Si e shpëtuan (edhe njëherë) gjermanët Isa Mustafën pa u turpëruar?

0
720

Isa u Mustafes

Tashmë nuk është kurrfarë sekreti që Isa Mustafa u bë Kryeministër i Kosovës edhe, apo sidomos me ndihmën gjermane. Ish-Deputeti dhe i ish-dërguari i Kancelares gjermane Angela Merkel i cili para një muaji në mënyrë të papritur ndërroi jetë, Andreas Schockenhoff kishte ndërmjetësuar në mënyrë direkte mes PDK-së e LDK-së për formimin e Koalicionit të dy partive më të mëdha në Kosovë gjatë verës dhe derisa Kosovën e kishte përfshirë kriza më e madhe politike prej pas shpalljes së pavarësisë.

Kishte qenë Schockenhoff ai i cili herë duke takuar herë Thaçin e herë Mustafën u kishte hapur atyre “shtegun” e formimit të koalicionit i cili mëpas rezultoi me lëshimin pe të PDK-së dhe lirimin e rrugës për themelimin e Qeverisë së re.

Vështirësitë që dolën pas themelimit të Qeverisë së re tashmë dihen. Mosrritja e pagave, grevat me ndërprerje, protestat kundër Jabllanoviqit dhe për Trepçën si dhe presioni i pandrëprerë që partneri i madh, PDK po i bën LDK-së në Qeverisje janë evidente, raporton Gazeta Blic. Fakti që Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi nuk po i ndal vizitat e tij në shtete të rajonit dhe së fundmi edhe në Washington e kanë bërë Kryeministrin Isa Mustafa të duket si një aparatçik kundruall Thaçit të pandalur. Kështu, janë dukur pothuajse tragjikomike vizitat e Mustafës në Ministritë e tij, Dogana e institucione tjera vendore por jo edhe jashta Kosovës. Shpotia e mediave vendore për këtë fakt dhe sidomos për atë që “vizita e parë e Mustafës do të jetë takimi me Vuçiqin në Bruksel” tash disa ditë kishte bërë xhiron gjithandej.

Por ja që nuk doli të jetë krejt kështu. Isa Mustafa ka udhëtuar dje në Munih të Gjermanisë ku po merr pjesë në forumin më të lartë botëror për çështje të sigurisë- në Konferencën e Munihut. Ai atje do të ketë rastin që sot e nesër të takohet me një sërë kolegësh nga vende të Europës dhe botës por edhe do ta shpëtojë fytyrën që megjithatë vizita e tij e parë jashta Kosovës nuk ishte Brukseli dhe takimi me Vuçiqin- por ishte Gjermania dhe takimet me burrshtetas të vendeve të ndryshme të botës. Kjo i jep atij bonusin që s’do të kritikohet që ishte Kryeministri i parë i Kosovës që do të takohej me Vuçiqin për herë të parë si Kryeministër i Republikës së Kosovës! Me një fjalë: gjermanët e shpëtuan të mos turpërohej. Edhe njëherë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu