S’ka çka sqarohet

0
758

Nga Nexhmije Ahmeti

Në Presidencën e Kosovës thonë se Behgjet Pacolli tashmë ka sqaruar gjithçka që është dashur dhe nuk ka nevojë për sqarime të tjera, siç kërkojnë organizatat e dala nga lufta e UÇK’së. Por, ish-luftëtarët nuk dorëzohen, madje premtojnë veprime të tjera. Ata të Dukagjinit shprehen më radikalë.

Nga Nexhmije Ahmeti më 08 mars 2011 në ora 08:20

Nuk e duan dhe pikë! Aty ku është ai, nuk do të shkojnë kurrë. Ky është vendimi i tyre dhe nuk ka kthim prapa. Në këtë mënyrë, përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së vazhdojnë ta bojkotojnë Presidentin e Kosovës. Për ta, Behgjet Pacolli mbetet i padëshiruar. Dhe kështu do të mbetet derisa kryetari i shtetit të mos japë sqarime për disa veprime të tij. Dhe këto sqarime t’i bëjë në Parlamentin e Kosovës. Xhavit Jashari është kryetar i më shumë se dy mijë familjeve të dëshmorëve të UÇK-së. Jashari tha për Express se bojkotimi i presidentit do të vazhdojë derisa ai nuk jep përgjigje në pyetjet e tyre që i janë bërë. “Përderisa ai nuk sqaron të gjitha deklaratat dhe veprimet e tij të mëhershme, ne nuk e njohim për president“, tha Jashari për Express. Sipas tij, ku është Pacolli organizatat e dala nga lufta nuk do të jenë prezent. Por ka disa prej tyre që nuk dëshirojnë fare sqarime. Veteranët e Dukagjinit nuk do ta njohin asnjëherë Behgjet Pacollin për President të Kosovës. Nëpërmjet kryetarit të tyre, Avdyl Mushkolaj, ata kundërshtojnë zgjidhjen e Pacollit për të parin e shtetit. Madje Mushkolaj është më radikal sesa kolegët e tij nga qendra.

“Ne e përkrahim vendimin nga qendra për ta bojkotuar, por ne as nuk kërkojmë sqarime nga ai, sepse nuk ka çka të sqarojë”, tha Mushkolaj për Express.
Sipas tij, Pacolli është duke e parë që nuk po e do askush. Andaj, ai i sugjeron që të japë dorëheqje nga posti. “Pacolli s’e përfaqëson askënd, prandaj më mirë i bie që të japë dorëheqje. Këtë do të duhej ta bënte po të kishte pak karakter”, thotë Mushkolaj.
Por ai mendon se njeriut që nuk e njeh për president nuk do t’i shkojë gjatë ulja në karrigen e shefit të shtetit. “Ai është duke ecë me këmbë të huaja, prandaj së shpejti do të rrëzohet”, thotë Mushkolaj.

Për dallim nga Mushkolaj, organizatat e luftës nga qendra e pranojnë Pacollin president, nëse ai jep sqarime në pyetjet që ata i kanë bërë më herët. Por siç duket, raportet e ngrira do të vazhdojnë kështu edhe në të ardhmen. Presidenti Behgjet Pacolli nuk do të sqarojë asgjë. Kështu të paktën thotë këshilltari i tij politik, Arbër Geci.
Geci tha për Express të hënën se Presidenti ka sqaruar gjithçka. “Presidenti tashmë ka sqaruar gjithçka që është dashur të sqarohet dhe nuk ka nevojë për sqarime të tjera”, beson ai. Për këtë çka ka ndodhur ditëve të fundit, Geci më shumë ua hedh fajin disa medieve në Kosovë, të cilat sipas tij, kanë bërë një fushatë shpifëse, të egër dhe me të pavërteta në lidhje me presidentin Pacolli.

“Por veprimet e tij po dëshmojnë se ai është president i të gjithëve, jo vetëm i kosovarëve, por edhe i kombit shqiptar”, thotë Geci.
Këshilltari politik mohon se presidenti Pacolli u është shmangur takimeve me përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së. Mospjesëmarrja e tij në akademinë organizuar për nder të 13-vjetorit të rënies së Adem Jasharit, sipas Gecit, është për shkak të agjendës që ka pasur Presidenti. “Presidenti nuk do t’i bojkotojë, përkundrazi do t’iu ofrojnë bashkëpunim shumë të ngushtë atyre. Presim shumë shpejt që raportet me ta do të relaksohen. Dera jonë për veteranët e luftës gjithnjë është e hapur”, tha Geci.

Presidenti, sipas këtij këshilltari, është i gatshëm që të takohet me ta në çdo kohë. Por ky takim, sipas të gjitha gjasave, është vështirë të ndodhë. Të paktën kështu duket sipas qëndrimeve të organizatave të dala nga lufta. Xhavit Jashari thotë se presin përgjigjet e presidentit, e nëse kjo nuk ndodh, ai thotë se do të ndërmarrin veprime të tjera, por nuk i bën të ditura ato. Thotë se do të mblidhen strukturat e larta të organizatave dhe do të merret një vendim. “Edhe ju do ta merrni vesh pas këtyre takimeve”, thotë Jashari.

Kohë më parë, shoqatat e dala nga lufta përmes një letre të hapur drejtuar kryetarit, Kryesisë dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kërkuan që Behgjet Pacolli të japë sqarime para Kuvendit të Kosovës në lidhje me deklaratat e tija dhënë mediave ndërkombëtare, e të cilat janë publikuar edhe në mediat vendore.

Shoqatat e luftës kërkuan që Pacolli të japë shpjegime se cili është qëndrimi i tij për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çfarë ishte roli i tij në takimet me Milosevicin gjatë kohës së luftës, por edhe për atë se çfarë iu sugjeroi Pacolli politikanëve shqiptarë në shtëpinë e tij në Hajvali, gjatë kohës së luftës, si zgjidhje të çështjes së Kosovës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu