Si u vetëplagos bashkëshortja e Adem Grabovcit?

0
613

Kumrije Grabovci ka shpëtuar për mrekulli, kur plumbi i pistoletës ka goditur abdomenin (barkun) e saj.

Bashkëshortja e Adem Grabovcit, zyrtarit të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, i cili është edhe shef i grupit parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e Kosovës, është dërguar në urgjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Në natën ndërmjet të hënës dhe të martës rreth orës 1, ajo ka marrë ndihmën e parë në QKUK, ndërkohë që policia ka dalë në vendin e ngjarjes në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë.

Adem Grabovci e konfirmon për Express se e vetë plagosura është bashkëshortja e tij, duke dhënë edhe versionin e tij të ngjarjes.

Ai thotë se arma është e veçantë për të dhe familjen ngase i ka takuar vëllait të tij, të vrarë në luftë, e të cilën gjithmonë e ka bartur i biri, përkatësisht nipi i tij.

Por meqë nipi i tij (djali i vëllait) të hënën ishte për vizitë dhe e ka harruar armën afër televizorit, Kumrije Grabovci duke u munduar ta fsheh pistoletën që mos ta shikojnë apo prekin fëmijët, në atë moment asaj i ka shkrepur revolja.

Duke treguar se është i lumtur se bashkëshortja i ka shpëtuar më të keqes, Graboci sqaron se ishte ai që edhe i ka thirr në telefon policinë.

“Por do të bëjë kërkesë që të na kthehet kjo armë pasi është e veçantë për ne”, thotë Grabovci për Express, duke e pranuar se pistoleta nuk ishte me leje.

Dërgimin në urgjencë të Kumrije Grabovcit (1960) të plagosur, e kanë konfirmuar për Express edhe mjekët e QKUK’së, kurse policia, përveç që tregojnë se janë duke kryer hetimet e nevojshme, nuk japin më shumë detaje në lidhje me rastin.

 

Nga Jeton Musliu

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu