Skandali me naftën, Berisha eliminon autoritetin e shtetit shqiptar

0
776

Qeveria ka përgatitur dhënien e të drejtës së kërkimit për naftë një kompanie të huaj dhe i gjithë procesi po shoqërohet nga një skandal. Qeveria ka përgatitur tashmë marrëveshjen me kompaninë në fjalë dhe pritet të miratohet në mbledhjen e ditës së nesërme. Zonat për të cilat bëhet fjalë janë: Adriatiku 1, 2 dhe 3. Të trija këto janë në det dhe përfshijnë zonën nga “Karaburuni” deri në “Kepin e Rodonit”.

Burime të sigurta të gazetës nga grupi i punës që ka hartuar këtë marrëveshje, bëjnë me dije se iu është bërë presion që t’a “rregullojnë” atë sipas kërkesave të familjes së Kryeministrit të vendit Sali Berisha. Sipas tij, gjatë hartimit të marrëveshjes, nga ajo është hequr detyrimi që aktiviteti i kompanisë izraelite që do të marrë zonën në fjalë fillimisht për kërkim dhe më pas për shfrytëzim, të kontrollohet nga shteti.

Në këtë mënyrë, duket se ekzekutivi do t’i lejojë kompanisë që do të marrë zonën në fjalë, që të zhvillojë aktivitet pa asnjë lloj kontrolli duke guxuar ta përcaktojë atë edhe në Marrëveshjen e Kërkimit madje. Autoriteti përgjegjës për kontrollin e aktivitetit hidrokarbur në vend e ka Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, nën varësinë e METE-s. Çdo veprim i kompanive që marrin leje për të kërkuar apo shfrytëzuar nëntokën shqiptare kontrollohet dhe miratohet pikërisht nga ky autoritet.

Çfarë po ndodh? Burimi i gazetës nga grupi i punës, shpjegon se nga kjo marrëveshje është hequr detyrimi që agjencia AKBN ka për të verifikuar aktivitetin e kësaj kompanie. “Na kanë kërkuar që të heqim nga marrëveshja me kompaninë klauzolat që përcaktojnë AKBN-në si organin përgjegjës për kontrollin e aktivitetit të kompanisë. Na thanë se kështu duhet bërë pasi mbrapa është familja e Kryeministrit”, -shpjegon burimi.

Sipas ligjeve të shtetit shqiptar, para se të lidhet një Marrëveshje Kërkimi, shteti i përcakton “Albpetrol-it” kornizat brenda të cilave do të hartohet marrëveshja në fjalë nëpërmjet një Licencë-Marrëveshje. Duke u bazuar në të, “Albpetrol” lidh me subjektin privat Marrëveshjen e Kërkimit, por duke përcaktuar që kontrollori do të jetë AKBN-ja. Në rastin tonë, qeveria synon ta heqë AKBN-në nga autoriteti kontrollues duke lenë në mes vetëm “Albpetrol-in”.

Por qeveria ka miratuar tashmë procedurat e shitjes së kompanisë shtetërore të naftës dhe pritet që të hapë tenderin në fund të muajit korrik. Pra, pritet që kompaninë shtetërore, ta marrë një privat. Në këto kushte, pas heqjes nga Marrëveshja e Kërkimit që do të lidhë më kompaninë private të detyrimit për t’u kontrolluar nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore, i gjithë aktiviteti i saj do të verifikohet nga privati që do të blejë “Albpetrol-in”. Në këtë mënyrë, shteti ka hequr dorë në këtë mënyrë nga çdo kontroll i veprimtarisë së kompanisë private që do të kërkojë naftë (nëse gjen me shumë mundësi edhe do ta shfrytëzojë, ligji ia lejon këtë). Pasuria kombëtare tashmë do të administrohet vetëm nga kompanitë private pas asnjë kontroll nga ana e shtetit.

 

Çfarë parashikon Licencë-Marrëveshje

c)METE në përputhje me këtë Licencë-Marrëveshje mund t’i japë “Albpetrol-it” të transferojë ose të delegojë të gjitha ose një pjesë të të drejtave, titullimeve dhe interesave të tij këtu një personi juridik vendas ose të huaj ose ndonjë institucioni ndërkombëtar financiar me të cilin “Albpetrol” dëshiron në përputhje me ligjin e cituar këtu dhe në Marrëveshjen Hidrokarbure të përshkruara në këtë licencë

d) I licencuari bie dakord t’i nënshtrohet termave dhe kushteve të kësaj Licencë-Marrëveshje

e) Licencë-Marrëveshja është një “Licencë” siç përmende në Marrëveshjen Albpetrol dhe do të ketë fuqinë e një kontrate midis palëve

f)AKBN mbështetur në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.547,datë 9 gusht 2006, do të veprojë në emër të ministrisë dhe po në emër të ministrisë do të japë miratimet e nevojshme dhe do të lëshojë autorizimet e nevojshme për të mundësuar kryerjen e Operacioneve Hidrokarbure në zonën e kontratës

Shënim: Licencë-Marrëveshje parashikon qartë se i gjithë aktiviteti i kompanisë mbikëqyret nga AKBN. Është pikërisht pika “f” e seksionit “Kushtet paraprake”, një ndër pikat ku parashikohet ky detyrim.

 

Çfarë është Licencë-Marrëveshja?

Para se “Albpetrol” të lidhë një marrëveshje hidrokarbure me një kompani private, shteti shqiptar, nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë, i përpilon atij një Licencë-Marrëveshje, mbi bazën e të cilës do të hartohet edhe Marrëveshje Hidrokarbure që do të lidhë kjo ndërmarrje shtetërore me një kompani private për shfrytëzimin apo kërkimin për naftë apo gaz në territorin e vendit. Marrëveshja Hidrokarbure nuk mund të dalë asesi nga kornizat që qeveria i përcakton Albpetrolit në Licencë-Marrëveshje. Qeveria e ka lenë sipas rregullave detyrimin që kontrolli të bëhet nga AKBN-në, ndërkohë që “rregullimet” po bëhen tek Marrëveshja e Kërkimit me kompaninë.

 

Redaksionale

 

Nafta në kohën e presidentit

 

Shekulli ka paralajmëruar skandalin që po përgatitej, i cili tani po del mbi ujë. Eshtë ndofta afera më e rëndë e korrupsionit në historinë e Republikës Shqiptare. Berisha përmes kartonëve të deputetëve të maxhorancës mandatoi veten e tij për të hartuar Listën C me pasuritë nën e mbi tokësore të Shqipërisë dhe për t’ia transferuar të drejtat e shfrytëzimit të këtyre pasurive miqve të tij, pa qenë nevoja për ndonjë ligj a vendim parlamenti. Tani po ndodh edhe ajo që nuk është parë e dëgjuar deri sot në botë: Agjncia AKBN nuk do të ketë të drejtë të mbikqyrë marrëveshjen hidrokarbure që mbulon Listën C. Berisha po heq autoritetin e shtetit shqiptar për të kontrolluar këto kompani që do të shfrytëzojnë naftën. Nuk mjafton që po na grabisin pasurinë, por po na vjedhin edhe shtetin!

Duket qartë se pas fshehjes së aktivitetit të kompanisë që do të kërkojë naftë apo gaz në territorin e Shqipërisë nga kontrolli i autoriteteve shtetërore flenë interesa të mëdha korruptive. Fakti që, ekspertëve që merren me hartimin e draft-marrëveshjes me kompaninë në fjalë i bëhet presion nëpërmjet emrit të Kryeministrit Berisha dhe interesave të familjes së tij, flet shumë. Zona për të cilën bëhet fjalë, përbën jo pak, por 40 për qind të hapësirës detare që ka shteti shqiptar. Me këtë veprim, qeveria kërkon t’i lërë duar të lira kompanisë private në shfrytëzimin e burimeve nëntokësore të vendit.

Burimi ynë, të cilin nuk mund ta identifikojmë, na bën me dije se miratimi i kësaj marrëveshje do të bëhet në mbledhjen e nesërme të qeverisë.

Një rrethanë e çuditëshme është koinçidenca e miratimit të kësaj marrëveshjeje me zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Duken si gjëra pa lidhje, por në ditët e ardhshme mund të zbulohen lidhje që do ta lënë pa frymë opinionin publik.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu