“Shteti i dijes”- dështim total

0
719

Të jesh me diplomë në matematikë në Kosovë, jo vetëm se ke vend pune, por ke dhe reputacion në shoqëri. Këtë ta siguron kuadri deficitar në këtë fushë, i pasuar nga mungesa e kuadrit në fizikë, pastaj kimi në shkollat fillore dhe ato të mesme në gjithë vendin. Qeveria e Kosovës ka dështuar ta bëjë arsimin në vend në trend me zhvillimet bashkëkohore të dijes.

Moto e qeverisë “Kosova shtet i dijes, ekonomi e dijes, shoqëri e dijes”, moto kjo e vënë në politikat qeveritare që në vitin 2010, demantohet në shkolla. Lëndën e matematikës në fillore dhe të mesme e mbajnë të padiplomuar në këtë fushë, ata me diplomë në inxhinieri, apo drejtime tjera nëpër fakultete të Universitetit të Prishtinës (UP) që iu figuron në plan-program gjatë studimeve të kenë dhënë ndonjë lëndë nga matematika si provim.

Madje, për këta të fundit çdo drejtorie arsimore komunale i lejohet me ligj që të pranohen si mësimdhënës matematike, në mungesë kuadri adekuat. Udhëheqës të Ministrisë së Arsimit, dhe përfaqësues të institucioneve tjera deklarojnë se ndarja e bursave nëpër komuna për studentët që studiojnë në fusha deficitare, pastaj pranimi në UP vetëm sipas rezultateve të provimit të maturës në shtatë fakultete të këtij universiteti përfshirë dhe Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN), është hapi që kanë ndërmarrë për të nxitur interesimin e të rinjve për këto fusha, mirëpo del se nuk ka dhënë rezultat…

Matematikanët “hasret” në shkolla !

Strategji tjera për të dalë nga kjo gjendje nuk janë ndërmarrë asnjëherë nga MASHT-i. Behar Rama, është i vetmi mësimdhënës në shkollat e mesme të komunës së Rahovecit me diplomë të FSHMN-së, që jep lëndën e matematikës. Kuadrot, sikurse profesor Rama janë për “hasret” dhe nëpër të gjitha komunat e Kosovës. Drejtorët komunal të arsimit nëpër komuna njëzëri deklarojnë se po përballen me mungesë kuadri të kualifikuar në matematikë, fizikë, e po ashtu në jo pak raste edhe në kimi.

Agim Berisha, drejtor për arsim në Komunën e Ferizajt ka thënë se shkollat në këtë komunë kanë mungesë të madhe të kuadrit të kualifikuar për matematikë. Sipas tij mësimdhënës të kualifikuar mungojnë edhe për lëndët e fizikës, pastaj dhe asaj të kimisë. “Në shkollë të mesme japin mësim me shkollë të lartë të matematikës, në shkollë fillore inxhinierë të matematikës”, ka thënë Berisha.

Derisa ekzistojnë këto rrethana me mungesë të kuadrit profesional të duhur, ai thekson se edhe rezultatet nuk mund të jenë superiore ashtu siç nuk është as përgatitja e kuadrit superiore me nivelin e diplomës universitare përkatëse. “Kjo pasqyrohet tek njohuria e nxënësit. Mund të jenë raste të veçanta kur një mësimdhënës i matematikës e ka diapazonin edhe të njohurive dhe të metodologjisë që të jap dije të kompletuar nxënësve”.

Besa Hoxha Beqiri- drejtoresh për arsim në komunën Rahovecit ka theksuar se me diplomë të FSHMN-së në shkollat e mesme të kësaj komune është vetëm një mësimdhënës të tjerët nuk kanë këtë diplomë, ose kanë diplomë të afërta me lëmin e matematikës. Ndërsa, për shkolla fillore ajo ka thënë se nuk është problem kuadri pasi aty japin mësim ata që kanë kryer Fakultetin e Edukimit me diplomë të matematiko-informatikë si dhe të shkollave të larta të mëparshme.

Drejtorët komunal të arsimit në shumicën e komunave të vendit të kontaktuar nga “Zëri” kanë pranuar se kjo lejohet me ligj, pasi është rregulluar në atë formë që çdo vit i shpallet konkursi i vendit të punës mësimdhënësit joadekuat dhe kontratën nuk e ka afatgjate. Ata merren nga fusha e përafërt, në disa komuna testohen për lëndën e matematikës, në disa jo. Më shumë në mungesë kuadri preferohen për matematikë inxhinierët që ka kryer makinerinë pasi drejtorët vlerësojnë se kanë matematika të dhëna si provime më shumë. Nëpër konkurse të rregullta ka konkurrencë të tepruar në drejtimet shoqërore; gjuhë, histori, juridik, ekonomik…

Joprofesionalizmi, korrupsioni… po shkatërrojnë arsimin

Jonuz Salihaj, ekspertë i arsimit thekson se arsimi ka ardhur në nivelin më të ulët të cilësisë për shkak të politikave arsimore që menaxhohen joprofesionalisht nga MASHT-i, korrupsioni dhe nepotizmi. Ai konstaton se në përgjithësi arsimi në Kosovë, në të gjitha nivelet, ka shumë dobësi. Sipas tij kur fillon niveli i parë, shkolla fillore, shumica absolute e mësueseve ballafaqohen me vështirësi në këtë lëndë, për shkak të mosnjohjes së saj, duke mbjell tek nxënësit kompleksin e inferioritetit.

Salihaj këtë e dëshmon me rezultatet e testit të arritshmërisë në përfundim të shkollës fillore(testet e klasës së pestë) ku pikërisht rezultatet e matematikës janë më të dobëtat. “Zgjidhje e përkohshme është aftësimi i mësuesve në mënyrën e mësimdhënies së matematikës, kurse zgjidhje afatgjate, krijimi i kushteve për një numër më të madh të matematikanëve në një anë dhe ngritja e cilësisë së studimeve në Fakultetin e Edukimit në anën tjetër”. Ai thekson se angazhimi joadekuat i mësimdhënësve, që raportojnë se e kanë realizuar plan-programin 100 për qind rezulton që në të vërtetë, nxënësit nuk i kanë përvetësuar operacionet elementare matematikore. Salihaj vlerëson se Kosova ka nevojë të madhe për kuadro të shkencave natyrore dhe teknike dhe për realizimin e këtij synimi shumica e mësimdhënësve të matematikës duhet t’i nënshtrohen një trajnimi intensiv, jo të kamufluar për metodologji të mësimdhënies, por thjesht për dituri bazike për lëndën.

“Përgjegjësia kryesore këtu, bie mbi Fakultetin e Edukimit , i cili duhet të reformohet nga themeli, sidomos duhet të ndryshoi esencialisht mënyra e përzgjedhjes së kuadrove që mbajnë mësim. Shumica e të diplomuarve në këtë fakultet nuk janë përgatitur në përputhje me kërkesat e një shkolle cilësore efektive”. Mustafë Kadriu, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim dhe Standarde në MASHT thekson se për kushtet kosovare, matematika vërtetë ka nevojë të forcohet duke filluar prej nivelit parashkollorë deri në mbarimin e arsimit parauniversitar.

MASHT nuk ka bërë vlerësim

“Nëse një nxënës një element ose ndonjë koncept nuk e zhvillon në mënyrë hierarkike këtu është defekti. Më pas ai nxënës nuk mund të kuptojë shumë gjëra që lidhen me atë koncept, këtu është aty ku këputet zinxhiri që e dallon nga fushat e tjera, sepse janë të lidhura në mënyrë zinxhirore. Për këtë duhet të jenë shumë të kujdesshëm edhe mësimdhënësit edhe nxënësit”, thekson Kadriu. Ndonëse, vlerëson se në bazë të testeve të jashtme që po mbahen nëpër shkolla në nivel shtetëror, vërehet një përparim në matematikë, ai thekson se duhet të krijohen kushte dhe dashuri për fushën e matematikës.

“Është krijuar një atmosferë se matematika është e pakuptueshme se është shumë e vështirë, madje edhe mësimdhënësit e humbin klimën e punës nëpër shkolla dhe krijohet kjo bindje se matematika nuk mund të mësohet”.

Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Arsimit, Arbër Morina thekson se MASHT-i bënë vlerësimin, kualifikimin dhe rikualifikimin e mësimdhënësve, por jo veçmas për ata të matematikës që të konstatojë nivelin cilësor të tyre. Në kuadër të Programit për Avancimin dhe Kualifikimin e Mësimdhënësve (AKM), ai tha se mësimdhënësit me shkolla të larta ndjekin dhe dy vjet shkollë për të marrë thirrjen e profesorit. “Nuk ka pasur vlerësim specifik veç për lëndën e matematikës në shkolla”. Morina thekson se MASHT ka ndjekur politikat stimuluese për të rinjtë duke mundësuar që në shtatë fakultete teknike dhe natyrore të pranohen në studime pa provim pranues,gjë që e sheh si zgjidhje të këtij problemi në të ardhmen.

 

Nga Anita Kadriu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu