Si e njohem Madeleine Albrightin dhe Hashim Thaçin

0
775

Autoritetet sllovene po hetojnë transaksionet ndërmjet telekomit slloven e Ipko-së gjashtë vjet pas hyrjes në treg të kësaj kompanie. Përgjatë viteve kompania kosovare ishte ndihmuar nga njerëz me ndikim botëror si Madeleine Albright ndërsa drejtues të saj krijuan “miqësi personale” me kryeministrin e shtetit.

Një prej protagonistëve të përmendur në hetimet e autoriteteve sllovene ndaj “Telecom Slovenije” që u kuptuan rreth dhjetë ditë më parë, Bujar Musa, tregon për shitjen e aksioneve në Ipko Telecomunications, lidhjet e kësaj kompanie me ish-sekretaren amerikane të shtetit Madeleine Albright dhe miqësinë e tij me kryeministrin Hashim Thaçi.

Musa e Akan Ismajli (tash ambasador në SHBA) përmenden në një raportim të gazetës Dnevnik si njerëz që kishin përfituar nga vendimet e drejtuesve në “Telecom Slovenije”. Këta të fundit dyshohet se kanë dëmtuar shtetin slloven duke kryer pagesa pa zvogëluar peshën e aksionarëve tjerë në kompaninë që bleu operatorin e parë privat të telefonisë mobile në Kosovë.

Ismajli nuk u përgjigj kur u kontaktua nga gazeta nëpërmjet Ambasadës së Kosovës në SHBA.

Ai e Musa zhvilluan kompaninë “Ipko net”, ofruesin e shërbimeve të internetit në Kosovë.

Në vitin 2006, sllovenët blenë 75 për qind të aksioneve të kompanisë për 16.5 milionë euro.

Fillimisht telekomit slloven i ishin kërkuar 25 milionë euro në këmbim të blerjes së këtyre aksioneve, por oferta nuk ishte miratuar.

“Ne kemi hyrë në pazar. Pazari ka zgjatur një muaj. Në këmbim të shitjes së 75 për qind e jo vetëm të 51 për qind të aksioneve, ne kemi kërkuar që ngritjet e kapitalit të na i financojë telekomi slloven”, thotë Musa për Gazetën Jeta në Kosovë. “Me një fjalë, na kanë dhënë kredi”.

Ai thotë se sigurimi i kredive për ngritje të kapitalit të aksionarëve të vegjël ishte brenda marrëveshjes së shitblerjes së aksioneve.

Telekomi slloven, sipas Musës, kishte pranuar që të siguronte huamarrje nga bankat në Slloveni për interes të aksionarëve të vegjël.

Ai thotë se aksionarët e vegjël morën paratë e shitjes së aksioneve si dhe morën para nga huamarrja dhe kështu kishin mundësi të rrisnin kapitalin e tyre brenda kompanisë Ipko Telecomucations, të krijuar në kohën e marrjes së operatorit.

“Të gjithë aksionarët e vegjël tashmë i kanë kthyer kreditë”, thotë Musa.

Shitje të aksioneve në IPKO kishte pasur edhe në vitin 2009.

Musa thotë se kjo parashihej në bazë të marrëveshjes së vitit 2006.

Aksionarët e vegjël kishin pranuar të përcaktohej një afat kur do të mund të shitnin aksionet që mbanin në kompani.

“Telecom Slovenije” në vitin 2009 rriti aksionet në 93 për qind, sa i ka edhe aktualisht.

Me këtë rast aksionet e Musës ishin zvogëluar nga 8 në vetëm rreth 1 për qind.

Telekomi slloven pasi kishte blerë 75 për qind të aksioneve kishte vendosur që një pjesë t’ia transferonte kompanisë “Factor Banka”

“Factor Banka”, që në fillim i kishte 15 për qind të aksioneve në IPKO Telecomunications, në vitin 2009 i mbante vetëm 1.4 për qind të aksioneve pasi tjerat i kishte blerë “Telekom Slovenije”.

Aksionari Bujar Musa thotë se nuk është marrë në pyetje nga autoritetet sllovene. Ai shton se nuk ka edhe pse të merret në pyetje.

“Ne kemi bërë negociata për shitje aksionesh. Ata kanë mundur të na i paguajnë edhe 50 milionë euro aksionet. Le të hetohen ata nëse e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit të vet”, thotë Musa.

Lidhja me Thaçin dhe Albright-in

Biznesmeni e konfirmoi se aktualisht kryeministri i vendit jeton në banesën e tij në lagjen “Bregu i Diellit”.

“Nuk mund të flas se sa është shuma e qirasë, por (Thaçi) banon me qira në banesën time”, tha ai.

Kur konzorciumi ku bënte pjesë Ipko e pati fituar tenderin e operatorit të dytë, në fillim të 2007-tës, Partia Demokratike e Kosovës e Thaçit, atëherë në opozitë, nuk kishte kundërshtuar tenderin në Parlament.

Tani, Musa thotë se ka “miqësi personale me kryeministrin”.

“Por nuk do të thotë se kam përfitim prej asaj pune”, tha ai.

Biznesmeni shtoi se takohet shpesh me Hashim Thaçin dhe bisedon me të për politikë e jo për biznes pasi, sipas tij, kryeministri nuk ka shumë dijeni për sa i përket kësaj fushe.

“Unë mburrem me atë punë. Atë lidhje e ruaj shumë dhe e çmoj. Por, nuk kam pasur nevojë dhe as nuk e kërkoj ndihëm financiare prej tij”, shtoi Musa.

Ai pohon se është biznesmen që nuk ka të fituara prokurime publike nga Qeveria e udhëhequr nga Thaçi të cilin, sipas tij, e kishte njohur rastësisht në restaurant në vitin 2005 dhe se tash e ka mik të mirë.

Musa thotë se e voton partinë e Kryeministrit të vendit.

“Unë besoj që Hashimi është njeri i mirë. Është lideri më i mirë në Kosovë. Besoj në vizionin e tij”.

“Unë jam i rreshtuar te PDK-ja pa kurrfarë ekuivoke (thënë troç). Vota ime gjithnjë ka shkuar për PDK-në”, thotë Musa.

Në këtë parti e çmon si njeri liderin e saj.

“Unë besoj që Hashimi është njeri i mirë. Është lideri më i mirë në Kosovë. Besoj në vizionin e tij”, thotë Musa.

Por, hisedar në kompaninë Ipko është edhe Madeleine Albright, ish-sekretarja amerikane e shtetit. Një firmë e themeluar prej saj kishte konkurruar për të blerë Post-Telekomin e Kosovës vitin e kaluar në një tender që drejtohet nga Qeveria e Thaçit.

Në Ipko Telecomunications, Albright është aksionare e vogël.

Musa thotë se kishte kërkuar ndihmën e Albright-it nëpërmjet James O’Brien, një aksionar tjetër në Ipko, i cili është pjesë e Albright Stonebridge Group.

Në biznes është i nevojshëm një njeri i fuqishëm, thotë ai, dhe e përshkruan Albright-in si ndihmëse dhe lobuese të jashtëzakonshme për kompaninë kosovare.

“Ne nuk kemi pasë me i pagu për ndihmën (kompaninë e Albright). Kishim pasë qejf me i pagu. I kemi vetë se a mund t’ua japim juve do aksione? Ata kanë pranuar”, thotë ai.

Por kjo, sipas tij, nuk është e mjaftueshme për të paguar atë çfarë Albright kishte bërë për Ipko-n. Albright, sipas Musës, kishte ndihmuar kompaninë ku ai është aksionar me synimin për të përkrahur një biznes kosovar për t’u zhvilluar.

“Është shumë e nevojshme. Na ka dhënë këshilla strategjike. Na ka dhënë kontakte. Ndihma e tyre (Albright Stonebridge) është e madhe dhe nuk mund ta paguajmë kurrë atë çfarë ata kanë bërë për ne”, thotë Musa.

Ndihma e ish-sekretares i kishte bërë më të fuqishëm aksionarët e Ipko-së dhe tashmë Washingtoni ishte i prekshëm për ta.

“Kemi kërkuar ndihmë prej tyre për zhvillim. Na e ka hapur derën EXIM Bank, që është prej bankave më të njohura. Na kanë pritur me tepih të kuq. Kemi shku edhe te OPIC (Korporata për Zhvillimin e Investimeve Private)…”, thotë Musa. “Në Washington ne kemi hyrë si në shtëpi”.

“Kështu funksionon Washingtoni…”, shprehet ai.

Albright Capital Menagment , ku ka aksione “Albright Stone Bridge Group” një kompani e themeluar nga ish-sekretarja amerikane e shtetit në gusht të vitit të kaluar, ishte parakualifikuar nga Qeveria e Kosovës për të marrë pjesë në tenderin për privatizimin e PTK-së.

(Marrë nga Gazeta Jeta në Kosovë)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu