Si e shpëtoi poeti prishtinas Mikelanxhelon

0
491
Ikone e shek. 14-te

Libri “Më rrëfe për betejat, mbreteritë dhe elefantët” e autorit Matijas Enar, është botuar vitin e kaluar në frëngjisht dhe sivjet në gjermanisht. Libri bën fjalë për udhëtimet e Mikelanxhelos në Stamboll.

Sot ju prezantojmë një libër relativisht të ri. Ka dalë nga shtypi vitin e kaluar në gjuhën franceze, por përkthimi në gjuhën gjermane është botuar tani. Autori i tij momentalisht prezanton librin e tij në qytete të Gjermanisë. Fjala është për librin “Më rrëfe për betejat, mbreteritë dhe elefantët” të autorit të ri francez Matijas Enar, libër për udhëtimet e artistit të madh Mikelanxhelo në Stamboll, kur ai quhej ende Konstantinopojë.

Në vitin 1506 artisti tashmë i njohur Mikelanxhelo shkon në Konstantinopojë me ftesë të sulltan Bajazitit. Në fakt ai ikën nga Papa Julius i dyti, i cili pret prej tij që t’i ndërtojë varrin, që do ta bënte të paharrueshëm në historinë e njerëzimit. Papa është shumë koprac dhe e trajton me shumë mospërfillje skulptorin dhe arkitektin e madh, kështu së paku e përjeton Mikelanxhelo. Pas shumë përpjekjesh të pasuksesshme të bisedojë me Papën dhe ta bindë personalisht atë për domosdoshmërinë e harxhimeve aq të mëdha, ai gjen strehë në vendlindjen Firence, ku merr edhe ftesën e sulltanit për të shkuar në Konstantinopojë.

“Stambolli atëherë ishte krejt tjetër. E quanin Konstantinopojë, Hagia Sofia ngrihej madhështore e vetme në qytet, xhamia blu nuk ishte akoma, bregu lindor i Bosforit ishte i zhveshur, pazari i madh nuk ishte akoma ai rrjet merimange, ku humbasin, për t’u rjepur, turistët nga e gjithë bota. Ajo nuk ishte më perandoria romake dhe ende jo perandoria osmane. Qyteti luhatej në mes osmanëve, grekëve, hebrejve dhe latinëve, e sulltani quhej Bajaziti i dytë, e quanin i shenjti, besimtari i drejti…” Kaq për atmosferën e këtij libri.

Rivaliteti me Leonardo da Vinçin

Në Konstantinopojë sulltani i besoi Mikelanxhelos një detyrë të madhe, ndërtimin e një ure të madhe. Por duket se sfida pasionante për gjeniun, motivacioni më i fortë krahas parave ishte edhe se projekti pararendës i mjeshtrit 20 vjet më të madhe se ai Leonardo da Vincit, ishte refuzuar. Dhe me të vërtetë, këndvështrimi modern mbi Mikelanxhelon zbulon anë, të cilat kanë mbetur thuajse të panjohura, rivalitetin ndërmjet tij dhe Leonardo da Vincit, i cili bëri një gabim të pafalshëm duke mos e vlerësuar skulpturën. Pastaj refuzimi i Mikelanxhelos për higjienën trupore, sepse ai nuk është larë kurrë, shkruhet në këtë libër. Flinte kryesisht ndenjur, sepse si shumicës së bashkëkohasve të tij, të ndenjurit shtrirë i kujtonte shumë vdekjen.
Mikelanxhelo ka piktuar gjithmonë dhe pa u lodhur, çdo ditë, me orë të tëra. Dhe ka shkruar, por këto shkrime i ishin vetëm fjalë, asociime, lista.

Ura, që nuk u ndërtua kurrë

Në libër shfaqen personalitete të çuditshme: Mesihi nga Pristina, poet osman dhe sekretar i vezirit, me të cilin Mikelanxhelo shoqërohet edhe privatisht. (Mesihi është një shkrimtar i vjetër shqiptar, i cili ka jetuar nga viti 1470 deri 1512 dhe prezantohej si Pristineli Messih.)
Aty është edhe kërcimtarja/këngetarja androgjene nga Andaluzija, me të cilën dashurohet gjeniu. Por në fakt bukuroshja është vrasëse gjakftohtë, e gatshme ta vrasë për para, me urdhër të kundërshtarëve të Mikelanxhelos, të cilët nuk duan, që një projekt të tillë grandioz, urën që lidh lindjen dhe perëndimin, ta ndërtojë një ” i pafe”.. E shpëton miku, poeti nga Prishtina, i cili vret qënien mistike, gjë të cilën Mikelanxhelo nuk mund t’ia falë…. Nga ky dëshpërim dhe vuajtje dashurie lind koncepti unik i urës. I urës, që kurrë nuk u ndërtua. Tërmeti i vitit 1509 shkatërroi Stambollin dhe pengoi ndërtimin e saj.

Dhe në fund pyetja: Përse ky titull? Matija Enar thotë se e ka frymëzuar shkrimtari anglez Kipling, të cilin një njëri i urtë në Indi e kishte këshilluar, që shkrimtarët duhet të shkruajnë për beteja, për mbretëri dhe elefantë… por kurrë nuk duhet të harrojnë të shkruajnë për dashurinë.

Autori Matijas Enar ka lindur 1972, ka studiuar persisht dhe arabisht dhe punon në universitet në Barcelonë. Për këtë libër ai ka marrë çmimin Gonkurow 2010. Libri është përkthyer në gjermanisht dhe në serbisht.

Autor: Mirjana Veljkovic Kühne/Angjelina Verbica
Redaktoi: Aida Cama

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu