Si u sollën eshtrat e Abdyl Frashërit në 1978 dhe ato të Nikoll Kaçorrit, në… 2011

0
909

Një krahasim mes dy kohësh – Stafeta e nderimeve shtetërore Stamboll-Tiranë-Frashër në 1978 me eshtrat e Abdylit dhe mjerimi i Rinasit në 2011 me eshtrat e zëvendësit të Ismail Qemalit

“Rrugëtimi i eshtrave të Abdyl Frashërit” – titullohet lajmi i ATSH-së që daton në mars 1978. Raportimi nis në Stamboll ku një delegacion shqiptar ka shkuar të marë në dorëzim eshtrat. Raportimi përshkruan një ceremoni në Stamboll e më pas një tjetër ceremoni nderimi, kësaj here në kufi. Shkruan ATSH në mars 1978: “…Eshtrat e Abdyl Frashërit, të shoqëruara nga delegacioni ynë, u nisën nga Turqia për në Atdhe. Me këtë rast me konsullatën e Shqipërisë në Stamboll u zhvillua ceremonia e përcjelljes. Në këtë ceremoni morën pjesë delegacioni ynë, ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i RPS të Shqipërisë në Turqi Ylvi Lulo, konsulli i përgjithshëm i RPS të Shqipërisë në Stamboll Rakip Hoxha, zëvëndësvaliu i Stambollit Mehmet Fondalu, këshilltari i bashkisë së qytetit Faruk Aliçeri, personalitete të tjera të Stambollit, miq vendës të Shqipërisë dhe shumë qytetarë turq me origjinë shqiptare. Fjalën e rastit e mbajti shoku Xhorxhi Robo. Pasi u vendosën kurora dhe u bë roje nderi, arkivoli, shoqëruar nga delegacioni ynë, u largua nga Stambolli… Në kufirin turko-grek delegacionin e përshëndeti kaimekami i qytetit të Ipsallës Jellmaz Ezel, kryetari i bashkisë së qytetit Edip Juksen, komandanti i policisë Hamit Emri dhe autoritete të tjera të qytetit. Gjatë qëndrimit në Stamboll delegacioni ynë i bëri një vizitë kortezie valiut të Stambollit Inian Tekin, të cilin e falënderoi për gatishmërinë e qeverisë turke, që lehtësoi ardhjen në Atdhe të eshtrave të Abdyl Frashërit. Valiu i Stambollit shtroi për nder të delegacionit një darkë, ku ndodheshin edhe zëvendësvalinjtë Teki Are dhe Mehmet Fondalu…” Pas sjelljes së eshtrave në atdhe, vijojnë ceremonitë dhe nderimi për Frashërin. Lajmi i Agjensisë shtetërore të asaj kohe vijon me detaje të tjera. Fillimisht pritje në kufi, në Kapshticë” “..Me këtë rast në Kapshticë, kishin dalë edhe ministrja e Arsimit dhe Kulturës Tefta Cami, kryetari i Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë Aleks Buda, sekretari i parë i Komitetit të Partisë të Rrethit të Korçës Enver Halili, kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Korçës Vangjel Çerava, kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë Dritëro Agolli etj…” Pastaj është rradha e një nderimi tjetër, me pjesëmarrjen e komunitetit. Shkruan ATSH: “…Në sheshin “Demonstrata e Bukës” arkivoli me eshtrat e Abdyl Frashërit u vendos në një shtrat topi, ndërsa roja e nderit qëndronte “për nder armë”. Pastaj arkivoli u mbulua me flamurin kombëtar dhe orkestra frymore ekzekutoi Himnin kombëtar dhe marshe funebre. Pranë arkivolit u vendosën kurora në emër të Këshillit të Ministrave të RPS të Shqipërisë, Këshillit të Përgjithshëm të Frontit Demokratik të Shqipërisë, Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Në qytetin e Korçës u organizua një miting, ku merrnin pjesë mijëra banorë të qytetit. Për veprimtarinë e Abdyl Frashërit, një nga figurat më të shquara të Rilindjes sonë kombëtare, në miting folën shokët Vangjel Çerava, dhe Aleks Buda. Pastaj, nën tingujt e marsheve funebre, banorët e qytetit të Korçës bënë nderimet e përcjelljes së eshtrave të Abdyl Frashërit për në Frashër të Përmetit….” (19 mars 1978 – ATSH)

Stafeta e seriozitetit shtetëror dhe e respektit popullor vijon nga Korça në Përmet. Disa detaje të tjera të rrugëtimit na i jep “ZP”-ja e 1 marsit 1978. Shkruhet aty: “Populli i rrethit të Kolonjës e të Përmetit dhe banorët e krahinës së Dangëllisë priti me nderim dhe përcolli për në Frashër të Përmetit eshtrat e patriotit dhe luftëtarit të madh, udhëheqësit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit Abdyl Frashëri. Në orën 16, në hyrje të qytetit të Përmetit, arkivoli me eshtrat e Abdyl Frashërit u vendos në një shtrat topi, ndërsa truproja e nderit qëndronte “për nder armë”. Pasi arkivoli u mbulua me flamurin kombëtar, nën tingujt e marsheve funebre, pranë tij u vendosën kurora. Në sheshin e qytetit u bë një miting i përmotshëm. Për veprimtarinë e Abdyl Frashërit, një nga figurat më të shquara të Rilindjes sonë kombëtare, folën kryetari i Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit Duro Kopo dhe drejtori i Institutit të Historisë pranë Akademisë së Shkencave të RPS të Shqipërisë Stefanaq Pollo. Pas mitingut, pjesëmarrësit bënë nderimet e përcjelljes së eshtrave të Abdyl Frashërit për në vendlindjen e tij, në Frashër të Përmetit….” Dhe vijon akoma: “….Dje paradite, banorët e krahinës së Dangëllisë, në rrethin e Përmetit, kishin dalë për të pritur në gjirin e vet eshtrat e birit të paharruar, Abdyl Frashërit. Me këtë rast, para shtëpisë-muze të Vëllezërve Frashëri u organizua një miting, ku merrnin pjesë qindra banorë të kësaj krahine. Ishte e pranishme dhe ministrja e Arsimit dhe Kulturës Tefta Cami. Në emër të banorëve të kësaj krahine foli deputeti i Kuvendit Popullor, kryetari i kooperativës së zmadhuar të Frashërit, Fadil Hamiti. Arkivoli me eshtrat e Abdyl Frashërit u vendos në dhomën e shtëpisëmuze të Vëllezërve Frashëri, ku pasqyrohet veprimtaria dhe aktiviteti i tij. Pasi u vendosën kurora, të pranishmit bënë homazhe. Arkivoli do të qëndrojë në shtëpinëmuze të Vëllezërve Frashëri, nën kujdesin e popullit të krahinës së Dangëllisë, deri në qershor të vitit 1978, në 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit….”. (ZP, 21 mars 1978)

Shënime të Enver Hoxhës për LSHP dhe eshtrat e Abdylit

“…ne kemi pregatitur edhe varrin e Sami Frashërit, eshtrat e të cilit ndodhen akoma në Stamboll, pse qeveria turke nuk është e vendosur të na i japë. Por aktualisht Republika turke nuk duhet të ndajë vëllezërit Frashëri..” E shtunë, 10 qershor 1978. Sot në orën 6, në Teatrin e Operas e të Baletit do të mbahet një mbledhje solemne, ku do të flasë shoku Ramiz Alia mbi rëndësinë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pastaj nesër, më datën 11 qershor, do të bëhet një miting i madh solemn në Sheshin Skënderbej, ku përpara eshtrave të Abdyl e Naim Frashërit, të vëna në një shtrat topi dhe të mbuluara me Flamurin kombëtar, do të parakalojë populli i Tiranës dhe ne do të vemi të bëjmë homazhe. Pastaj do të mbajë një fjalim të rëndësishëm shoku Mehmet Shehu për rëndësinë historike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe për udhëheqësit e saj të shquar. Pas mitingut në mënyrë solemne, jo si në një ceremoni funebre, por në mes entusiazmit dhe duke kënduar këngë patriotike, do t’i çojmë eshtrat e Abdylit e të Naimit në varrezat e reja që janë ndërtuar në Parkun e madh të Tiranës. Tok me varret e dy njerëzve të mëdhenj të Rilindjes sonë ne kemi pregatitur edhe varrin e Sami Frashërit, eshtrat e të cilit ndodhen akoma në Stamboll, pse qeveria turke nuk është e vendosur të na i japë. Por aktualisht Republika turke nuk duhet të ndajë vëllezërit Frashëri, të cilët janë vërtet tre, por për popullin tonë ata janë një e të pandarë, janë simboli i diturisë, i luftës së popullit shqiptar për pavarësi dhe sovranitet. Në vend ka muaj që po bëhen konferenca shkencore. Pas konferencës së madhe shkencore më datë 12 qershor në Tiranë do të bëhen po ashtu konferenca shkencore edhe në disa qytete të tjera kryesore të Lidhjes: në Shkodër, Gjirokastër, Elbasan, Korçë, Dibër dhe Kukës.

*****

Sot është ditë shumë e shënuar, 100 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në Sheshin Skënderbej të Tiranës mbi një shtrat topi, mbuluar me Flamurin e Shqipërisë, ishin vendosur eshtrat e dy vëllezërve Frashëllinj, Abdyl dhe Naim. Ishte grumbulluar popull i madh, sheshi plot, rrugët anembanë me njerëz në pritje të momentit solemn. Tok me gjithë shokët u nisëm nga Shtëpia e Partisë në orën 9 e 45 dhe mbërritëm afër monumentit të Skënderbeut, ku u bëmë grumbull dhe shkuam përpara arkivoleve me eshtrat e dëshmorëve të mëdhenj të kombit. Përshëndetëm, nderuam, pastaj banda luajti himnin e Flamurit dhe në fund u ngjitëm në tribune. Mitingun e hapi shoku Simon Stefani, i cili ia dha fjalën shokut Mehmet, që mbajti një fjalim të zjarrtë, të mrekullueshëm, me përmbajtje të lartë patriotike, që e entusiazmoi popullin. Fjalimi i Mehmetit u duartrokit shumë herë. Pas fjalimit zbritëm dhe u përqafuam shumë patriotë, veçanërisht malësorë që kishin zbritur nga bjeshkët e veriut, që nga Valbona, nga Tropoja, nga Kukësi, nga Malësia e Madhe, nga Puka. U përqafova edhe me vëllezërit e ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U rrjeshtuam pastaj pas arkivoleve që, tërhiqeshin nga topat e rrethuar nga ushtarët me armë në sup. Pasi kaluan njerëzit nga të dy anët e kopshtit që gjendet në mes të ministrive, të dy krahët u bashkuam në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe u shkrinë në një kortezh të madh masiv, duke ndjekur me hap ritmet e këngëve patriotike e të këngëve partizane dhe me arkivolet e njerëzve tanë nga më të dashurit, më të shquarit e më të mësuarit të popullit tonë. Tek ura e Lanës, ne, dhe gjithë të ftuarit e moshuar ua hipëm automobilave dhe autobuzëve dhe shkuam nga rruga tjetër, mbërritëm në kodrat e parkut, ku pritëm ca në hije, deri sa erdhën arkivolet me bandën në krye, me flamurët, me pionierët e me vargun e dhjetra e dhjetra kurorave që kishin rrethuar monumentin dhe varrezat ku do të futeshin eshtrat e vyera të patriotëve tanë të mëdhenj. Varrezat ishin bërë bukur, më duket mua, por mundet edhe t’i zbukurojmë akoma. Platforma ishte ndërtuar gjithashtu bukur me dy palë shkallë. Te shkalla e fundit ishte platformë me të tre varret, të Abdylit, të Naimit dhe të Samiut. Hijet e pemëve që janë mbjellë rreth e rrotul i jepnin një bukuri gjithë këtij ambjenti të shenjtë. Aty ishte ngritur edhe një mur me mermer të kuq mbi të cilin janë vendosur tre bustet të Abdylit, të Naimit dhe të Samiut. Ne ngjitëm dhe depozituam në këtë vend kurorat. Kur arkivolet u futën në varreza, atëherë filloi breshëria e pushkëve dhe e topave, ra himni i Flamurit, ndërsa ne nderuam dhe u përulëm përpara varreve të këtyre tre njerëzve të mëdhenj të Shqipërisë. Kështu mbaroi ceremonia. Ishte kjo e sotmja një ditë e paharruar në jetën time. Populli e shikon se si Partia i ngriti në piedestalin e historisë ato gra dhe ata burra që në kohërat e tyre derdhën gjakun, derdhën djersën, bënë sakrificën e fundit për lirinë e kombit tonë, për tërësinë e tokave tona, për pavarësinë dhe sovranitetin e atdheut, për livrimin e gjuhës shqipe, për përparimin, për demokracinë…”

Eshtrat e dom Nikoll Kaçorrit, transportohen me karrocë mallrash, në Rinas nuk i pret askush

Dom Nikoll Kaçorri ishte nënkryetar i qeverisë së parë shqiptare që ngriti Ismail Qemali. Ai prehej në Vjenë ku dhe ndërroi jetë më 29 maj 1917. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe në shkurt të vitit të kaluar

Dom Nikoll Kaçorri njihet si një nga personalitetet që shpallën pavarësinë e Shqipërisë në 28 nëntor 1912, dhe nënkryetari i qeverisë së parë shqiptare që ngriti Ismail Qemali. Ai prehej në Vjenë ku dhe ndërroi jetë më 29 maj 1917. Eshtrat e tij u kthyen në atdhe në shkurt të vitit të kaluar me iniciativën e një grupi veprimtarësh shqiptarë, në prag të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, dhe prehen tashmë në altarin e Kishës “Shën Luçia”, ku ai shërbeu për 24 vjet. Me fjalë, kryeministri i vendit e quajti ato ditë Dom Nikollë Kaçorrin “shenjt i pavarësisë së kombit”. Me fjalë është e lehtë, po me vepra? Fjalët i merr era (këtu tek ne, flladi) por ajo që ndodhi “me vepra” ishte e turpshme. Eshtrat e klerikut dhe atdhetarit Dom Nikollë Kaçorri, të cilat u kthyen në atdhe pas 94 vjetësh, nuk u pritën në Rinas nga askush. Shtypi i shkurtit 2011 botoi disa foto të trishtuara të një thesi të zi mbi një karrocë transporti valixhesh në Rinas të pashoqëruara nga askush. Ja si e përshkruan agjencia Ballkanweb situatën e asaj dite në Rinas: “…Skandal qeveritar me eshtrat e misionarit dhe nënkryetarit të qeverisë së parë shqiptare, imzot Nikoll Kaçorrit. Asnjë qeveritar shqiptar, madje as nga ndonjë i rangut më të ulët nuk ka qenë i pranishëm në aeroportin e Rinasit më 9 shkurt 2011, kur nga Austria kanë mbërritur eshtrat e nënkryetarit të qeverisë së Vlorës. Por duke mos u ndalur me kaq, skandali vijon edhe më tej. Sepse në Rinas nuk kishte asnjë shenjë protokolli qeveritar për themeluesin e parë të kësaj qeverie. “Gazeta Shqiptare” denoncoi skandalin duke publikuar dhe foto ku duket qartë se arkivoli që mbante eshtrat e themeluesit të alfabetit shqip, është transportuar me një karrocë mallrash. “Madje zyra e protokollit qeveritar nuk ka lejuar të afrojë makinën pranë avionit që arkivoli të mos merrej nën dore si të ishte ndonjë valixhe. Më pas eshtrat e dom Nikollë Kaçorrit janë transportuar me një karrocë mallrash. Në fakt nuk ke ç’të presësh më shumë, kur ministri i Kulturës, është ende në “kërkim të eshtrave” të Ismail Qemalit….”- shkruhet në artikullin e botuar sot në “Gazeta Shqiptare” i cili shoqërohet dhe me një reagim tepër indinjues të Fritz Radovanit, (i përndjekur politik, dhe autor i disa librave, me banim në Australi) me titull “Eshnat e Dom Nikoll Kaçorrit frikësojnë qeverinë anadollake të Tiranës”. (BallkanWeb 15 shkurt 2011)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu