Si u fal Porti i Durrësit me negociata sekrete

0
191
Rama dhe Alabar

Ditën që Sali Berisha mbante kuvendin e Partisë Demokratike në stadiumin Air Albania dhe e gjithë vëmendja e opinionit publik ishte e mbërthyer aty, dy ministra të qeverisë shqiptare ishin në Dubai për të negociuar koncesionin e portit të Durrësit.

Që pas darkës së famshme të Nusretit, përfaqësues të qeverisë Rama kanë qenë të paktën edhe 4 herë të tjera në Dubai për të negociuar direkt me Muhamed Alabar për koncesionin e shumëpërfolur të Portin të Durrësit. Në të njëjtën kohë vet Alabar ka qenë disa herë në Tiranë. Por të gjitha vizitat e ndërsjellta janë mbajtur sekret dhe pa asnjë njoftim publik.

Megjithatë, ndonëse jashtë syve të publikut negociatat mes palëve kanë qenë intensive. MCN ka mësuar pika më e nxehtë e tyre mbetet pjesëmarrja e qeverisë shqiptare në projekt.

Arabët kërkojnë që shteti shqiptar të hyjë si aksioner në koncesion. Kjo nënkupton se qeveria, veç faljes së tokës duhet të financojë edhe investimin në proporcion me përqindjen e aksioneve që do të ketë në projekt. Por qeveria shqiptare preferon një tjetër pjesmarrje, atë të pronares përfituese. Pra arabët të financojnë të gjithë projektin, ndërsa qeveria të përfitojë një përqindje të caktuar nga të ardhurat e shitjes së apartamenteve që do të ndërtohen në zonën e portit.

Me sa duket tashmë palët po shkojnë drejt marrëveshjes finale. Këtë të mërkurrë në rendit e ditës të mbledhjes së qeverisë ishte caktuar edhe një vendim, që e kalon pronësinë e Portit të Durrësit nga Ministria e Infrastrukturës tek ajo e Financave dhe Ekonomisë. Nuk dihet nëse vendimi do të kalojë po sot, apo gjatë ditëve në vijim. Por konsolidimi i pronës tek një ministri e vetme është hapi i parë, i cili do të pasohet nga kalimi i të gjithë pronës së Portit dhe 100 hektarëve tokë shtetërore përreth tij tek kompania Symphony Invest.

MCN ka mësuar gjithashtu se Alabar sot ndodhet në Tiranë. Ditën e Vitit të Ri, ai do të jetë së bashku me kryeministrin Edi Rama ku përmes një shfaqje me fishekzjarre do të inaugurohet fillimi i projektit të Portit. Një show madhështor, që i hap rrugën koncesionit kontrovers duke transferuar pa garë dhe pa procedurë ligjore, një pronë publike me vlerë të paktën 500 milionë euro tek një kompani private.

Pas transferimit, Porti i Durrësit do të çmontohet dhe kompania private do të ndërtojë aty një port jahtesh si dhe mijëra apartamente, të cilat më pas do të shiten në treg duke sjellë fitime për të. Ndërkohë qytetarët shqiptarë do të detyrohen të paguajnë qindra milionë euro për ndërtimin e portit të ri, në zonën e Porto Romanos. 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu