Skenari i seancës së nesërme të Parlamentit – Kush janë ‘tarzanët’ e partive politike

0
845

kuvendi-i-kosoves-miratonNë zgjedhjet e fundit, partitë politike, i kanë konsoliduar repartet e tyre edhe me deputetë që premtojnë dhunë. Secili prej subjekteve ka në radhët e veta ‘tarzan’ të gatshëm për të luftuar deri në atomin e fundit për partitë respektive…

Tashmë mediat, por edhe qytetarët, janë të ndarë në dysh sa i përket prognozimeve se a do të pëlcet grushti nesër në Kuvendin e Kosovës, në mes të të zgjedhurve të popullit, apo çdo gjë do të shkojë në mënyrë të kulturuar dhe pa dhunë.

Disa analistë, por edhe disa të zgjedhur të popullit, tashmë po akuzojnë mediat se po i fryjnë zjarrit, për seancën e nesërme, por të njëjtit nuk po mund të japin përgjigje në pyetjen se: Kush ku do të ulët? Edhe më tutje dy fraksionet më të thella politike, PDK dhe Koalicioni po ngulmojnë se do të ulën në ulëset e njëjta, të sallës së Kuvendit, në ato të ku tradicionalisht ulën partitë që e përbëjnë koalicionin qeverisës.

Nëse kështu është realiteti, dhe kur kihet parasysh niveli intelektual i disa deputetëve, atëherë duket se rrahja mbetet opsion real. Dhe nëse është kështu, atëherë nuk na ngelet tjetër, pos të supozojmë se kush do të mund të ishin ata deputetë që nuk do të hezitonin ta kthejnë Kuvendin në arenë gladiatorësh.

Tashmë, së paku janë dy deputetë, që mund të quhen të certifikuar nga legjislacioni i kaluar, si politikanë që nuk e kanë për të keq që aftësitë fizike t’i demonstrojnë në hollë të Kuvendit, ose brenda në sallë. Është fjala për Latif Gashin e PDK’së dhe Rexhep Selimin e VV’së, gjë e cila nuk mund të thuhet tashmë edhe për Bekim Haxhiun – Kamishi, i cili e kishte humbur një betejë fizike me deputetët e VV’së.

Kur shumica prisnin që Kamishi t’i qëronte hesapet me Selimin, ai kishte befasuar të gjithë kur kishte zgjedhur rrugën ligjore. Gjithashtu, kësaj katërshe i mungon në ketë mandat edhe Florin Krasniqi, që asnjëherë nuk kishte hezituar të premtonte dhunë dhe grushta. Pra, nga kjo katërshe, në ketë legjislativ nuk merr pjesë Florini, kurse Kamishi është futur në ujëra të tjera, larg dhunës.

Meqë duket se Lata nuk mund të llogaris edhe më tutje në shërbimet e Kamishit të rrahur, ai tash do ta ketë pranë një personalitet tjetër, që më gjasë do të mund të konsiderohet si krahu i djathtë i Latës. Është fjala për Nuredin Lushtakun, ish Komandantin e Gardës Kombëtare dhe ish zëvendësministrin e Diasporës. Lushtaku, ata që e njohin tregojnë, se nuk është një politikan që i bën naze dhunës, nëse i jepet rasti. Rafet Rama, nga Prekazi i Skenderajt, është një tjetër politikan i PDK’së, me një të kaluar militare, që sivjet do të jetë në Kuvend.

Është enigmë e madhe se në çfarë pozicioni do ta angazhojë PDK Ramën. A do të jetë Rama në repartin sulmues, a defanziv? Kjo pritet të shihet në dy tri seancat e para. Me gjasë, rrugën e Kamishit, atë akademike, këto vitet e fundit e ka ndjekur edhe një komandant tjetër, Rrustem Mustafa – Remi. Ky i fundit tashmë është rrasur shtigjeve të rrëpira dhe të komplikuara të linguistikës. Ai aktualisht duket i zënë në elaborimin e termit Evropë. Prandaj, është pak e besueshme që ai do të jetë në gjendje të përdor muskujt.

Në anën tjetër, siç e përmendem edhe më lart, Lëvizja Vetëvendosja në ketë legjislativ do të jetë më e dobët në aspektin e personaliteteve të gatshme për grushte. Përveç Rexhep Selimit, i njohur si 10’tshi, në VV nuk duket se do të ketë të tjerë të gatshëm për konfrontime. Prurjet si Ilir Deda nuk janë shumë premtuese në ketë drejtim. Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, hiç Blerim Shalën, duket se e ka një potencial të mirë për të qenë një kundërshtar i denjë fizik.

Kjo parti, të gatshëm për grushta, për dallim prej burrave, duket se i ka edhe gratë. Ca prej tyre kanë qenë edhe ushtare të UCK’së. Prandaj, kushdo që dëshiron ta ‘kruaj’ me ketë subjekt politik, duhet ta mendoj dy herë ketë mundësi. Partia më e re politike në vend, NISMA, është më e vogla në numër, por edhe në mesin e tyre tashmë kemi politikan, si Zafir Berisha, që do të tregohen të gatshëm ta mbrojnë partinë, me çdo kusht.

E konsideruar si partia më e moderuar, Lidhja Demokratike e Kosovës, gjatë këtyre zgjedhjeve nuk ka qëndruar duarkryq, sa i përket rekrutimit të personave më të kaluar militare. Aty tash, përveç Anton Çunit, i cili konsiderohej shtylla kryesore e kësaj partie për trimëri, do të ulët edhe një ish komandant tjetër, Nuredin Ibishi, aka Leka. Këta të dy, së bashku edhe me Naser Osmanin, sigurisht që e formojnë një treshe të denjë për çdo eventualitet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj
Ju lutem vendosni emrin tuaj ketu