Shuarja apo ngritja, cili do të jetë fati i AAK-së?

0
687

Ramushi faqebardhë

Edhe pse AAK-ja në javët e fundit është përballur me largime të deputetëve të saj nga kjo parti, analistët kosovarë besojnë se kjo parti, megjithatë, nuk është në rrezik nga shuarja.

Sipas tyre, largimi i deputetëve ka nisur si një pakënaqësi brenda kësaj partie dhe humbjes në zgjedhjet e fundit lokale në vend.

Analisti politik, Halil Matoshi, ka thënë për “Zërin” se AAK-ja është gjatë kohë jashtë pushtetit qendror dhe duke qenë se e ka humbur qeverisjen (në zgjedhjet e 2014-s) edhe në tre komuna, natyrisht se brenda partisë nisin pakënaqësitë dhe ndryshimet.

Sipas tij, në rrethanat kosovare njerëzit i projektojnë interesat e tyre personale te ndonjë parti tjetër sepse në mënyrë karikaturale partitë kosovare i ngjajnë njëra-tjetrës, pos LVV-së që ka disa retorika më agresive majtiste. Matoshi ka thënë se edhe përkundër këtyre largimeve, AAK-ja nuk mund të shuhet.

“AAK-ja nuk besoj se mund të rrezikojë që të shuhet, por ajo rrezikon në të ardhmen që ta ulë fuqinë e saj, deri në rrezikimin e pragut prej 5 % për të hyrë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Matoshi.

Edhe analisti Jon Leka ka thënë se AAK-ja nuk do të shuhet. Megjithatë, ai beson se pas këtyre largimeve kësaj partie i jepet një shans për t’u rimobilizuar me kuadro të reja.

“Nuk besoj se do të shuhet AAK-ja. Përkundrazi besoj se asaj pas këtyre largimeve i jepet një shans e mirë për t’u rimobilizuar me kuadro të reja, sepse mbetet nga partitë me profilin më të qartë sa u përket temave kapitale rreth identitetit, Evropës, shtetit sekular, ligjor etj.”, ka thënë Leka. Ai thotë se çështja ndoshta duhet të analizohet ndryshe: do të mbetet AAK një parti e tkurrur, me bazë familjare, apo do të shtrihet gjithandej dhe me kuadro përfaqësuese të të gjitha kategorive të shoqërisë.

“Unë duke pasur parasysh kapacitetet e disa eksponentëve aktualë aty besoj se do t’ia dalë. Në shpëtimin nga shuarja mendoj se duhet të punojë më shumë AKR-ja, e cila donë ta vërë Lila – Kusarin në krye”, ka thënë Leka.

Avni Arifi, këshilltari i parë i Ramush Haradinajt, thotë për “Zërin” se deri më sot asnjë njeri nuk e ka braktisur Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe që AAK-ja mund të çojë deri në dhimbje në kuptimin e humbjes së votës.

“Ndonëse jo ende në sipërfaqe në AAK është duke u krijuar një hapësirë shumë e madhe për shumë njerëz që besojnë në vizionin e AAK-së. Ditët në vijim do të shohim aderime serioze në AAK të njerëzve që besojnë në AAK dhe që e dinë se AAK-ja është opozitë. Nëse dikush ka shpresuar se AAK-ja është në shuarje ne u themi na vjen keq për ju”, ka thënë Arifi.

Ai ka thënë se ata që u larguan nga AAK-ja e kanë parë si rrugë për të marrë ndonjë post qeveritar, kurse në kategorinë e dytë ka pasur njerëz që kanë dëmtuar imazhin e AAK-së, apo kanë pasur rezultate tepër të dobëta.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu