Skandali me trafikun e armëve, dorëhiqet kreu i SHIU-t

0
673

Tiranë – E shoqja e drejtorit të SHIU ishte ortake me dy trafikantë armësh. Ylli Zyla, që mori postin pas skandalit të Gërdecit, ngarkonte vetë avionët që niseshin drejt vendeve si Nigeria. Opozita: Dyshojmë se janë shitur edhe eksplozivë. Arben Imami refuzoi para pak ditësh kontrollin e Kuvendit mbi ministrinë e tij. Opozita dyshon se fshihet një trafik marramendës armësh

Një tjetër skandal i rëndë godet Ministrinë e Mbrojtjes dhe ushtrinë shqiptare. Ylli Zyla, drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak ka dhënë dorëheqjen pasi në media u publikuan fakte skandaloze se e shoqja bënte tregti armësh. Zyla, që duhej të monitoronte këtë tregti dha dorëheqjen duke deklaruar se e bën këtë gjë për të ruajtur integritetin moral të familjes, por edhe  të institucionit ku punonte. Zyla ia ka dorëzuar dorëheqjen ministrit Imami dhe kryeministrit Sali Berisha.

“Unë i nënshkruari, kolonel Ylli Zyla, me detyrë drejtor i Shërbimit Informativ Ushtarak, nisur nga disa sulme të pamoralshme dhe të pabazuara që më janë bërë mua dhe familjes sime në media, për të ruajtur integritetin dhe moralin e familjes sime, integritetin e institucionit të SHIU-t si shërbim inteligjence i një vendi anëtar të NATO-s, marrëdhëniet e shkëlqyera të SHIU-t me shërbimet partnere strategjik të inteligjencës, si dhe për të garantuar vijueshmërinë normale të veprimtarisë dhe operacioneve të SHIU-t, më lejoni t`ju paraqes: dorëheqjen nga funksioni i drejtorit të Shërbimit Informativ Ushtarak,” shkruan Zyla në tekstin e dorëheqjes.

Zyla ishte emëruar në atë detyrë pas skandalit të Gërdecit. Por gazeta Shqiptarja.com zbuloi se e shoqja e tij ishte aksionere me disa persona që kishin edhe një kompani për tregtimin e armëve.

Liljana Zyla që prej vitit 2008 është bashkëaksionare në kompaninë “Wind Sun Water Initiative” (WSWI) së bashku me shtetasit Lorenc Goça dhe Andrzej Izdebeski (shtetas polak) të cilët në të njëjtën ditë që kanë themeluar kompaninë me gruan e shefit të SHIU-t kanë krijuar edhe dy kompani të tjera në Tiranë, UNIMESKO dhe NITRO-CHEM, me objekt aktiviteti tregtinë e materialeve ushtarake dhe armatimit.

Mediat kanë zbuluar se si Zyla vetë dorëzonte makinat me armë e municion në Rinas, të cilët më pas ngarkoheshin në avionin e monitoruar nga media dhe niseshin drejt Nigerisë.

Zyla i cili u kthye pas 20 ditësh si drejtues i SHIU-t pas ngjarjes së Gërdecit. Një ndër detyrat ligjore me të cilat është i ngarkuar SHIU është edhe monitorimi dhe kontrolli mbi tregtinë e armatimit si dhe mbikëqyrja e operatorëve të licencuar që kryejnë tregti armësh në Shqipëri, përfshirë dhe kompanitë UNIMESKO dhe NITRO-CHEM të cilat janë në pronësi të ortakëve të bashkëshortes së kreut të SHIU-t.

Kompania “WSWI “ku është bashkëaksionare dhe shtetasja Liljana Zyla është krijuar më datën 28 janar të vitit 2011. Ajo ka si objekt të aktivitetit të saj operimin në sektorin energjitik. Por duket se në të njëjtën datë dhe ditë dy ortakët e Zylës Goça dhe Izdebeski kanë shkuar në QKR për të regjistruar dhe dy kompani të tjera, të quajtura UNIMESKO dhe NITRO-CHEM të cilat janë kompani që kanë si objekt të aktivitetit të tyre, tregtinë në sektorin e materialeve ushtarake dhe eksportin e armatimeve. Të dyja këto kompani rezultojnë të licencuara në Ministrinë e Mbrojtjes, ato kanë marrë lejen për të eksportuar armatime.

Ndërkohë deputeti socialist, Ilir Gjoni, pati deklaruar se ata kanë të dhëna se kompania UNIMESKO ka tregtuar edhe eksplozivë. “Ne kemi të dhëna që duhen verifikuar menjëherë. Për shembull kemi të dhëna për eksportin e kryer nga po e njëjta kompani(Unimesko) të një sasie prej 759 ton lëndë eksplozive TNT të cilësisë së parë që Ministria e Mbrojtjes ja ka shitur kompanisë me një vlerë prej 350 usd për ton, në një kohë kur kompania Meico e Ministrisë, cilësinë e dytë të TNT e shet me 450 USD për ton. Pra vetëm nga kjo krijohen dyshime të bazuara se ka një konflikt të qartë interesi,” tha Gjoni.

Ministri Arben Imami pengoi një kontroll të Kuvendit për punën e këtij institucioni. Opozita u shpreh se ai nuk donte të dilte në dritë skandali i tregtisë së armatimeve. Ndërkohë vetë PD po mundohet të dublojë kontrollin e opozitës mbi ministrinë e Imamit. (T.O)

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu