
Komuna e Podujevës ka hapur konkurs për pranimin e një shoferi të ambulancës për Emergjencën e këtij qyteti. Por në kriteret për pranim, ka vendosur një kusht të pazakontë. Për t’u pranuar si vozitës i Ambulancës, duhet ta kesh të përfunduar Shkollën e Mesme të Mjekësisë, apo Infermierisë.
Ky kusht i vendosur nga ana e Komunës, nuk është parë më herët.
Gazeta Blic, ka folur me drejtorin e Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Zaim Thaçi.
Ai fillimisht është përgjigjur në thirrjen e Gazeta Blic. Me të kuptuar pyetjen, Thaçi ka kërkuar nga gazetari të thirret një ditë më vonë, me arsyetimin se ora është 16:30 dhe është jashtë orarit të punës.
“Më thirr nesër prej orës 08:00 në mëngjes jam në punë dhe flasim”, ishte përgjigja e Thaçit.
Mirëpo, ai nuk është lajmëruar në asnjërën thirrje tjetër të redaksisë.
Gazeta Blic merr vesh që arsyeja e vendosjes së këtij kriteri, është kurdisja e vendit të punës si vozitës i autoambulancës për djalin e njërit nga drejtorët komunal.
“Po dëshirojnë që në këtë vend ta fusin djalin e një drejtori i cili e ka përfunduar Shkollën e Mesme të Mjekësisë dhe fakultetin nuk ia ka dashtë. Ka mbetur që shumë vjet në vitin e parë. Kjo është arsyeja pse e kanë vendosur këtë kriter”, i ka thënë ky burim Gazetës Blic, brenda Komunës së Podujevës.
Gazeta Blic ka pyetur nëpër institucione shëndetësore se a ka ndodhur në të kaluarën të vendoset një kriter i tillë në konkurset publike për vozitës të ambulancës, të cilët kanë konfirmuar se nuk kanë rastisur të shohin më parë një gjë të tillë.
