Siria, leksioni i një revolte

0
654

Qyteti, i cili sot është fushëbetejë vëllavrasëse, është edhe vendi ku tre fetë e mëdha monoteiste, dhe sektet e tyre, janë të koncentruara si askund tjetër. 

Në Alepo kanë kishat e tyre ortodoksët, asirët, caldeitët, armenët, melekitët dhe maronitët. Aty ndodhen gërmadhat e manastirit të Shën Simon Stilitit, të parit asket që agjëronte në kulmin e një shtylle. Në xhaminë e qytetit, ndodhet koka e Zaharisë, babai i Gjon Pagëzorit. Lufta më e ashpër midis ndërluftuesve u bë në lagjen Salah el Din. Është quajtur e tillë për nder të gjeneralit më të madh të arabëve, që ne e njohim me emrin Saladin. Kurd i lindur 900 vjet përpara në Tikrit, qyteti i origjinës së Sadam Huseinit, ishte gjenerali që mundi kristianët në betejën për Jeruzalemin. U soll me ta, më mirë dhe kalorsiak nga sa kristianët ishin sjellë me arabët dhe hebrenjtë, kur e pushtuan qytetin. Nuk ka kronikan të krishterë që nuk e trajton me respekt kujtimin e tij. Trupi i tij, ndodhet në xhaminë e madhe të Damaskut. Në vitin 1920, Henri Gouraud, komandanti i trupave franceze që kishin marrë në protektorat Sirinë, i bëri vizitë sarkofagut dhe pasi i ra me shkelm, thërriti me zë të lartë: “Zgjohu Saladin, u kthyem”. Duke aluduar me prezencën e tij një fitore të vonuar të kryqëzatave të nisura një mijë vjet më parë. Për tu larguar vetëm 20 vjet më vonë.

Një tjetër Saladin me mbiemër Bitar, dhe një kristian i quajtur Michel Aflaq, miq të studiuar në Sorbonë në vitet ’30 të shekullit të shkuar, kur shoqëria franceze jetonte përplasjet midis formacioneve të majta e të djathta, u frymëzuan nga fashizmi dhe me kthimin në atdhe formuan partinë e quajtur Baath. Me kalimin e viteve do asimilonte edhe praktikat socialiste, duke i dhënë jetë të quajtur “socializëm arab”, që pushtoi gjithë botën arabe në gjysmën e dytë të shekullit të njëzet, dhe kështjella e fundit ndonëse tashmë vetëm si emër, e përfaqëson Siria me në krye Asad. Një mishelë e ideologjive mesianike, nuk kishte vend më të përshtatshëm për tu rritur se tokat e Lindjes së Mesme. Parti që u shtri në Siri dhe Irak, fitoi edhe pushtetin në këto dy vende. Në vitin 1989, Aflaq vdiq në Baghdat, i nderuar nga Sadam Huseini. Saladini i dytë, u vra me urdhër të Asadit baba, pasi nuk pranoi asnjëherë deformimin e ideologjisë dhe programit me të cilën e kishte themeluar partinë. Është ndër rastet, kur idealistët përplasen me realitetin dhe krijojnë monstra. Si Asadi plak, që pas rënies së smaltit të së resë që sillte, përfundoi në diktaturë personale. Është historia e përsëritur, kur çlirimtarët shndërrohen në diktatorë. Më të këqij, të dhunshëm, demagogë e të paskrupullt, se ata që zëvendësojnë. Për të hequr Sadamin ndërhynë amerikanët; për zëvendësimin e Asadit bir, do rrjedhe ende shumë gjak. Po pas kryengritësve kush është? Vetëm idealistë, apo edhe elementë të Al Qaedës? Pse kaq shumë ndihet dora e Arabisë Saudite, aq shumë sunite? A është luftë për demokraci, apo midis sekteve fetare për supremaci?

Vendi ka traditë në kasaphana të tilla. Gati tridhjetë vjet më parë, babai i presidentit të sotëm, mbyti në gjak kryengritjen e “Vëllazërisë Myslimane” me zanafillë në qytetin Hamas. E ktheu qytetin në gërmadhë, duke varrosur kryengritësit dhe civilët të gjallë në rrënoja. Shifrat zyrtare flisnin për njëzet mijë të vrarë. Tridhjetë e tetë mijë është shifra e vërtetë, deklaroi Rifati, xhaxhai i presidentit të sotëm dhe komandanti që shtypi kryengritjen, tashmë në arrati pasi u konfliktua me vëllain. Kështu që me çfarë është mësuar familja Asad, jemi në kufijtë e nxehjes së muskujve. Ende nuk janë bërë njëzet mijë të vrarë këtë radhë.

E ardhmja e Sirisë, nuk mund të parashikohet. Shoqëria siriane është më e zhvilluar se ajo libiane, pasi është e fragmentarizuar në sekte dhe besime, por jo në tribu. Më e rafinuar se ajo tuniziane, pasi pushteti është shpërndarë më proporcionalisht mes një elite, dhe jo e përqendruar në dorë të një njeriu si Ben Ali. Ushtria më besnike ndaj Raisit, për faktin se ka përfituar një pjesë të mirë të prodhimit kombëtar. Gjithashtu prania në hartën gjeopolitike dhe në interesat e Moskës, nuk e kanë lënë pa një aleat të fuqishëm. Cili do jetë fati i Sirisë? As shërbimet sekrete nuk janë në gjendje të japin shkallën që mund të durojnë tërheqje palët në konflikt. Asadi po lufton për jetë a vdekje. Nëse bie, do jetë një demokraci Siria, që do fillojë si një shumatore e zotërinjve të luftës, dhe me shumë fat dhe pas shumë kohe do fillojë ti ngjajë Europës? Do jetë një tjetër Asad që do dalë nga pluhurnaja që ka mbuluar vendin, i cili do pritet si liberator dhe do kthehet në makth? Apo vendi do shpërbëhet sipas hartës së sekteve fetare që e popullojnë? Këto dhe enigma të tjera, do shoqërojnë të ardhmen. Ku mësimi më i madh i revolucioneve që filluan çerek shekulli më parë në lindjen e Europës, dhe po vazhdojnë në veriun e Afrikës, është se demokracia para të qenit sistem, është kulturë, traditë, respekt për të ngjashmin; por edhe se “homo sapiens” pas pesëmijë vjetësh evolucion, e ka më të kollajtë t’i dorëzohet instinkteve gjakësore të tufës se logjikës njerëzore.

 

Nga Dritan Hila

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu