Si Bernard Maddoff

0
1110

Këtë të martë, policia gjermane ndërpreu një mashtrim të madh në Gjermani, të cilin mediat e krahasojnë me rastin e mashtruesit financiar amerikan, Bernard Madoff. Raportohet se janë mashtruar mijëra investitorë, dhe se vlera e këtyre mashtrimeve shkon në qindra miliona euro.

Pjesëmarrja në aksionin policor më së miri flet për nivelin e mashtrimit të cilit iu hy në gjurmë. Plot 1,200 policë dhe zyrtarë të tjerë policorë filluan një bastisje të përnjëhershme nëpër zyrat e shtëpisë investuese S&K Holding, në Frankfurt, nëpër banesat dhe shtëpitë e drejtuesve të saj kryesorë, si dhe nëpër zyrat e kompanisë United Investors, në Hamburg. Lehtë mund të ndodhë që bëhet fjalë për një rast të njëjtë, sepse kompania nga Hamburgu merrej edhe me “radhitjen” e fondeve investuese që kishin lidhje me patundshmëri – veprimtari kjo kryesore me të cilën merrej kompania S&K Holding.

Aksioni i gjer policor ishte i nevojshëm, për shkak se ka kohë që në mediat gjermane shfaqej dyshimi nëse është çdo gjë në rregull me këtë shtëpinë e madhe investuese nga Frankfurti. Nuk përjashtohet mundësia që themeluesit e kompanisë – sipas të cilëve ajo edhe mori emrin, Stephan Schafer dhe Jonas Koller, kanë tubuar shuma të majme parash dhe se po përgatiteshin të iknin nga vendi. Por, sipas mediave gjermane, ata tashmë janë kapur – e bashkë me ta dhe disa ndihmës të tyre – përderisa kundër disa dhjetëra të dyshuarve të tjerë tashmë po zhvillohet një hetim, për shkak të keqpërdorimeve dhe mashtrimit të mundshëm.

Grumbuj parash, që vetëm duhej të merreshin

E vetmja gjë e çuditshme në këtë skandal është se me çfarë lehtësie arritën Schafer (31) dhe Koller (33) të bindnin ‘konsumatorët’ e tyre për t’ua dhënë “në besim” pasurinë. Në fakt, puna u hap vetëm pasi filloi kriza, dhe kur u ndërpre “shiu” i parave, si pasojë e të cilit ishte krejt normale të prisje përfitime me dhjetëra përqind brenda vitit.

Dhe, shumëkush mbeti me para në xhep’, duke kërkuar ndonjë rast të volitshëm që ato t’i investojë, dhe ku kamata do të ishte më e lartë se një apo dy përqind, sa ofrohej zakonisht.

Nga ana tjetër, S&K Holding pohonte se disponon me patundshmëri në vlerë prej mbi një miliardë euro, dhe në katalogët e saj investitorëve iu premtonte një kamatë prej 12 përqind për paratë e investuara në fondet tyre “të mbyllura” të patundshmërive. Kjo ofertë s’mund të ishte e keqe për investitorin, sepse nënkuptonte një definimin paraprak të vëllimit të investimit në patundshmëri – dhe, mbi të gjitha, krijonte një përshtypje psikologjike se bëhej fjalë për diçka ekskluzive, me një fitim ku mund të merrje pjesë edhe ti.

Dhe, përnjëmend, myshterinj kishte mjaft. Dhe, me sa duket, në mesin e tyre kishte jo vetëm persona fizik, por edhe kompani të ndryshme, të cilat shpresonin q në këtë mënyrë të nxirrnin ndonjë përfitim. Nga ana tjetër, fondi vërtet blinte patundshmëri – si për shembull, një vilë në Mallorca, “me pronë gjigante”, siç përshkruhet në web-faqen e S&K Holding, por edhe një sërë patundshmërish të tjera ekskluzive.

Asgjë nuk është tepër shtrenjtë

E tani vjen ajo pjesa në të cilën është vështirë të besohet; se ende mund të gjenden investitorë të tillë naivë.

Këto vila dhe objekte luksoze kryesisht shfrytëzoheshin nga Stephan Schafer dhe Jonas Koller, por edhe nga të afërmit dhe miqtë e tyre. Kjo për arsye se paratë vinin masovikisht, dhe ato pastaj shpenzoheshin për një jetesë luksoze të “investuesve”, në parkun e veturave të të cilëve – që tashmë është konfiskuar nga policia – kishte Bentley, Aston Martin, Porsche, Lamborghini…

Përgjithësisht, deri më tani policia ka arritur të konfiskojë një pasuri prej afro 100 milionë eurove, qoftë nëpër llogari bankare, në formë të patundshmërive, apo edhe në formë pasurish të tjera. Në të vërtetë, ende nuk dihet se sa para u janë dhënë atyre gjithsejtë në zotim nga investitorët – të cilët naivisht pritnin se do të realizonin përfitime të mëdha – e as se sa para tashmë janë shpenzuar kot. Kjo për arsye se S&K Holding shfrytëzoi trikun e vjetër “të shlyerjes së gjurmëve” të parave.

Që të dy kompanitë në të cilat bastisi policia kishin themeluar qindra kompani të tjera, gjë që zakonisht nënkupton ekzistimin e vetëm një adresë postare, përderisa vendndodhja e llogarisë bankare ndodhet në ndonjë oazë tatimore.

Lakmia nënkupton edhe budallek

Edhe në këtë rast ekspertët financiarë vetëm sjellin kokën plot mosbesim. Me muaj të tërë në internet mund të gjendeshin fotografitë e “investitorëve” të rinj, në vetura të shtrenjta, në jahte, dhe nëpër ndeja luksoze.

Nga ana tjetër, Dorothea Mohn, nga shoqata gjermane e konsumatorëve, pohon se “njerëzit nuk janë të marrë”, por ata “joshen sistematikisht” nëpërmjet ofertave të dyshimta. Prandaj, ajo edhe kërkon aplikimin e rregulloreve më të rrepta dhe ndalimin e formave të tilla të investimit, prapa të cilave zakonisht fshihet ndonjë mashtrim.

Por, eksperti bankar, Joachim Goldberg, i cili tash e 30 vjet merret me tregun financiar, nuk është aq i sigurt se ndalesat do të ndihmonin diçka në këtë aspekt. Ai madje nuk beson as në thënien se “njerëzit nuk janë të marr”.

“Iluzioni se dikush mund të pasurohet brenda natës do të funksionojë gjithmonë. Veçanërisht në periudha kur dikush mezi mund të gjejë kamata të volitshme. Edhe pse të gjithë sot e dinë se, pa rrezikuar që të humbet gjithçka, në këtë ambient financiar mezi mund të arrihen kamata deri në tetë përqind, njerëzit ende kapen për oferta të tilla joserioze. Duket se tek disa sikur shkunden të gjitha dritat”, thekson ai.

DW

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu