Shtypi: Kredia për Greqinë, në këmbim të blerjes së armëve

0
649

ATHINE – Gazeta “The european political Newspaper”, në versionin e saj online, nxjerr në dritë marrëveshjet e fshehta të ish kryeministrit grek Jorgos Papandreu, me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Nikolas Sarkozi.

Shkrimi vë në dukje se kredia për Greqinë dhe insistimi për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë, nga kreu i opozitës Antonis Samaras, lidhen drejtpërdrejt me shitjet e armatimit prej 10.5 miliardë euro. 

Raporti thekson se, kur kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Nikolas Sarkozi ranë dakord me ish kryeministrin grek, Jorgos Papandreu për t’i dhënë Greqisë 110 miliardë Euro, kjo u bë në këmbim të angazhimit të Greqisë për të blerë furnizime ushtarake nga Gjermania dhe Franca, ku përfshihen fregata, tanke nga Gjermania, avionë luftarakë nga Franca etj.

Gazeta argumenton se Jorgos Papandreu në atë kohë kryeministër, kishte teorikisht të drejtën për të bërë angazhime, pasi perspektivat ishin që partia e tij do të qëndronte në pushtet edhe për dy vjet të tjera të paktën, dhe kjo ishte e mjaftueshme për të legjitimuar marrëveshjen. 

Shkrimi bën një vlerësim për shkaqet e rënies së qeverisë së Papandreut dhe shpjegon nevojën e nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë nga Antonis Samaras. Gazeta shkruan: “Pas dorëheqjes së Papandreut, nuk ka më asnjë angazhim zyrtar nga Greqia për blerjen e materialeve të mbrojtjes, dhe marrëveshja tashmë mbetet plotësisht në ajër.”

Artikulli kujton gjithashtu faktin që vetëm 3 ditë para dorëheqjes së Papandreut, Këshilli i Sigurisë Kombëtare vendosi nxjerrjen në lirim të menjëhershëm të gjithë shefave të shtabeve të ushtrisë, pa asnjë shpjegim. 

“Në të vërtetë, askush nuk pret që qeveria e re, e cila do dalë nga zgjedhjet e ardhshme në shkurt, me shumë gjasë drejtuar nga Antonis Samaras, të verë në diskutim blerjet e pajisjeve ushtarake, në kushtet kur bëhet fjalë për pushime masive nga nga puna dhe minimizim të pagave e pensioneve. Nënshkrimi, që Gjermania dhe Franca vazhdojnë ta kërkojnë nga Samaras është një parakusht për lirimin e këstit të gjashtë të kredisë në Greqi, por edhe siguri për Merkel dhe Sarkozy që kreu i Demokracisë së re do të përmbushë premtimet e lëna përgjysmë nga Papandreu,” përfundon raporti i gazetës.

 

Nga: ANILA JOLE

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu