Si e çliruam Tuzin e Malit të Zi e Potgoricën

0
1244

Gjatë rrëfimit të tij, ish partizani 16 vjeçar i çetës së Pezës, Sherbet Karuli thotë: “Pezën e shkelën 75 mijë nazifashistë, të pajisur me artileri tanke e aviacion të cilën e grabitën 3 herë radhazi, rreth 700 nazifashistë ranë në kodrat e saj e shumë të plagosur.

Peza i dha atdheut 327 dëshmorë, prej tyre 24 ishin gra dhe vajza me në krye nënën Heroinë Mine Peza, pionieri 15 vjeçar Heroi i Popullit Met Hasa, Kajo Karafili, Mihal Duri e Maliq Muça. Mbi bazën e këtij heroizmi masiv të popullit të trevës së Pezës, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë NaÇl në Pezë u krijua Brigada 22 më 18 shtator 1944. Më 4 batalione të grupit partizan të Pezës i cili luftoi nga Peza deri në Vishegrad të Jugosllavisë duke bërë një rrugë prej 3500 km me temperaturë minus 25 gradë 2 metra dëbore, sidomos në Malin e Zi deri në Vishegrad”

Lidhja me Lëvizjen NAÇL

“Duke qenë nip në Pezë, unë njihesha me rrethanat e formimit të çetës dhe të luftës antifashiste që drejtohej nga Babë Myslymi. Më 16 mars 1941 çetën e Pezës e sulmojnë 700 karabinierë të zgjedhur, lufta ishte e ashpër deri trup me trup, ku nga rrethues ata u gjendën të rrethuar. Gjatë këtij luftimi u vranë 84 karabinierë dhe mbetën shumë të plagosur. Nga ana e çetës ranë dëshmorët e parë. Në këtë kohë Babë Myslymi shkoi në fshatin Pajon në shtëpinë e Jonus Hakramës patriot. Aty zhvillohet biseda për strehimin e të plagosurve, dhe familjen e tij prej 7 vetësh. Jonuz Hakrama i thotë: Me të plagosurit e familjen tuaj do të merrem unë. Do t’i çojmë te një miku ynë dhëndër i Pezës, Rexhep Karuli, nga fshati Leshtenj-Çollak rrethi i Kavajës. Familja Peza përbëhej nga 7 veta: Bashkëshortja e Myslym Pezës Zenepe, vajza Dije dhe djali i vogël Naimi, Bashkëshortja e Shyqyri Pezës Feride Peza, vajzat Myrvete, Luçie dhe djali i vogël Hysen Peza. Në këtë shtëpi u përgatit një strehim special në tavan tepër sekret për të cilën kishin dijeni vetëm prestarët e familjes. Ata qëndruan aty deri në 30 tetor ‘41. Mbi këtë bazë marrëdhëniesh mu ngarkua detyra e korrierit për t’u dërguar në çetë furnizime me armë e medikamente. Ky aktivitet vazhdoi deri në 6 mars 1943”

Çeta u kthye në Batalion

“Isha pothuaj 16 vjeç dhe më 7 mars 1943 vendosa vullnetarisht të radhitem në çetën e parë të Pezë. Kjo çetë më 15 mars 1943 u organizua në batalionin partizan “Peza”, i cili ishte dhe i pari në shkallë vendi me komandant Myslym Pezën dhe komisar Mustafa Gjinishin. Më 13 qershor deri në 18 qershor 43 forcat fashiste italiane prej 14 mijë vetësh të pajisur me artileri tanke e aviacion sulmuan Pezën. Lufta ishte e ashpër, e megjithatë nga armiku pati 300 të vrarë dhe 500 të plagosur. Ndërmjet tyre dhe koloneli Ludoviko Bartelomeo. Nga humbjet e mëdha që patën fashistët dogjën dhe grabitën gjithçka në Pezë. Nga ana e partizanëve ranë dëshmorë, 26 vetë, prej tyre 12 ishin gra”.

Brigada luftoi jashtë kufijve të Shqipërisë

“Mbas çlirimit të Shkodrës, Brigada kaloi jashtë kufirit ku zhvilloi luftime në Deçiç, Tuz, Podgoricë, Plevie, Suogora, Rudo Vishegrad. Nga Vishegrati, Brigada kthehet në Senicë, Mirtrovicë, Vuçiternë, Gilan, Ferizaj, Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçeva, Strugë deri në 31 dhjetor 1945. Ndërsa në 1 janar 1946 Brigada futet në Elbasan dhe strehohet në kazermat e Krastës ku qëndroi deri në 30 prill 1946 datë kur u suprimua sipas udhëzimit të Shtabit të Përgjithshëm e partizanët shkuan në reparte të tjera ushtarake të kohës”

Dëshpërimi i Gjeneralit Jugosllav

Që nga data 22 nëntor 1944, me urdhër të Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional Çlirimtare, Divizioni i 6-të, duhej që me të çliruar Shkodrën të marshonte drejt Podgoricës e Davillovgradit e në bashkëpunim me forcat Jugosllave, të godisnin trupat naziste. Më 30 nëntor ’44 forcat shqiptare kalojnë kufirin nëpërmjet Hanit të Hotit. Ndërsa më datën 3 dhjetor ’44, Batalioni 4 merr kontakt me forcat naziste. Në 4 dhjetor edhe Batalioni 2 përplaset me armikun në katundin Drumë. Me forcat e Batalionit u rreshtuan edhe 30-40 shqiptarë të katundeve Hot e Grudë, të cilët luftuan deri në çlirimin e Tuzit më 12 dhjetor ‘44. Kur forcat shqiptare luftonin në rrethinat e Tuzit e të Podgoricës, forcat malazeze as që u dukën nga ato anë. Madje trupat malazeze në atë kohë ndodheshin shumë larg, në perëndim, në malet e komunës e të fshatrave të Zetës. Për këtë arsye, komanda e Brigadës, me porosi të komandës së Divizionit, ngarkoi komandanti i Batalionit 2 të Brigadës së 22, Ziso Dakon që të nisej e të takonte partizanët malazezë e t’i lajmëronte se Tuzi ishte çliruar nga forcat shqiptare. Ish-komandanti i Batalionit të 2-të të Brigadës së 22-të, Ziso Dako në shënimet e tij thotë se nuk mund ta harrojë pritjen e ngrohtë që iu bënë partizanët malazezë. “Komanda e brigadës malazeze ndodhej në një shtëpi të bukur e të mobiluar mirë. U takova me gjeneralin jugosllav dhe i jap lajmin që forcat partizane të Batalionit të 2-të të Brigadës së 22 të Divizionit 6-të shqiptar, çliruan një ditë më parë qytetin e Tuzit dhe se aktualisht tre batalione të tjerë po luftojnë në fushën e aviacionit të Podgoricës. E pashë që gjeneralit nuk i erdhi mirë dhe i kthehet në gjuhën e tij një burri civil, por të armatosur si dhe një oficeri tjetër: “Ju keni vepruar me ngathtësi, prandaj lajmëroni Brigadën e 9-të malazeze që të sulmojë e para mbi Podgoricë se po vijnë nga jashtë e po çlirojnë qytetet tona”. Atëherë i them gjeneralit se ne nuk jemi forca të huaja, por forca të Ushtrisë Nacional Çlirimtare Shqiptare dhe se kishim ardhur për të luftuar së bashku të njëjtin armikdhe të çliroim Qytetet tona. Gjenerali Peko Dapçeviç, u ngrit dhe më shtrëngoi dorën duke më thënë se së shpejti do të takohej me komandën tonë në Tuz”.

Nga Leonard Veizi

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu