Si mund të arrihet tek Kulla e Berishajve?

0
587

Thjesht nisuni nga rruga “Hamza Kastrioti” dhe pas nja 700 metrave lakoni djathtas. Aty do të shihni semaforin e parë. Nëse është i kuq dhe nuk ka makina tjera, vazhdoni; se a respektoni këmbësorët, është në pushtetin Tuaj zoti Hans. Pasi ta keni lënë pas vete semaforin, atëherë lakoni përsëri djathtas dhe do të gjendeni në një udhëkryq të madh. Vazhdoni me kokëfortësi drejt, pa shikuar shumë, vazhdoni i ngrysur dhe serioz dhe pas disa minutave do të gjendeni në sheshin “Mojsi Golemi.” Ngisni tutje me ballin plot rrudha, kështu u transmetoni shqiptarëve se jeni i djathtë dhe mund të keni më pak kokëçarje. Tek semafori i dytë, respektoni edhe të kuqen, përndryshe rrezikoni një përplasje të keqe, nga makinat që mund të vijnë nga e djathta dhe urrejnë ata që futen nga e majta. E djathta është në pushtet zoti Hans dhe nuk është e detyruar t’ i respektojë Ligjet e Komunikacionit, e as Kodin Penal.

Mos vështroni gjatë  përmendoren me kalë të Hamza Kastriotit, por vazhdoni me kryeneçësi të madhe drejt. Majtas mos lakoni kurrë, sepse të gjitha rrugët e djathta të shpijnë drejtë e në kryeqendër të pushtetit: Tek “Kulla e Berishajve. “ Duke qenë i bindur se keni kuptuar përshkrimin, pas dy kilometrave, atëherë, ju lutem, lakoni përsëri djathtas dhe mu tek busti i Esat Pashë Toptanit, gjendet një çezme. Aty lani sytë mirë sepse pas katër kilometrave, do të gjendeni para përmendoreve madhështore: “Tre Heronjtë e Shekullit XX”: Ceno Cërnoglaviçi (në kllapa shkruan, Kryeziu) Nikolla Pashiqi dhe Ahmet bej Zogollit. Ky i fundit është bir i pashait, nip i Esat Pashës, që shpalli nënën e mjerë Sadije, analfabete: “Mbretëreshë të Shqiptarëve.” Nëse keni dëshirë, parkoni makinën në mes të rrugës dhe fotografohuni pranë tre heronjve shqiptarë. Nuk do të keni pengesa nga populli. Ai do ta çmojë këtë akt. Në fotografi do ta shihni ngjyrën e fytyrës që ka pllakosur lëkurën Tuaj apo gojën e çaraveshur. Ju do t’ i bëni shumë pyetje vetes, por ka vetëm një përgjigje dhe atë mund ta merrni pranë grilave të pushtetit, ku u eliminuan disa puçistë, që i qenë sulur Kullës me LA (lapsa atomik) dhe me ÇDZ (çadra të zeza nukleare.)

Pse pashallarët heronj? Arsyeja është e thjeshtë zoti Hans, duhet krijuar një ekuilibër kombëtar: Erdoani, vëllai i Hashimit dhe Saliut, ka kërkuar që edhe pashallarët të shpallen heronj të shqiptarëve. Madje, edhe sulltanët. Ai dëshiron të futemi më shpejt në Europë. Sali Pasha dhe Hashim Pasha, kanë nënshkruar këtë obligim…

Po e vërtetë, kanë  rrëzuar përmendoren e Enverit dhe ngritur të Ahmet Zogut…Po, ashtu është në modë tani në Shqipëri: Enveri ishte tradhtar, Zogu patriot…

Nejse, pranë “Tre Heronj të Shekullit XX”, do ta gjeni rrugën “Leka i Parë”, mbret i ndjerë tanimë, që në një hotel të Parisit, shpalli veten mbret i shqiptarëve. Këtë hotel, zoti Hans, Qeveria shqiptare ka vendosur ta shkulë dhe ta ngulë në Shqipëri. Bisedimet po vazhdojnë mes Carla Brunit dhe Jozefina Berishës. Është monument historik shqiptar dhe nuk mund të mbetet më në Paris, zoti Hans. Është ofendim për kombin tonë dhe Oborrin Shqiptar. Këtu nëse dëshironi mund të ndaleni ca, t’i bëni disa pyetje vetes… Po, e vërtetë, Saliu e pat përzënë mbretin, por tani është penduar: Jemi njerëz dhe gabojmë në jetë. Po, e di, e di, se ai tani pohoi se ka mësuar të numërojë vota dhe këtë ia tha edhe mbretit të vdekur. Nëse ngrihesh, i tha ai, atëherë, do t’ i rinumëroj votat si duhet dhe do të të shpall mbret…Ishte korrekt, apo jo?! Mirëpo, mbreti gaboi dhe nuk u ngrit…Medet! Në vend të tij, u ngrit vampir Nano. Ec e merre vesh këtë botë!

Është e mundur Zoti Hans, është e mundur se ai tani Lekën tjetër po e përgatit. Kjo mirëpo akoma nuk dihet. Dihet vetëm se ai është numëruesi më i mirë në Europë.

Tani zoti Hans, ju jeni fare pranë Kullës, por meqë nuk bën të lakoni majtas, ju ngelen edhe pesë kilometra për të arritur aty. Tani vazhdoni përsëri djathtas dhe do të gjendeni në Bulevardin “ Rrahman Morina.” Pas dy kilometrave, lakoni djathtas në bulevardin “Atdhetari Shqiptar, Janutallosi,”. Nëse keni navigacioni fikeni, është e mundur se ju sugjerohet të ktheheni majtas, por mos e bëni këtë në Shqipëri ju lutem. Mund të ju dërgojnë në parajsë.

Jo, jo, në Shqipëri nuk ndiqet politikani që vret njerëz dhe miza. Ai posedon imunitet. Po, natyrisht se ka një prokurori, por jo për qeveritarët…Imuniteti Zoti Hans, imuniteti…po, ashtu, siç posedonte imunitet Stalini, Hoxha, Tito, James Bondi apo kaubojt…Pasi të parkoni makinën, hiqni nga xhepi lapsin. Çadër mos merrni me vete edhe nëse bie breshër. Nga bodrumet e Kryeministrisë, mund të ju përshëndesin dhe japin lamtumirën, dmth, fitoni vizën për transferim. Në këtë Kullë, gjendet stalinisti i vetëm në sistemin tonë diellor, që drejton një parti demokratike.

Pse tradhtarët me përmendore dhe rrugë? Edhe kjo shumë e thjeshtë zoti Hans. Ndjenjat humaniste shtyjnë Kryeministrin t’ i pajtojë patriotët me tradhtarët. Pastaj, është provuar se tradhtarët kishin bërë tradhti, nga dashuria e tepërt ndaj atdheut dhe kjo duhet të shpërblehet… Ju ndoshta dini se politikanët zgjedhin shëmbëlltyra për t’ i arsyetuar veprat e veta, u nevojiten personalitete historike që kanë bërë vepra të njëjta apo gati të njëjta. Për shembull, duke rehabilituar Ahmet Zogun, oborrin mbretëror shqiptar – që sipas statutit të vet Art. 65, nuk mund të konsiderohet mbret, kur qëndron më shumë se 3 muaj jashtë vendit – përligjet falja e detit Greqisë.

Jo, tani për tani jo, e pengoi “tradhtari” i shekullit XXI, profesori Myslim Pasha. Ndërkaq, dezertimi zoti Hans, nuk quhet dezertim në Kullë, por largim. Edhe pse sipas artikullit 71 të statutit të vet “Ai është komandanti më i lartë i forcave tokësore, detare dhe ajrore të Shteti…” Kaq, zoti Hans. Një politikan shpall si shëmbëlltyrë Skënderbeun, tjetri Zogun. Pse? Sepse vota e Einsteinit, vlen po aq sa vlen edhe vota e një bariu që gjendet ”brinjave, çukave, gërxheve, kodrave dhe lumenjve të kulluar…”

Edhe një gjë  mos harroni: Asnjë fjalë apo mendim pozitiv për Edi Ramën apo për opozitën. Edhe këtë pyetje mos ia bëni. E di. Në Gjermani Krishtlindjet i urohen popullit nga qendra e pushtetit. Kancelarja dhe Kryetari i Gjermanisë nuk zhvesh pushtetin e fituar nga populli dhe nuk gjunjëzohet para një prifti apo hoxhe që përfaqëson vetëm lutësit e rregullt, por jo popullin. Në Ballkan, për dy apo tri vota, politikani degradon veten dhe me tërë pushtetin veshur nga populli, shkon tek krye-eminenca, tek ambasadori i Zotit: Janutallosi apo tek Naim Tërnava dhe i urojnë popullit që e ka “zgjedhur” Krishtlindjet apo Bajramin. E bëjnë këtë nga zyra e njeriut, që nuk e ka votuar askush. Kaq Zoti Hans. Kur të hyni në zyrën e Kryeministrit merrni me vete: një psikiatër, një psikolog dhe një mentolog. Njëri të vështrojë gjuhën e trupit, tjetri grimasat dhe i treti t’ i analizojë. Po, zoti Hans, po, gënjen dhe rrenë sapo ta hap gojën. Edhe kur thotë mirëdita, shikojeni orën, ju lutem, mund të jetë mesnatë.

Edhe një gjë  harrova: fotografoni piramidën. Më vonë nuk do ta gjeni aty. Jo… Arsyeja është e thjeshtë edhe këtu. Saliu është traumatizuar nga piramidat që kishte ndërtuar më herët dhe tani urren çdo piramidë. Madje, i ka ofruar ndihmë edhe vendeve arabe për ta ndërtuar demokracinë, dmth. sillet e mbështillet se si t’ i rrënojë edhe piramidat e Egjiptit.

Jo, jo, mos bëni këtë gabim ju lutem. Jo për dhëmbët. Dhëmbët ngjyrë kafeje janë arma e tij. Po e di, e di se në Gjermani qortohet prindi nëse në “Kopshtin e Fëmijëve “ nuk i lanë njëri dhëmbët, po, por Saliut i kanë vdekur prindërit. Është jetim tani. Prandaj është e kotë! Pastaj, ai me ata dhëmbë dhe me kollare në qafë, trishton kundërshtarët, sepse kur sheh njeriu dhëmbët e tij, për një çast, mendon se ka para vete një neandertaler, por kur i vëren kollaren, atëherë kthehet me shpejtësi drite në shekullin tonë: ky kolizion i mendimeve, ngjallë tmerr dhe dezorientim zoti Hans. Shkakton huti, zgurdullim, blackout, panik dhe ja pse ai ruan ata dhëmbë dhe nuk i ka larë qysh nga ndërrimi i rendit politik. Nuk i ka larë, sepse Enveri ishte diktator dhe deri sa ishte sekretar i Partisë së Punës, Saliu ishte i detyruar t’ i lajë rregullisht dhe këta dhëmbë sot shërbejnë për të dëshmuar demokracinë dhe shkëputjen nga stalinizmi. Dhe, nuk i lanë për inat të Enverit. Kjo është një lloj proteste zoti Hans… E di, e di, mos e përsëritni ju lutem. E di se pastaj njerëzit në Perëndim mendojnë se nuk kemi zbuluar akoma furçën, por nuk mund ta ndryshojmë. Këta dhëmbë kanë funksion politik të brendshëm…

Jo, jo, për kartolinën cullak të Edi Ramës, mos thoni gjë. Ata janë konservativ dhe nuk duan ta shohin gruan kështu të zhveshur, janë shumë të moralshëm. Ata edhe kur i bëjnë detyrat e shtëpisë, nuk zhvishen, thjesht nxjerrin lapsin jashtë nga një plasë dhe fët e fët i kryejnë detyrat ashtu në këmbë duke u parë në sy me gruan. Ky vështrim reciprok, ndikon që foshnja të lindet me identitet kombëtar dhe të djathtë, zoti Hans…

 

Shkruan: Naser Aliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu