S’jemi gati për zgjedhje!

0
695

Partitë politike në Kosovë ende nuk janë përcaktuar se në cilat komuna me cilët kandidatë do të garojnë, pavarësisht se zgjedhjet lokale dita-ditës po afrohen.

Ndonëse ende nuk është caktuar data e saktë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale, megjithatë kryetarëve aktualë të komunave në vjeshtë u përfundon mandati. Ndërkohë jozyrtarisht thuhet se presidentja Atifete Jahjaga si datë të mundshme për zgjedhjet lokale e ka menduar fundin e shtatorit.

Zëdhënësi i presidentes Jahjaga, Arbër Vllahiu, thotë se e para e vendit është duke u konsultuar vazhdimisht me partitë politike, ndërkaq, kur t’i marrë qëndrimet e të gjitha partive do të vendosë për datën e saktë se kur do të mbahen zgjedhjet lokale.

“Janë konsultimet me të gjitha subjektet politike, partitë politike parlamentare. Do të merret një vendim në bashkëpunim me partitë edhe subjektet politike. Dhe kjo pritet të bëhet diku nga gjysma e muajit maj”, thotë Vllahiu.

Ai thotë se ndonëse nuk është caktuar data e saktë për mbajtjen e zgjedhjeve, koha në mes të 17 shtatorit dhe 15 tetorit është periudha kur do të duhej të mbaheshin ato.
“Në këto data është afati ligjor. Vjeshta e hershme, siç e kemi quajtur, mund të jetë prej opsioneve të mundshme”, nënvizon ai.

Partitë nuk nguten për zgjedhjet

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci, thotë se kjo parti nuk ka filluar të përgatitet për zgjedhje, dhe nuk i ka përcaktuar kandidatët e mundshëm për kryetarë komunash, ngase, siç thotë ai, për një gjë të tillë është herët, por ai shprehet i bindur se PDK-ja në zgjedhjet e ardhshme do t’i fitojë edhe ato pak vende të cilat i drejtojnë rivalët kryesorë të tyre – anëtarët e LDK-së, përfshirë edhe kryeqytetin.

“Nuk besoj që ndonjëra është më sfiduese se tjetra. Ne i kemi shumicën e komunave dhe besoj që ka edhe të tjera që mund t’iu rreshtohen këtyre për sa i takon fitores së PDK-së. Ne e kemi më lehtë se sa të tjerët, sepse jemi ata që kemi punuar më së shumti gjatë këtyre viteve. Pothuajse në të gjitha fushat ka ndryshime të prekshme të cilat na veçojnë shumë nga të tjerët”, thotë Stavileci.

Edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, mohon se kjo parti i ka caktuar kandidatët, qoftë edhe një të vetëm, që do të garojë për ndonjë komunë të caktuar.

“Zyrtarisht nuk ka ndonjë kandidat të nominuar për kryetar komune. Ne në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm jemi marrë vesh që Kryesia të vendosë për kandidatët. Tash jemi në fazën e identifikimit të kandidatëve, por ne në radhë të parë do t’i dëgjojmë propozimet që vijnë nga degët”, shprehet ai.

Rugova thekson se LDK-ja nuk ka vendosur me kë do të garojë në Prishtinë, ndërsa shprehet i bindur se kandidat i kësaj partie nuk duhet të jetë lideri i saj, Isa Mustafa, ngase, siç thotë ai, Mustafa do të jetë kryeministër i ardhshëm i vendit.

Ndërsa Erzen Vraniqi nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se kandidatët për kryetarë nga ky subjekt politik në bazë të statutit përcaktohen me zgjedhje të brendshme nga anëtarësia e Lëvizjes nëpër komuna, prandaj deri tash nuk ka ndonjë kandidat zyrtar.

“Jemi të sigurt se do të kemi kandidatë seriozë në disa komuna dhe do të fitojmë. Mirëpo më shumë se aq, besojmë shumë se do ti dominojmë edhe ansambletë komunale në shumicën e komunave të Kosovës, me çka do ta përmirësojmë përfaqësimin e denjë të qytetarëve në pushtetin lokal”, nënvizon ai.

Ndryshe nga të gjitha partitë politike, drejtuesit e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) janë përcaktuar të paktën për kandidatin e tyre për Prishtinë. Në emër të kësaj partie për kryetar të komunës së Prishtinës do të garojë Besnik Tahiri.

Zëdhënësi i AAK-së, Ernest Luma, thotë se kjo parti është duke u përgatitur për zgjedhje, por ende nuk i ka caktuar kandidatët për kryetarë të komunave, të cilët, sipas tij, do të dalin pas zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie, të cilat pothuajse kanë përfunduar.

“Mirëpo, dihet se ata që janë dëshmuar të suksesshëm, ata që kanë udhëhequr deri më tash me pushtetin lokal nga Aleanca, natyrisht se mund të jenë kandidat potencial për kryetar të komunave”, nënvizon ai.

Reforma zgjedhore “sfidë” para zgjedhjeve

Derisa presidentja e vendit nuk e ka caktuar datën për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, procesit të reformës zgjedhore nuk është duke iu “parë fundi”.

Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë se në praktikat e vendeve me demokrati të zhvilluar eksiton një standard, sipas të cilit, së paku gjashtë muaj para një procesi elektoral nuk preken legjislacioni zgjedhor.

“Ajo çfarë po ndodh deri më tani me qasjen e liderëve të subjekteve politike, nuk jep shpresë që çështja e ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor do të ndryshojë shpejt dhe si duket në zgjedhjet lokale do të hyjmë me legjislacionin aktual zgjedhor”, thotë ai.
Sipas tij, një gjë e tillë e shton rrezikun që parregullsitë e paraqitura në zgjedhjet e fundit parlamentare të përsëriten në zgjedhjet e ardhshme lokale.

“Deri më tani liderët politik kanë dëshmuar një papërgjegjësi politike dhe civile, karshi qytetarëve të Kosovës dhe kanë dëshmuar se për interesa të ngushta partiake dhe individuale cenojnë proceset demokratike që do të ndikonin në zhvillimin e Kosovës”, nënvizon ai.

Edhe drejtuesit e partive politike besojnë se nëse zgjedhjet do të mbahen pa përfunduar reforma, për partitë politike, ky do të jetë dëm i madh për vendin.

Nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova, thotë se do të ishte mirë sikur reforma të përfundojë sa më parë, ndërsa thekson se reforma “shkel e shko” vetëm sa i bënë dëm vendit.

“Edhe ajo mund të ndodhë (të vijnë zgjedhjet, ndërsa reforma mos të përfundojë). Ne jemi mësuar të shohim se si për një çështje ka takime e takime, e quajnë reformë. Nëse takohesh (përfaqësuesit e partive politike) por nuk ndryshon asgjë, ajo nuk mund të quhet reformë”, nënvizon ai.

Anëtari i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi, thekson se shikuar nga puna e komisionit dhe takimet e liderëve të subjekteve politike, në Kosovë nuk ka vullnet për, siç thotë ai, reformë të mirëfilltë zgjedhore.

“Më tepër ka vullnet për manipulim të opinionit sesa për ta arsyetuar marrëveshjen jashtinstitucionale të tre liderëve për zgjedhjen e presidentes. Problemi kryesor nuk qëndron te reformimi i sistemit zgjedhor, por tek zbatimi i ligjit në rast të manipulimit me votën e qytetarëve”, shprehet ai.

Ndërkaq, zëdhënësi i AAK-së, Ernes Luma, thotë se do të ishte dëm dhe fatkeqësi për vendin nëse zgjedhjet e ardhshme lokale mbahen në kohën kur nuk ka përfunduar reforma zgjedhore.

Reforma në prag të dështimit

Driton Selmanaj, nga KDI-ja, thotë se reforma elektorale është pranë dështimit total, ngase, siç thotë ai, deri tash liderët politikë janë pajtuar pothuajse për të mos ndryshuar asgjë.

“Ka një tendencë që çështjet e rëndësishme, si zonat zgjedhore, struktura e KQZ-së, mënyra e zgjedhjes së presidentit të ngelen ashtu siç ka qenë deri më tani, dhe kjo vë në pikëpyetje jo vetëm konceptin e reformës, por madje këtë proces nuk mund ta përfundojmë as me një plotësim ndryshim të legjislacionit zgjedhor”, thotë ai.

Nga: Jeton Llapashtica

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu