S’i mbrojtën studentët e ‘81-shit

0
785
Politikanët shqiptarë të Kosovës kishin frikë t’i mbronin demonstratat e ’81-shit dhe kërkesën për Republikë.
Një prej organizatorëve të demonstratave të vitit 1981, Januz Januzaj, ka thënë se i kujton me nostalgji ngjarjet e asaj periudhe. Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Januzaj ka thënë se me ngjarjet ’81-ishit shqiptarët në Kosovë filluan historinë e tyre kombëtare. “Thuhet se popujt e bëjnë historinë. Shqiptarët në Kosovë, më 1981, e filluan historinë e tyre kombëtare”, ka thënë Januzaj. Ai ka deklaruar se demonstratat gjithëpopullore, përpos Shqipërisë, janë përkrahur edhe nga mediet ndërkombëtare. “Shqipëria na ka mbrojtur prej fillimit. Nuk ka mundur të jetë ndryshe. Shtetet e tjera evropiane, zyrtarisht, janë përmbajtur, por kemi pasur përkrahje nëpërmjet shtypit – gazetave të shteteve të ndryshme: atyre gjermane, zvicerane, franceze, italiane, angleze, suedeze, holandeze etj”, është shprehur Januzaj. Në këtë kontekst, Januzaj ka thënë se elita e atëhershme politike shqiptare e Kosovës kishte frikë t’i mbronte demonstratat dhe kërkesat e demonstruesve. “Ata nuk patën zemër ta mbrojnë shtresën më revolucionare dhe më të paprekshme të kombit: studentët”, është ka thënë Januzaj.

“Epoka e re”: Z. Januzaj, me çfarë nostalgjie i kujtoni demonstratat e vitit 1981, organizator i të cilave keni qenë?

Januzaj: Lëvizja Studentore e Pranverës së 1981-shit, e shfaqur me demonstrata, në të cilat kanë marrë pjesë nxënësit e shkollave të mesme, punëtorët dhe populli, ka qenë një përmbledhje e të gjitha formave të deriatëhershme dhe, njëkohësisht, një frymë me kahe të re; në shpirtin, në mendjen dhe në praktikën shqiptare. Ajo ka qenë Lëvizje e një mendjeje dhe e një zemre revolucionare; për liri e për çlirim prej politikës tradicionale mohuese, fyese dhe nënshtruese, për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi, të shkelura e të tradhtuara, e që duhej të shkonin kah e drejta historike e natyrore për bashkim kombëtar dhe për një ideal ku të gjithë, pa asnjë dallim, do të jetonin dhe do të zhvilloheshin të lirë e të barabartë. Lëvizja jonë studentore i kishte edhe dy përbërës, dy shtytës, dy faqe të fytyrës së njeriut që, me shekuj, e përcjellin, e zhvillojnë, e ndërrojnë dhe e çojnë përpara qenien e quajtur shoqëri njerëzore – revolucionin dhe demokracinë. Këto dy fjalë do të jenë më të përhapurat, më thelbësoret, më të përdorurat dhe më të përfolurat në dhjetëvjetëshat e fundit të shekullit XX për shumë Lëvizje në botë, për shumë shoqëri, për shumë vende, për shumë kombe dhe për shumë shtete. Demonstratat e pranverës së vitit 1981 i kujtoj, u kthehem me mallin e atij shpirtit revolucionar të studentëve, të cilin vetëm ata e kanë; shpirti që nuk njeh përkulje, që nuk pranon kompromise, shpirti që e shkel ryshfetin, shpirti më i pastër i kombit, shpirti i idealeve që, një ditë, në një zhvillim dialektik, do të realizohet.
“Epoka e re”: Ju kujtohet ndonjë detaj para se ta merrni vendimin për ta kundërshtuar regjimin jugosllav? Si arritët së bashku me shokë ta merrni një vendim të tillë?

Januzaj: Nuk mund të thuhet për detaje, por për faktorët kryesorë, shkaqet të cilat ndikuan në marrjen e një vendimi për demonstrata. Lëvizjet pas Luftës së Dytë Botërore për Liri e për Bashkim Kombëtar. Reagimi i parë i artikuluar, kombëtarisht dhe historikisht, e që do të jetë si ngritje e vetëdijes kombëtare; si ide, si program, si organizim, si veprim, do të jetë gjallëri që nuk mbytet, jetë që nuk ndalet – është programi për bashkim kombëtar i Adem Demaçit. Ai këtë frymë e ka shprehur me bindje, me fuqi dhe pa u ndal, asnjëherë. Kundërthëniet kushtetuese e ligjore. Raportet Federatë – Republikë – Krahinë. Kosova edhe element përbërës i Federatës Jugosllave, edhe në përbërje të Serbisë, edhe e përfaqësuar në të dy dhomat e Kuvendit Federativ, edhe me numër më të vogël të delegatëve… Dhe në këtë mes edhe kundërthëniet në jetë – në praktikë. Si ishin të zhvilluara viset e tjera të Jugosllavisë, si zhvilloheshin republikat dhe, përkundër përparimit në disa fusha të jetës, si ngecte, me zhvillim, Kosova. Politika jugosllave gjatë gjithë periudhës 35-vjeçare kishte investuar në Kosovë në shfrytëzimin e lëndës së parë, asnjëherë në industrinë finalizuese. Dy milionë shqiptarë në Kosovë dhe shqiptarët nëpër republikat e tjera të Jugosllavisë kishin pozitë nënshtruese dhe shikoheshin në mënyrë krejt tjetër prej kombeve të tjera – qytetarë të rendit të dytë. Ndikimi i shtetit amë, i Republikës së Shqipërisë. Në fillim të viteve të shtatëdhjeta në mes të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë, marrëdhëniet, në disa fusha, kishin filluar të jenë më të hapura, sidomos ato ndryshime shiheshin në Kosovë. Këtu vinte letërsi e hapur dhe e fshehur. Në Kosovë arrinin ansamble të këngëve dhe të valleve, shfaqeshin drama prej trupave teatrore të qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, vinin ekipe të ndryshme për ndeshje sportive. Profesorë të Universitetit të Tiranës ligjëronin nëpër fakultete në Prishtinë, njëkohësisht edhe prej Kosovës shkonin ansamble, ekipe të sportit, profesorë, shkrimtarë dhe grupe të ndryshme qytetarësh, të organizuar, për ta vizituar shtetin amë. Televizioni Shqiptar përcillej në pjesët dërrmuese të Kosovës, edhe nëpër konviktet e studentëve. Vetë jeta në studime. Jeta në konvikte të studentëve, përballja me kushte të tjera, me të rinj të pjesëve të tjera të Kosovës, njohjet e shumta, debatet, ligjëratat nëpër fakultete, ndikimi i profesorëve atdhetarë, kushtet jo të mira në konviktet e studentëve, pritjet e gjata për ushqim në Mensën e Studentëve, mungesa e ujit të ngrohtë për pastrim.
“Epoka e re”: Keni pasur drojën se demonstratat që i keni planifikuar mund të dështojnë për shkak të rrethanave të atëhershme? A jeni dekonspiruar nga strukturat shtetërore dhe inteligjente?

Januzaj: Vërtet e kemi pasur një drojë, siç thua, se si do të rrjedhë demonstrata, pasi kurrë më parë asnjëri prej shokëve nuk kishim parë demonstratë. Është diçka që të ngjallë shqetësim, ethe; si do të fillojë demonstrata, sa do t’i bashkëngjiten, si do të duket ajo… Madje nuk kemi ditur se as kah do të ecim si demonstrues. Shërbimi i fshehtë jugosllav gati për dy-tre muaj nuk ka ditur për organizimin e demonstratave studentore.
“Epoka e re”: Si e keni ndjerë veten kur keni marrë përkrahje gjithëpopullore për ta kundërshtuar ish-Jugosllavinë? Si i kanë parë shtetet e tjera brenda dhe jashtë Jugosllavisë, ngjarjet e ’81-ishit?

Januzaj: Ka qenë një kënaqësi e jashtëzakonshme, në fillim, e papritur. Kurrë nuk do ta harroj atë përkrahje qytetare e njerëzore aq të fuqishme dhe pa hamendje. Të gjitha dyert e qytetarëve atdhedashës të Prishtinës qëndruan hapur për demonstruesit… Si të mos kujtohen fëmijët, nxënësit, rinia, punëtorët e shëndetësisë, klasa punëtore, fshatarësia…, të gjithë të bashkuar. Kështu ndodhi edhe nëpër qytete të tjera të Kosovës. Thuhet se popujt e bëjnë historinë. Shqiptarët në Kosovë, më 1981, e filluan historinë e tyre kombëtare. Shqipëria na ka mbrojtur prej fillimit. Nuk ka mundur të jetë ndryshe. Shtetet e tjera evropiane, zyrtarisht, janë përmbajtur, por kemi pasur përkrahje nëpërmjet shtypit – gazetave të shteteve të ndryshme, nga ato: gjermane, zvicerane, franceze, italiane, angleze, suedeze, holandeze etj.
“Epoka e re”: Çfarë ndodhi pas demonstratave? Çfarë ndodhi me juve dhe shokët tuaj?

Januzaj: Politikanët shqiptarë të Kosovës, si gjithherë, kishin frikë t’i mbronin demonstratat dhe kërkesën kryesore të tyre për Kosovën Republikë. Ata nuk patën zemër ta mbrojnë shtresën më revolucionare dhe më të paprekshme të kombit: studentët. Politika jugosllave ishte aty – te dera, brenda dhe jashtë, dhe herë vetë e herë me gojën e këtyre shqiptarëve, rininë studentore – neve dritën dhe të ardhmen e kombit na quajtën “reaksionarë”, “kundërrevolucionarë”, “irredentistë”, “nacionalistë”, “shovinistë”, “separatistë” etj. Garonin se cili po i gjen fjalët më të fuqishme për ndjekje, për dënime, për izolime, për burgosje, për vrasje të rinisë shqiptare, në veçanti, dhe të kombit shqiptar, në përgjithësi. Rinia shqiptare kishte hyrë si gogol në shpirtrat gjakatarë, të etshëm për trupa të njomë. Gjykatat u shtrënguan. Prokurorë, gjyqtarë e politikanë në këmbë. Vepra penale të drejtuara: në rrëzimin e pushtetit të klasës punëtore e të punonjësve, minimin e rregullimit shoqëro-ekonomik të përcaktuar me Kushtetutë, thyerjen e vëllazërim-bashkimit e prishjen e barazisë së kombeve e të kombësive, ndryshimin antikushtetues të rregullimit federativ të shtetit… Dënimet kanë qenë deri në 15 vjet burg. Udhëheqja e atëhershme shqiptare, përfundimisht, vetë, më 1981 i tregoi, tradhtinë kombëtare, nënshtrimin njerëzor dhe humbjen politike. Funksionarët shqiptarë të Kosovës, të nënshtruar politikisht, kombëtarisht e intelektualisht, të trembur, shpesh pa ditur se ku po jetojnë, ishin zënë në befasi. Prej gjumit të rëndë burokratik u zgjuan të mykur, në shpinën – në kurrizin dhe në djersën e shqiptarëve, duke bërtitur, si në jerm, se kush janë këta dhe çka po duan.
“Epoka e re”: Sipas jush, çfarë fati do të kishte Kosova pa ngjarjet e ’81-ishit? Çfarë kahe u kanë dhënë zhvillimeve në Kosovë? A do të vonoheshin liria dhe pavarësia e Kosovës?

Januzaj: Pa fije dyshimi, Kosova, pa demonstratat e vitit 1981, do ta kalonte një rrugë shumë më të vështirë, një rrugë tjetër dhe tepër më të gjatë. Mos kanë qenë demonstratat e 1981-shit të parakohshme?! Është dilema e rremë politikaneske, më e paqëndrueshme. Ato kanë qenë me kohë dhe në vend. Asgjë nuk ka të përkryer. Ato janë si lajmëtar i një procesi, jo vetëm shqiptar, por evropian, i një procesi me përmasa intelektuale, shoqërore, politike dhe shtetërore. Ngjarjet, në jetë, nuk ndodhin as herët e as vonë. Ato ndodhin sepse njerëzit i sjellin, i krijojnë, i bëjnë. Kjo, e parakohshme, për burokratë të pushtetit dhe intelektualë të kabinetit, që koha, hapësira dhe kombi nuk kanë kuptim. Demonstratat kanë qenë një zgjedhje jona e shkëlqyeshme historiko-dialektike, jo vetëm e kërkuar, por e arritur dhe e gjetur, jo nga jashtë, por nga brenda. Të lirë prej frikës, të lirë për të jetuar me lirinë, të lirë për të pasur nder, duke dhënë çdo gjë personale, për të përgjithshmen, të rrethuar e të shënjuar prej njerëzve të ligj, puthadorë, sharlatanë e dyfytyrësh. Demonstratat, në pranverën e vitit 1981, kanë qenë shpërthim ndaj rrezikimit serioz të qenies shqiptare; reagim ndaj nënvlerësimit moral e zhvillimor dhe ngritje kundër shkeljes politike e kombëtare të njeriut tonë. Kanë qenë shprehje e ndërgjegjes së zhvilluar të kombit shqiptar, vrull që nuk duronte pranga, mure e çadra ndaj Kosovës dhe ndaj shqiptarëve. Atëherë, në rrugën e gjatë, të ushqyer me gjak, në ëndrrat për shtetin shqiptar dhe në ëndrrat për lirinë, kishin dalë në dritë të gjitha shenjat që tregojnë se një ditë, këtu, do të ketë luftë për çlirim kombëtar. Shqiptarët e Kosovës dhe të pjesëve të tjera shkëputjen e vet me dhunë nga Shqipëria e kanë përjetuar dhe vazhdojnë ta kenë si padrejtësinë historike e kombëtare, më të madhe që u është bërë.

(Lirim GECI)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu