustafën e  Zahir Pajazitin e kush na ka çliruar neve?. Më thanë a mund ta nënshkruash një deklaratë ku do ta pranoj se është NATO ajo që na ka çliruar e jo UÇK-ja”, ka thënë Sefedini. “Nënshkrimi i kësaj deklarate nuk ishte i preferueshëm në 99-ten”.

“Pas një kohe do të vijnë disa njerëz. Ata më marrin dhe më çojnë në Kolovicë. Aty një person do të më bënte pyetje të tipit “A e njeh Rrustem Mustafën e  Zahir Pajazitin e kush na ka çliruar neve?… “Më vonë do të mësoja se ishte Rrustem Mustafa ai që më kishte marrë në pyetje…” Aziz Sefedini

“Më vonë do të mësoja se ishte Rrustem Mustafa ai që më kishte marrë në pyetje. Edhe diçka tjetër do të mësoja më vonë. Në 99-ten ishte bërë luftë mes Llapit e Drenicës se kush do ta uzurponte ‘Auto Prishtinën’ ”, ka deklaruar Sefedini.

Njëri prej nënkryetarëve të PDK-së Rrustem Mustafa – Remi thotë se Sefedini mund ta ketë ngatërruar me dikë tjetër  “Jo, unë nuk kam lidhje me atë njeri. Nuk e njoh. Kushedi si më ka ngatërruar. Lidhje nuk kam me të”, ka thënë Mustafa.

Për vendin ku është i ndërtuar hotel ‘Victory’, Mustafa ka thënë se nuk është në dijeni që ka qenë ndonjëherë ndërmarrje shoqërore.

“Nuk e di që ky objekt është i uzurpuar. Mund të jetë. Mund të jetë dhe financues i PDK-së. Unë nuk e di. Unë për vete rri më shumë këtu se në çdo vend tjetër. Kjo ndodhë sepse e kam shumë të lehtë që prej këtu të lëviz me makinë”, ka deklaruar Mustafa deri sa flet pikërisht nga hotel “Victory”.

Bedri Selmanin thotë se njeh e pinë kafe me të por nuk e zgjatë më shumë me të.
Uzurpatorë të pronave shoqërore sipas Mustafës nuk do të dalin njerëzit që kanë qenë ushtarë të UÇK-së.

“Asnjë ushtar i UÇK’së nuk do të dalë mbrapa asnjë uzurpimi. E kam fjalën për ata që kanë luftuar krejt kohën. Mbrapa uzurpimeve do të dalin ata që kanë ndenjtë jashtë e janë kthyer prej diasporës dhe kanë uzurpuar objekte”, ka deklaruar Mustafa.
Shaip Mujën pjesë e batalionit të mjekëve të UÇK-së  që ka ndërtuar një objekt në pronën e kësaj ndërmarrje Mustafa  nuk e llogarit për ushtarë të UÇK’së.

“Pse a ka luftu ai a?”,  shprehet Mustafa për Mujën.

Dy ish-këshilltarët e Thaçit, Selmani e Muja, nuk kanë dashur të komentojnë rreth çështjes së uzurpimit të “Auto Prishtina”. Ata kanë pasur më shumë se një javë kohë të përgjigjen.

Nuk mund të bëhem kujdestarë i gazetarëve për të dhënë përgjigje sa herë e kërkoni një gjë të tillë. Shaip Muja

Muja, aktualisht deputet i PDK’së, nuk ka dhënë një përgjigje me arsyetimin se nuk mund të bëhet kujdestarë i gazetarëve për të dhënë përgjigje sa herë e kërkojnë një gjë të tillë. E Selmani, ish-deputet i PDK-së, është arsyetuar se ndodhet jashtë vendit dhe nuk mund të komentojë për këtë çështje.

Veprimet e Mujës e Selmanit nuk i ka komentuar shefi i tyre, Kryeministri Hashim Thaçi. Këshilltarët aktualë të tij Lirim Grajqevci e Abelard Tahiri nuk kanë kthyer një përgjigje për pyetjet që i janë adresuar kryeministrit të vendit.

Drejtori i Auto Prishtinës nuk e lyp qiranë

…………

“Mbrapa Bedri Selmanit qëndron Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Azem Syla, Rrustem Mustafa. Përndryshe kush do të guxonte të uzurpoj një hektar e gjysmë në vendin më të mirë të Prishtinës pa paguar asnjë cent për qira”, ka deklaruar Selimi.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu