Sistemi slloven kufitar, shkak i ndalimit të Haradinajt

0
698

Ljubljana-Airport

Qeveria e Kosovës nuk ka pasur juridiksion për trajtimin e krimeve të luftës deri në qershor të vitit 2014 dhe as të merret me fletarrestet e Serbisë.

Para vitit 2014, deri në hyrjen në fuqi të Ligjit nr. 04/L-273 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës, ka pasur juridiksion vetëm UNMIK-u dhe mandej edhe EULEX-i.

Burime të mirëinformuara të Telegrafit, bëjnë të ditur që urdhërkërkimet ndërkombëtare të Serbisë për disa shtetas të Kosovës janë lëshuar për herë të fundit në vitin 2010.

Prej vitit 2010, më Serbia nuk ka lëshuar asnjë fletëarrest përmes Interpolit për shtetasit e Kosovës.

”Shfuqizimi i këtyre fletëarresteve është i pamundur. Ai mund të bëhet vetëm përmes negociatave në Bruksel, përmes të cilave autoritetet serbe do të obligoheshin që t’i tërheqin, sepse Kosova nuk ka pasur kurrfarë juridiksioni para vitit 2014 që të merret me krimet e luftës deri më miratimin e ligjit të ri, përmes së cilit në vitin 2014 janë deleguar kompetencat në prokurorinë vendore”, thotë ky burim për Telegrafin.

Sipas tij, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka qenë në dijeni të këtij urdhërkërkimi ndërkombëtar për të.

“Pra, këto raste janë ndërtuar edhe me bashkëpunimin e UNMIK-ut dhe EULEX-it në të kaluarën dhe jo Kosova, po askush nuk mund t’i shfuqizojë përveç Serbisë”, thotë ai.

Ndërsa, i pyetur pse Haradinaj është ndaluar në Slloveni dhe jo në Gjermani apo Austri, ai thotë se në pyetje është sistemi slloven, i cili në të kaluarën ka ndaluar edhe politikanë të tjerë.

“Sistemi slloven për menaxhimin e kufijve ka qenë gjithnjë problemi. Sllovenia ka ngecje në sistemin e saj dhe shtetet e tjera nuk i trajtojnë me seriozitet kërkesat e natyrës së tillë prej Serbisë, sepse kontaktohen edhe prej ambasadave tona kur udhëtojnë politikanët tanë, që të evitohen këto pengesa. Por, gjithashtu, edhe përfaqësitë diplomatike të shteteve mike që janë në vendin tonë i kanë informuar shtetet e tyre për këto akuza, le të themi politike të Serbisë dhe i kanë pastruar sistemet e tyre menaxhuese në kontrollimin e pasaportave”, thotë për ai Telegrafin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu